Si je?

Përveç pyetjes se si të mbroheni nga sulmet fizike ose në internet, si të reagoni ndaj tyre, kujt t’ia raportoni dhe a duhet të hyni në një diskutim me sulmuesin, për mirëqenien e gazetarëve/eve çështja e rëndësishme është se si të merreni me pasojat e mundshme psikologjike. Gazetaret të cilat u ekspozuan ndaj ngacmimeve në internet e përshkruan ndjenjën me fjalët – “sikur dikush më godiste me të gjitha forcat në stomak”.

Tërheqja në vetvete, pasiguria, ankthi, madje edhe ndryshimi i qasjes ndaj punës janë vetëm disa nga reagimet e mundshme. Si t’i kapërceni ato dhe cilat janë teknika për t’ia lehtësuar vetes situatat që janë të vështira për t’u shmangur për Journalift shpjegojnë Tanja Ignjatoviq dhe Danka Spasovski, nga Qendra Autonome e Grave.

Journalift: Si ta njohim traumën, pra cilat janë shenjat që tregojnë se jemi ekspozuar ndaj saj dhe se është koha për të reaguar?

AZHC: Trauma ndodh kur kapaciteti mendor i një personi nuk është i mjaftueshëm për të kapërcyer një reagim të shkaktuar nga një ngjarje (traumatike). Përgjigja natyrore biologjike e organizmit ndaj kërcënimit  të integritetit fizik dhe trupor, me qëllim të mbijetesës, është njëra nga dy reagimet: lufta ose ikja. Edhe pse këto dy reaksione janë mekanizma adaptues, njeriu mund të reagojë edhe me të tretën – pra, me reaksionin e paralizës – me mpirjen, gjegjësisht me mungesën e një reaksioni.

Shenjat që tregojnë se kemi qenë të ekspozuar ndaj traumës përfshijnë: frikën, konfuzionin, ndjenjat e pafuqisë, vërshimin me emocione ankthi, shqetësimi, trishtimi, dëshpërimi, tmerri. Një person mund të ketë reagime të tepërta të sjelljes, të jetë nervoz ose të dridhet në çdo tingull ose prani të dikujt. Ky lloj simptomash quhet simptoma e zgjimit të tepruar, organizmi reagon sikur rreziku është ende i pranishëm. Gjithashtu, ajo që karakterizon dhe veçon traumën si specifike është një sërë përvojash që lidhen me vetë ngjarjen: kthimi i shpeshtë ose i vazhdueshëm i imazheve të ngjarjes në mendime (mendime ndërhyrëse ose përvoja të rikthimit), nevoja për të menduar vazhdimisht për të, makthe. Kjo veçori e traumës lehtëson njohjen e saj. 

Nga ana tjetër, ka shenja më të vështira për t’u njohur. Njëra prej tyre është mungesa e pazakontë e reagimit pas mbijetimit të një ngjarjeje stresuese, indiferenca gjatë rrëfimit me detaje. Situatat e tilla shpesh çojnë në uljen e ashpërsisë së traumës nga vëzhguesit ose nga vetë personi, sepse në pamje të parë duket se nuk ka lënë asnjë pasojë. Përveç kësaj, përvoja mund të fshihet pjesërisht nga kujtesa.

Trauma e dhunës shpesh shkakton shtypjen e agresionit, i cili nuk mund të manifestohej ndaj autorit të dhunës. Agresioni i akumuluar nuk mund të zhduket vetvetiu, ndaj manifestohet në disa situata jo të rrezikshme, më pak konfliktuale, ku është më e “sigurt”ta nxirret jashtë.

Journalift: Cilat janë pasojat e mundshme të ekspozimit afatgjatë ndaj stresit dhe ngjarjeve traumatike?

AZHC: Traumat ndahen në ato që ndodhin si pasojë e një ngjarjeje dhe ato që vijnë nga ekspozimi afatgjatë ndaj stresit, në mënyrë që të kenë një efekt kumulativ.

Trauma e përsëritur, ndër të tjera, çon në sjellje të ndryshuara, të tilla si nënshtrimi, tërheqja ose pafuqia e mësuar që çon në depresion.

Vuajtja nga ndjenjat e rënda, si frika, ankthi, ndjenjat e poshtërimit, kufizimi i sjelljes së lirë, trishtimi dhe depresioni për një periudhë të gjatë kohore, për pasojë çon në shterjen e kapaciteteve të trupit për funksionim optimal. Vuajtja nga stresi dhe trauma shpesh prodhon sëmundje psikosomatike, si një efekt kumulativ, si presioni i lartë i gjakut, migrena, sëmundjet e tiroides,i thati në lukth dhe probleme të tjera gastrointestinale, atak në zemër, artriti reumatoid, astma dhe sëmundje të tjera serioze kronike.. Përveç kësaj, mund të rezultojë në zhvillimin e sjelljeve të papërshtatshme, të tilla si marrja e vetë-inicuar të drogave ose varësia nga droga, alkooli dhe substancat psikoaktive. Një person në gjendje vuajtjeje mund ta kthejë agresionin dhe shkatërrimin drejt vetes, të vetëdëmtohet, të tentojë të kryejë ose të bëjë vetëvrasje.

Journalift: Përveç formave të dukshme të sjelljes së dhunshme, sulmeve verbale dhe fizike, çfarë mund të jetë një shenjë se dikush është viktimë e ngacmimit? Ku është kufiri, pra si mundet një person p.sh në redaksi t’i dallojë kritikat e zakonshme nga ngacmimi?                                                      

AZHC: Ngacmimi është një spektër sjelljesh (verbale, joverbale ose fizike) që shkakton shqetësim, frikë ose krijon një mjedis armiqësor, degradues ose abuziv. Mund të jetë një ose veprime të përsëritura, në mënyrë që të shndërrohet në abuzim. Tallje, “shaka” fyese, gjestikulim, kualifikime negative të përqendruara te personi, motivet, ndjenjat e tjetrit, komente të fokusuara tek trupi/dukja, mohim i vazhdueshëm i gjithçkaje që bën personi, injorim i qëllimshëm, frikësim indirekt, kërcënimet implicite dhe shumë veprime të tjera mund të përbëjnë ngacmim. Disa veprime nuk duhet të jenë domosdoshmërisht të pakëndshme (nga jashtë), por ato janë gjithashtu ngacmuese – si vëmendja e vazhdueshme e padëshiruar, intimiteti, lajkat, favorizimi publik … Ne e njohim ngacmimin nga përvoja personale – parehati, shqetësim, tension, ankth, turp, faj, frikë, zemërim, inat, pafuqi… – nga reagimi ndaj një sjelljeje të tillë dhe nevoja për ta mbrojtur vetën, ose për t’i shmangur njerëzit që sillen në këtë mënyrë. Kufiri vendoset nga personi që i ekspozohet një sjelljeje të tillë (asnjëherë nga personi që sillet në këtë mënyrë). Do të ishte gabim t’i përgjigjesh një personi që ndjen ankth me fjalët “nuk është asgjë”, “është thjesht një shaka”, “je shumë i ndjeshëm”, “u ndodh të gjithëve, ne i durojmë të gjitha” dhe si. Ekziston një dallim i qartë midis kritikave “të zakonshme” dhe ngacmimeve. Kritika duhet t’i drejtohet një aktiviteti, veprimi ose vepre, jo një personi. Ai përmban një mesazh të qartë se çfarë nuk është e mirë në ndonjë veprim ose punë, çfarë duhet të rregullohet dhe në çfarë mënyre (sugjerim).

Journalift: Çfarë mund të jetë ngacmimi seksual?

AZHC: Një formë specifike e ngacmimit është ngacmimi seksual, i cili është më i zakonshëm tek gratë dhe përfshin çdo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale me qëllim ose rezultat të cenimit të dinjitetit, veçanërisht kur krijohet një atmosferë të frikshme, armiqësore, degraduese ose fyese. Dukuritë e ndërlidhura përfshijnë shantazhin seksual, gjegjësisht sjelljen në formë sugjerimesh, propozimesh dhe kërkesash për shërbime të natyrës seksuale, me qëllim të ushtrimit të disa të drejtave ose përmbushjes së detyrimeve ose kërcënime se në rast të refuzimit për ta ofruar shërbimin e kërkuar do të rrezikohen të drejtat, përmbushja e detyrimeve do të jetë e vështirësuar ose që do të paraqiten të dhëna që mund të dëmtojnë reputacionin dhe nderin e një personi ose personave të tij të afërt.

Seksizmi (ose diskriminimi seksist) është sjellje verbale dhe joverbale që shpreh (ose përhap) paragjykime që lidhen me gjininë ose orientimin seksual të një personi. Objektivizimi seksual është një komentim i pamjes dhe pjesëve të trupit (që nuk është domosdoshmërisht negativ dhe fyes) përmes të cilit tërheqja seksuale e perceptuar e një personi vendoset si një karakteristikë që përcakton vlerën e tij, në vend që të vlerësojë aftësinë e tij , aktivit, ide(një shembull tipik është përdorimi i fjalës “gjinia më e bukur” ose “kukull”).

Journalift: Çfarë mund të bëjmë për të ndaluar ose parandaluar ngacmimet përpara se gjithçka të shkojë shumë larg dhe pasojat të bëhen shumë serioze?

AZHC: Kur një sjellje perceptohet si e pakëndshme dhe shqetësuese, mund të ndodhë që personi të vërshohet nga ndjenjat. Kjo mund të bllokojë, në mënyrë që të mos ketë reagim, ose mund të na inkurajojë të reagojmë në mënyrë të dhunshme(agresion, sulm, të qarët) gjë që duam ta shmangim. Dikush mund të ndiejë konfuzion, pasiguri në vlerësimin e vet nëse ajo që ka ndodhur dhe po ndodh është në të vërtetë ngacmim ose ne e keqkuptojmë situatën, a bëhet fjalë për mbindjeshmëri, mosgatishmëri për t’i pranuar kritikat ose dyshim se vetë personi ka kontribuar në një sjellje dhe shqetësim të tillë.Njerëzit të cilët janë të prirur për ngacmim dhe abuzim ndonjëherë nxisin konfuzion dhe paqartësi në situata, sepse kjo është mënyra për ta shmangur përgjegjësinë.

Një mënyrë e mirë për t’u përpjekur të ndaloni dhe parandaloni ngacmimet është t’i tregoni qartë personit tjetër se çfarë po shkakton reagimet e pakëndshme lidhur me sjelljen e tij dhe çfarë duhet të ndryshohet. Kjo mënyrë komunikimi dhe sjelljeje quhet sjellje pohuese. Kultura jonë nuk është e prirur ta zhvillojë komunikimin pohues , por ai mund të praktikohet dhe përvetësohet.

 Në situata ngacmimi dhe dhune, mund të kërkohet mbështetjen e kolegeve dhe kolegëve. Është e rëndësishme që person i cili ofron mbështetje të jetë në gjendje të dëgjojë – në mënyrë aktive dhe empatike – në mënyrë që të kuptojë ndjenjat dhe nevojat e personit të lënduar, t’i tregojë personit që ai është i rëndësishëm, problemi duhet të kuptohet nga këndvështrimi i tij. Të mbijetuarës duhet t’i besohet, të pranohen përvojat e saj, të konfirmohen, të njohet padrejtësia, të mos e dënohet, duhet ta ndihmohet atë ta shohë më qartë situatën, të mos ofrohet këshilla dhe zgjidhje të gatshme, të respektohen vendimet dhe zgjedhjet e saj, duhet të mbështetet që të jetë përgjegjëse ndaj vetes, të kujdeset për veten dhe të merr vendime në interesin e saj më të mirë. Kjo do të thotë respektimi i  privatësinë dhe konfidencialitetin e marrëdhënies, si dhe kohën që i duhet viktimës për të përballuar ndjenjat dhe pasojat. Nëse situata e ngacmimit dhe keqtrajtimit është ndjekur nga “vëzhguesit “dhe “dëshmitarët” do të ishte e rëndësishme që të përfshihen dhe ta mbështesin viktimën.

Mekanizmat e brendshëm të mbrojtjes

Është e rëndësishme që çdo redaksi të ketë mekanizma të brendshëm të mbrojtjes së viktimës. Kjo mund të jetë një procedurë konsultative joformale që është konfidenciale dhe nuk përfshin evindettim zyrtar me të dhënat personale të personit që raporton ngacmimin.. Kjo procedurë duhet të kryhet nga një ose më shumë persona të besueshëm që e kanë ekspertizën dhe që do t’i ofrojnë mbështetje viktimës, do ta informojë rregullisht atë dhe do t’u propozojë autoriteteve masat e mundshme parandaluese.. Mekanizmi i mbrojtjes mund të jetë krejtësisht i ndryshëm – formal. Personi i cili konsideron se është viktimë e ngacmimit mund të inicojë procedurë formale për denoncimit e veprës dhe personit që e ka bërë atë në komision kompetent, i cili do ta shqyrtojë denoncimin dhe të gjitha provat dhe do të vendosë nëse ngacmimi apo abuzimi ka ndodhur në këtë rast.

Pavarësisht nga procedurat e brendshme të mbrojtjes, një person që ka qenë i ekspozuar ndaj ngacmimit ose abuzimit mund të fillojë gjithashtu procedurat e duhura gjyqësore – civile për mbrojtje nga diskriminimi, ose penale për ngacmim dhe përndjekje seksuale. Në rast se ngacmimi dhe dhuna kryhen nga një person me të cilin ka ekzistuar një marrëdhënie emocionale/intime, është e mundur të merren masa urgjente dhe urgjente të zgjatura ose masa për t’u mbrojtur nga dhuna.

Journalift: Si të reagoni në momentin e një sulmi apo ngacmimi, domëthënë menjëherë pasi të ndodhë? A ka taktika që mund të na ndihmojnë të minimizojmë pasojat e mundshme?

AZHC: Sa herë që ekziston një rrezik i drejtëpërdrejtë i një sulmi, gjëja më e rëndësishme është të mendohet për sigurinë e personit që ekspozohet. Nëse është e mundur, është mirë të zhvillohen strategji që zvogëlojnë rreziqet e një sulmi. Mendoni për gjëra të tilla siç janë: streha e sigurt, organizimi i takimeve të biznesit në vende publike, njohja e kolegëve dhe miqve të ngushtë me situatën dhe organizimi i një sinjali për ndihmë nëse është e nevojshme. 

Është e rëndësishme të shmangni përdorimin e telefonave privatë për thirrjet e biznesit, mbajini me vete gjithmonë numrat e njerëzve që mund t’i telefononi në raste urgjente, ndryshoni rrugën kur shkoni dhe ktheheni nga puna. Kur një sulm, pavarësisht masave paraprake, megjithatë ndodh, është shumë e rëndësishme ta denonconi, t’i dokumentoni mesazhet, të shkoni te mjeku. Një thirrje për shërbimet ose organizatat që ofrojnë ndihmë për viktimat e dhunës mund të jetë gjithashtu e dobishme.

Pas sulmit, kur personi ndodhet në një vend të sigurt, është koha e duhur për të kërkuar mbështetje joformale – nga miqtë, të afërmit dhe kolegët, ose formale, nga personat dhe shërbimet kompetente.     

Journalift: Çfarë qëndrimi duhet mbajtur ndaj sulmuesit?

AZHC: Është e rëndësishme të kihet parasysh se sulmuesi është përgjegjës për veprat që kryen. 

Personi që sulmohet duhet të kujdeset për veten e tij. Ai nuk është përgjegjës për atë që do të ndodhë me sulmuesin.
Ata mund të minimizojnë atë që është bërë, apo edhe të mohojnë se ka ndodhur diçka. Janë të aftë në shtrembërimin e situatës, ndaj mund të fajësojnë lehtësisht rrethanat ose personin e ekspozuar për veprat që kanë bërë. Janë në gjendje ta rrisin presionin (kërcënimet dhe frikësimet) në mënyrë që ta parandalojnë viktimën të kërkojë ndihmë. Kur e vlerësojnë të dobishme, ata mund të kërkojnë falje, të shprehin keqardhje ose të premtojnë se nuk do të përsërisin një sjellje të tillë, madje të jenë të sjellshëm në mënyrë të theksuar ose të japin dhurata (zakonisht nëse mund të shmangin denoncimin dhe sanksionimin). Personi që mbijetoi një sulm ka të drejtë të vendosë se çfarë është në interesin e tij më të mirë, dmth çfarë lloj marrëdhënieje (dhe nëse fare) dëshiron me autorin. Kjo mund të varet nga situata specifike, nga karakteristikat e veprës së kryer, nga pasojat, si dhe nga sjellja e autorit.

Journalift: Çfarë teknikash vetëndihme mund të përdorim për të dalë nga situata stresuese? Çfarë bëjmë për të ulur nivelin e stresit menjëherë pas sulmit dhe çfarë më vonë kur gjërat qetësohen pak?

AZHC: Kur ndodh një sulm, përparësia është që personi mbështetës ose e mbijetuara vetë, nëse është e mundur, të gjejë një vend të sigurt, ose të largohet nga vendi i ngjarjes.
Para së gjithash, është e rëndësishme të ndani informacionin për sulmin me personin ose personat që mund të japin mbështetje. Përfaqësuesit e institucioneve sigurisht që mund dhe duhet ta bëjnë këtë, por në situatat kur nuk është e mundur të kryhet, është e rëndësishme që përvoja e stresit të mbijetuar të ndahet me një person të beszeshëm.

Të folurit për një ngjarje traumatike të mbijetuar ka disa funksione: ventilim – shkarkimi i emocioneve negative, frikës, trishtimit dhe pafuqisë; vlefshmëria – trauma është më e lehtë për t’u duruar kur dikush tjetër pranon se ajo që i ka ndodhur është dhunë, kupton dhe konfirmon se është një përvojë e vështirë; informimi i njerëzve të tjerë për dhunën e mbijetuar ndihmon në marrjen e veprimeve konkrete që do të parandalojnë dhunën e mëtejshme nga sulmuesit.

Një teknikë që një grua mund ta zbatojë vetë menjëherë pas sulmit, nëse ndihet e vërshuar nga ndjenjat e ankthit dhe ka nevojë të rikuperohet dhe të kthehet në realitet, është e ashtuquajtura teknika e “tokëzimit” (grounding). Ajo duhet të përqendrohet në mjedisin e saj dhe atë që e percepton në të, këtu dhe tani. Duhet të bëjë 5 gjëra: të gjejë dhe të shikojë pesë objekte në mjedisin e saj për disa sekonda, të prekë katër gjëra dhe të ndjejë strukturën e tyre, të dëgjojë në mënyrë të përqendruar tre tinguj në sfond (së pari më të zhurmshmit, pastaj më të qetë), të nuhasë dy gjëra dhe të shijojë një.

 Kjo teknikë është e dobishme kur pasojat traumatike, sulmet e panikut ose mbrojtjet disociuese kundër traumës (ndarja e ndjenjave) janë të pranishme.

Disa teknika të vetë-ndihmës mund të shihen si spontane: një gruaje do t’i duhet të flasë me dikë, të qajë, të strehohet në një vend të sigurt. Megjithatë, kjo zakonisht nuk mjafton për të neutralizuar reaksionin stresues, ndaj është e nevojshme, nëse është e mundur, të aplikohen disa teknika relaksimi, të cilat sigurisht do të kontribuojnë në çlirimin e tensionit.

Megjithatë, kur kalon gjendja e reagimit të menjëhershëm ndaj stresit, organizmi fillon të relaksohet, por nuk është në gjendje të çlirojë tensionin, pritet të ndodhin disa reagime emocionale dhe fizike. Ka një sërë teknikash relaksimi të provuara dhe të testuara që mund të praktikohen me iniciativën tuaj, por është e rëndësishme t’i kushtoni vëmendje efektit që ato prodhojnë – nëse ka ndonjë shqetësim, është më mirë ta ndaloni ushtrimin.    

 Një metodë e njohur qetësimi është frymëmarrje – duhet të merrni frymë nga barku, jo në mënyrë të cekët, çdo frymëmarrje duhet të zgjasë 4-5 sekonda, si dhe çdo  frymënxjerrje. Kjo duhet të përsëritet 4-5 herë, me sy të mbyllur, nëse grua e ka më të lehtë. Krahas ushtrimeve të frymëmarrjes, mund të përdoren  edhe duart, duke i fërkuar pëllëmbët, të cilat kështu të ngrohura vendosen në bark (në mënyrë që të ndjekin frymë-nxjerrjen). 

Nëse ekziston ndonjë problem me gjumin, relaksimi i muskujve para gjumit, në pozicion të shtrirë, mund të ndikojë mbi të. Për këtë ushtrim, është e nevojshme të lini mënjanë pak kohë, e cila është e nevojshme për të arritur një shkallë më të lartë qetësie. Niset nga muskujt e këmbëve (shputëve), më pas ngjitet më lartë, pastaj bartet në krahë dhe në fund në muskujt e qafës dhe fytyrës. Në fillim, muskujt shtërgohen sa më shumë dhe sa më fort të jetë e mundur, dhe më pas relaksohen. Kështu veprohet me të gjitha grupet e muskujve dhe pas apo gjatë ushtrimit gruaja mund të jetë në imagjinatën në një hapësirë që ajo e do dhe e percepton si qetësuese (mundësisht një vend në natyrë – pyll, breg deti, ujë…).

Disa gjendje nuk tolerojnë ushtrime meditative apo statike, nëse ankthi kthehet apo përforcohet, ndaj duhet diçka më dinamike. Kështu mund të bëhet edhe tundja e trupit: Duhet të qendroni drejtë, por me qetësi, me këmbë pak të ndara, dhe më pas shkundni duart, mjaftë e fortë, por jo aq, sa të jetë e pakëndshme. Vijojnë këmbët, pastaj i gjithë trupi. Kjo e çliron trupin nga tensioni i tepërt, të paktën për një kohë. Gjithashtu, tendosja afatshkurtër fizike por intensiv, mund të jetë e dobishme (vrapimi lart e poshtë shkallëve, kërcimi) për të ulur niveli i ankthit.

Këto teknika mund të jenë të dobishme në situata kur llojet e tjera të ndihmës nuk janë të disponueshme dhe mund të praktikohen pa rrezikun e dëmtimit, me kusht që reagimi i trupit të dëgjohet dhe ushtrimi të ndalet me çdo aluzion që ajo që po bëhet nuk është e këndshme. Megjithatë, tejkalimi i traumës zakonisht kërkon mbështetje terapeutike, të përqendruar në bisedë, përpunimin mendor të përvojës traumatike dhe integrimin e saj me pjesën tjetër të përvojës, që është një proces.

Journalift: Si të dimë se është koha për të kërkuar ndihmë profesionale?

AZHC: Ndonjëherë ankthi vazhdon edhe pas përpjekjes së kapërcyerjes së saj në çfarëdo mënyre. Nëse një person ndihet i vërshuar me ankth, trishtim ose fillon përjetimin e ndjenjave dëshpëruese, ai duhet patjetër ta kërkojë ndihmën profesionale. I njëjti rekomandim është edhe për disa ndjenja më pak intensive, por që zgjasin aq gjatë sa një person të fillojë të ndryshojë zakonet dhe rutinat e tij të jetës në mënyrë që ai të funksionojë në një nivel më të keq. Nuk ekziston një kohë e përcaktuarqë qartë e cila mund të jetë tregues se kur duhet t’i drejtohet një eksperti – mjafton që një person të vërejë se diçka ka ndryshuar në funksionimin e mëparshëm: në punë, në familje, në marrëdhëniet me miqtë ose partnerin.  Treguesit janë edhe ndryshime në shprehitë e higjienës personale, higjienës së shtëpisë, ndryshimet në dietë, ritmin e gjumit, partneritetet dhe marrëdhëniet seksuale.Mund të ndodhë që një person të bëhet më pak produktiv ose jofunksional në kryerjen e punës, të cilën e ka bërë në mënyrë funkcionale deri në ngjarjen e incidentit, përveç kësaj, ai mund të ndihet i lodhur dhe i rraskapitur, dhe mund të ketë rezistencë ndaj gjërave që deri atëherë ishin interesante dhe tërheqëse për të.

Ndonjëherë njerëzit që kanë pasur pasoja traumatike nuk vërejnë ndryshime në sjelljen e tyre, por njerëzit nga mjedisi që e njohin mirë personin ose e shohin atë çdo ditë e bëjnë këtëGjithsesi, në këto situata është e rëndësishme të kërkohet mbështetja profesionale për tejkalimin e traumës, sepse përvoja traumatike, pavarësisht potencialit të saj për të degraduar cilësinë e jetës, i nënshtrohet ndryshimit. Sigurisht, është gjithmonë më mirë të filloni me zgjidhjen e krizës që trauma shkakton, sa më herët, por gjithashtu është mirë të punoni me vetën tuaj, edhe nëse ka kaluar pak kohë nga ngjarja.  


Journalift: A ka ndonjë mënyrë për të vendosur apo mbajtur një balancë, pra për të rritur potencialet tona mbrojtëse, në mënyrë që ekspozimi i shpeshtë ndaj ngacmimeve të mos na ndikonte aq shumë? A mund të jetë kjo një formë parandalimi?

AZHC: Sado përvojë që keni me ngacmim dhe me zhvillimin e strategjisë së ballafaqimit me të,  përsëri pritet të skajtojë një sasi të caktuar stresi. Megjithatë, kapacitetet tona mund të rriten dhe të ndikojnë që të rezistojmë më lehtë, dhe pasojat që i kemi do të jenë më pak të rënda.
Ashtu si organik, edhe “imuniteti” psikologjik ndërtohet me kalimin e kohës dhe ndikohet nga një numër i madh faktorësh, por nuk është statik dhe mund të zhvillohet. 

Gjëja e parë e rëndësishme është të sigurojmë kushte në të cilat trupi ynë nuk do të vuajë – sepse sa më i lodhur dhe i rraskapitur të jetë trupi, aq më i ulët do të jetë pragu i tolerancës për çdo lloj stresi. Gjumi dhe pushimi i mjaftueshëm, kushtimi i kohës së lirë për aktivitetet dhe njerëzit që i duam, praktikimi i hobive, aktiviteti fizik – janë parakushte për një pjesë të një baze të fortë për rezistencën psikologjike. 

Mësimi i aftësive të reja mund të ndihmojë në rritjen e vetëbesimit dhe forcimin e autonomisë së personalitetit. Një prej tyre është teknika e komunikimit pohues, e cila pasuron grupin e aftësive të komunikimit. Duke zhvilluar komunikimin pohues, një person i jep vetes leje të thotë nëse diçka e shqetëson, ta drejtojë atë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek një person që sillet në mënyrë agresive. Sjellja e sigurtë është e lidhur ngushtë me të drejtën për kufijtë e veta, të cilët njerëzit agresivë tentojnë t’i kalojnë. Nga ana tjetër, njerëzit në një pozicion pasiv janë të prirur të mos i mbajnë kufijtë mjaft të fortë por të mbajnë veten në situata ku nuk ndihen mirë, sepse nuk kanë rehat ta shprehin atë me zë të lartë Sjellja e sigurtë është një karakteristikë që është në balancë midis tërheqjes dhe sulmit, por nuk është e lindur ose e pandryshueshëm: ajo mësohet dhe përmirësohet me kalimin e kohës. Në këtë kuptim, nëse mbijetoni përvojë të një sulmi, do të ishte mirë ta njihni dhe ta cilësoni atë si sjellje agresive, të mbani kufijtë sa më të fortë dhe të shmangni hyrjen në një pozicion pasiv, në të cilin do të rishqyrtoni veten ose kërkoni fajin në vetën tuaj.

 Një strategji e mirë për ngritjen e kapaciteteve në situata që mund të përfshijnë sjellje të dhunshme është lidhja dhe rrjetëzimi me organizatat dhe, nëse është e mundur, me institucionet që merren me aspektet dhe mundësitë ligjore (të grave) në situata të dhunës. Njohja e procedurave ligjore, si dhe adresave ku (gratë) mund të drejtohen, gjithmonë fuqizon sepse kjo do të thotë se ajo nuk është e pafuqishme, se nuk është e vetmja së cilës i ndodh kjo, se këto situata janë të njohura për profesionistët, kështu që ka mundësi të ndryshme që mund të përdoren nëse është e nevojshme për të mbrojtur veten nga ngacmuesit.

Journalift: Ngacmimi në internet është bërë shumë i zakonshëm. Mbi 73% e gazetareve në botë e kanë përjetuar atë, sipas një sondazhi të UNESCO-s. Disa nga gazetaret kanë përshkruar sesi ngacmimi online ka ndikuar në jetën dhe punën e tyre me fjalinë e mëposhtme: “Ndihesha sikur dikush më kishte goditur në stomak”.Cili është reagimi i zakonshëm ndaj ngacmimeve në internet? Çfarë ndjenjash dhe çfarë pasojash një person mund të presë të zhvillojë  nëse gjendet në një situatë të tillë?

AZHC: Mund të thuhet se natyra dhe shkaqet e ngacmimeve dhe dhunës në internet nuk janë të ndryshme nga dhuna jashtë internetit, por dallohen “mjetet” , dukshmëria e një dhune të tillë (ajo përhapet më shpejt, provat mund të jenë më të fshehura) si dhe ligjet që i rregullojnë hapësirat në internet. hapësirat. Disa karakteristika të hapësirave online mund të ndikojnë në këtë lloj ngacmimi dhe dhune. Anonimiteti mund ta përforcojë një dhunë të tillë, për shkak të mungesës së ndjenjës së përgjegjësisë ose besimit se dikush nuk duhet të ndjekë rregullat që zbatohen në botën reale. Fotografitë, komentet dhe të dhënat fyese, të dhunshme ose eksplicite të publikuara në internet mund të përhapen shpejt dhe te një numër i madh njerëzish, pa asnjë gjurmë, duke e bërë viktimën të pambrojtur dhe pa kontroll mbi privatësinë e tyre.

Edhe pse opsionet për raportimin e ngacmimeve apo postimeve të dhunshme në rrjetet sociale po përmirësohen, ende nuk ka përpjekje të mjaftueshme për përfundimin e proceseve të nisura dhe për mbrojtjen e viktimave përmes politikave të rrjeteve sociale. Interneti nuk harron – fotografitë e publikuara, të dhënat dhe rezultatet e kërkimit mbeten të disponueshme në mënyra të ndryshme, gjë që e bën ngacmimin dhe dhunën të jenë të përhershme, pra e bën që viktima të jetë e përndjekur.

Ngacmimi dhe dhuna online janë njësoj të dëmshme dhe me pasoja po aq të rënda për jetën e viktimës, si çdo ngacmim dhe dhunë tjetër në realitetin fizik. Pasojat psikologjike (të vlerësuara si më të rëndat) mund të përfshijnë tension, nervozizëm, ankth/frikë, reagime depresive, humbje të vetëbesimit/bësimit në njerëz të tjerë, pasiguri, konfuzion, faj, dëshpërim, pafuqi, zemërim, tërbim, agresion, humbje të përqendrimit dhe gatishmërisë për të punuar, e cila mund të çojë në vështirësi fizike dhe fiziologjike, si lodhje, të përzierit, pagjumësi, dhimbje koke, humbje oreksi,  tretje të keq.

Për shkak të këtyre karakteristikave, ngacmimi dhe dhuna në internet mund të “përhapen” lehtësisht në jetën reale dhe të kenë pasoja të paparashikueshme në jetën sociale dhe profesionale të personit të ekspozuar ndaj tij. Kjo shpesh shprehet me tërheqjen nga interneti dhe hapësirat publike, shmangien, (vetë)përjashtimin, margjinalizimin, por edhe nëpërmjet dorëheqjes, humbjes së një pune dhe ndikimit negativ në karrierë.

Journalift: Këshillat e zakonshme janë – mos u përgjigj, mos diskuto me sulmuesin, mos reagon, mos u grind. Por ndjenja e padrejtësisë dhe nevoja për ta mbrojtur veten dhe për të shpjeguar se ata e kanë gabim është gjithmonë e pranishme. A ekziston një reagim korrekt në një situatë të tillë? Si të përballohemi me sasinë e madhe të stresit që sjell ndonjë situatë e tillë?

AZHC: Është e kuptueshme që situata e sulmit kërcënon ndjenjën e vetërespektit dhe dinjitetit dhe shaqet nevoja për t’iu përgjigjur sulmit. Nga njëra anë, fakti që dhunuesi e përdor dhunën për të frikësuar, për të poshtëruar dhe për të demonstruar forcë dhe se nuk do të “ndryshohet” çfarëdo që t’i themi, mbështet këshillën për të mos reaguar ndaj provokimeve, ngacmimeve apo sulmeve të tjera. Është veçanërisht e rëndësishme të përmendet se në një situatë të përnjekjes, dmth. në situata të ngacmimeve të vazhdueshme që mund të përfshijnë kërcënime,gjëja më e mirë është  të ndërpritet çdo kontakt me autorin.

Megjithatë, nuk janë të gjitha situatat të njëjta dhe ndoshta një grua, në një situatë që nuk e vlerëson si të rrezikshme, do të ketë nevojë t’i përgjigjet sulmit. Nëse vlerësoni se diçka e tillë nevojitet për të ndaluar ngacmimet e mëtejshme, do të ishte mirë të përdornit teknikat e përmendura më parë, edhe pse kjo nuk garanton rezultatin e dëshiruar.

Çdo dhunë, qoftë e përjetuar nga një person i afërt apo një person i huaj, do të provokojë një sasi të caktuar zemërimi dhe pakënaqësie, por nëse reagimi nuk sjell kënaqësi psikologjike por çon në rrezik të mëtejshëm, atëherë nuk është konstruktive t’i “kthehet favori” sulmuesit(duhet pasur parasysh se teknikat e dhunshme janë ’specialiteti i tij’, ai është më i mirë në atë fushë).Kompensimi për ndjenjat e padrejtësisë në atë rast nuk duhet të kanalizohet përmes konfliktit të mëtejshëm, por duhet t’i drejtohet sistemeve mbështetëse të përmendura tashmë në situata të dhunës së mbijetuar.  Duhet të kërkohet mbështetje dhe ndihmë për të ndaluar ngacmimet dhe sjelljet e dhunshme dhe për të parandaluar përsëritjen e sjelljeve të tilla – sepse secili ka të drejtën e sigurisë dhe mbrojtjes së mirëqenies së tij.