Politikat e përgjegjshme gjinore dhe mediat rinore

Lexim  minutësh

Përfaqësimi i femrave në përmbajtjet mediatike, sipas hulumtimeve në të gjitha vendet e rajonit, është dukshëm më i ulët në raport me meshkujt, dhe kjo vërehet veçanërisht në përqindjen e ekspertëve të cituar, bashkëbiseduesve apo komentuesve të pranishëm për tema të ndryshme, siç tregohet nga një përmbledhje e literaturës “Gjinia dhe media“, botuar me mbështetjen e British Council, BIRN dhe Fondacionit Thomson.

Kjo ndodh veçanërisht në rastet kur bëhet fjalë për lajme dhe tema “serioze”, përfshirë politikën dhe ekonominë.

Në praktikë, gratë në shumicën e rasteve portretizohen ose në role tradicionale dhe familjare si nëna ose bashkëshorte, ose si qenie të seksualizuara dhe të objektivizuara, gjë që është veçanërisht e vërtetë me gratë e pranishme në publik.

Megjithatë, edhe kur gratë përfshihen si eksperte, emrat e përdorur zakonisht nuk janë të ndjeshëm ndaj gjinisë, gjë që kontribuon në fshirjen e tyre nga gjuha, dhe sipas gjuhëtares dhe autores feministe Svenka Saviq, rregulla të tilla çojnë në atë që gratë të mbeten të padukshme në sferën sociale dhe politike, gjë që në fund vetëm e përcakton konceptin patriarkal të gruas në shoqëri.

“Nuk na duhet të hyjmë në shumë detaje në hulumtimin e përmbajtjes mediatike për të parë një dominim të theksuar të gjinisë gramatikore mashkullore, veçanërisht në përmendjen e profesioneve dhe titujve, pavarësisht se struktura gramatikore e gjuhës sonë e ka edhe gjininë femërore,” shpjegon Selma Zuliq Shilak nga Mediacentar.

Në periudhën ndërmjet shtatorit dhe dhjetorit të vitit 2021, katërmbëdhjetë media rinore nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor punuan me mbështetjen e mentorimit të synuar për të zhvilluar praktikat editoriale dhe për të përmirësuar prodhimin në fusha të ndryshme, duke përfshirë ndër të tjera edhe nfushën e zbatimit të politikave të përgjegjshme gjinore brenda redaksive të tyre, si dhe në zhvillimin e përmbajtjes mediatike që paraqet problemet dhe pengesat për arritjen e barazisë gjinore në Ballkanin Perëndimor. Ky program edukativ për mediat rinore u zbatua në kuadër të komponentit Youth Strand të projektit Media for all, të zbatuar nga British Council, BIRN dhe Fondacioni Thomson, me mbështetjen koordinuese të Mediacentar Sarajevë.

Integrimi i mentorimit në fushën e politikave të përgjegjshme gjinore në redaksitë e mediave është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Siç tregon edhe raporti Global Media Monitoring, me praninë e një tendence globale të degradimit të pozitës së gruas në profesionin e medias, shkallës së ulët të përfaqësimit të grave në strukturat e menaxhimit të medias, dhe sigurisht me hendekun gjinor të pagave (anglisht: gender pay gap), që shprehet në industrinë e mediave në kurriz të grave, media ka shumë më tepër për të përmirësuar drejt një mjedisi më të mirë dhe më të drejtë të punës.

Për sa i përket tendencave globale, nëntë media rinore, të cilat u fokusuan veçanërisht në politikat gjinore, treguan një pamje paksa më ndryshe të punës së mediave që mbledhin të rinjtë rreth tyre dhe shkruajnë për të rinjtë. Gjegjësisht, mediat rinore e njohin problemin e pabarazisë gjinore në media dhe janë të vetëdijshme për rëndësinë e ndryshimit të kësaj praktike, siç u theksua gjatë prezantimit të tyre në evenimentin dhe panelin rajonal Youth Strand “Praktikat e ndjeshme gjinore dhe mediat rinore”, të mbajtur më 16 dhjetor 2021. 

Redaksitë e përfshira në program punuan në disa politika të rëndësishme që janë karakteristike për punën e mediave rinore. Për shembull, ata zhvilluan Udhëzime për bashkëpunëtorët dhe bashkëpunëtoret, vullnetarët dhe vullnetaret mbi përdorimin e gjuhës së ndjeshme gjinore, pastaj udhëzime për parandalimin e ngacmimit seksual në punë dhe në mjedisin e punës, si dhe zhvilluan misionet dhe vizionet e tyre në një mënyrë që tregon rëndësinë e barazisë gjinore në media.

“Udhëzime për përdorimin e gjuhës së ndjeshme gjinore” është një dokument i destinuar për gazetarët dhe gazetaret brenda redaksisë, si dhe bashkëpunëtorët e bashkëpunëtoret, vullnetarët e vullnetaret, puna dhe angazhimi i të cilëve është tipik për redaksitë e mediave rinore.

“Në thelb, ky dokument duhet të jetë pjesë e politikave editoriale, në mënyrë që termat që tregojnë emrat e pozitave, profesioneve, zejeve, titujve, titujve dhe vendpunimeve të grave, të renditen në gjininë gramatikore femërore,” shpjegon Selma Zuliq Shilak. 

Milena Vujoviq, e cila prezantoi punën e portalit Mingl, i cili funksionon në kuadër të Shkollës së Hapur të Beogradit, thotë se Serbia është ende një shoqëri larg barazisë gjinore, por portalet rinore si Mingl e njohin rëndësinë e këtij problemi dhe në kuadër të fushës së tyre të punës raportojnë për këtë problem në Serbi.

Gazetarja e portalit Mingle, së bashku me mentoren për krijimin e përmbajtjeve të ndjeshme gjinore ose të përmbajtjeve për çështje të barazisë gjinore, krijoi tekstin dhe videon “Pse kam të drejtë të prekem nga praktikat e (pa)dukshme të mosrespektimit të grave?” Sipas Vujoviqit, Shkolla e Hapur e Beogradit, si organizatë ombrellë e portalit Mingle, ka pasur një politikë për barazi gjinore edhe në periudhën para këtij projekti, por në kuadër të këtij mentorimi, pjesë të saj janë sqaruar dhe shtjelluar më tej dhe kështu zbatimi do të bëhet më i qartë.

Një nga mediat me frekuencë kombëtare në Serbi, O radio (Radioja rinore) nga Novi Sadi, përpiqet të zhvillojë barazinë gjinore.

“Tashmë të gjithë e kemi parasysh ndjeshmërinë gjinore në gjuhë. Por ne nuk kemi dokumente për këtë, nuk kemi zhvilluar politika specifike. Fatkeqësisht, në Serbi nuk ka mjaft media që flasin për këto tema,” tha Jelena Bozhiq, gazetare në O radio.

Të rinjtë e Shkollës së Gazetarisë në Novi Sad po bëjnë hapat e tyre të parë gazetaresk në O radio.

“Ne jemi krenarë që mund të përdorim një gjuhë të ndjeshme gjinore në storiet tona, ne i mësojmë të rinjtë se si ta përdorin atë. Të gjithë e dëshirojmë këtë, por ndonjëherë nuk dimë si ta zbatojmë në praktikë, kështu që shfletojmë libra dhe burime në dispozicion për të mësuar se si të përdorim gjuhën e barazisë gjinore në praktikë,” thotë Bozhiq.

Edona Shala, gazetare e KosovaLive, thotë se kolegët e saj i kanë sugjeruar redaktorëve që bashkërisht të hartojnë një dokument për barazinë gjinore dhe përdorimin e gjuhës së ndjeshme gjinore në storiet e tyre.

“Ne gjithmonë jemi kujdesur për këtë, por tani kemi një dokument udhëzues konkret. Aktualisht jemi në fazën e finalizimit të dokumentit dhe pas kësaj do të fillojmë ta përdorim atë. Besoj se kjo është një mënyrë e mirë për të promovuar barazinë gjinore dhe se nga kjo do të përfitojnë të gjithë,” thotë Shala.

Brezat e rinj të gazetarëve janë më të vetëdijshëm për përdorimin e gjuhës së ndjeshme ndaj gjinisë. Një shembull është Zoomer.rs, një portal interneti për të rinjtë, i krijuar brenda komunitetit E8, me qëllim që të ndikojë në përhapjen e shkrim-leximit dhe kulturës mediatike.

Redaktori ekzekutiv i portalit, Nemanja Marinoviq, thotë se i kanë zhvilluar dokumentet ekzistuese për barazinë gjinore dhe se tani kanë dokumente, të cilat janë një nga platformat e punës së tyre.

“Ne kemi zhvilluar përdorimin e gjuhës së ndjeshme gjinore, po mundohemi që një gjuhë të tillë ta zbatojmë në audio dhe video formate, tekste, por sikur të mos kishim dokumente, atëherë të rinjtë që vijnë as nuk kanë mundësi të mendojnë për këtë gjë. Ata thonë se 'teksti i tyre nuk tingëllon mirë'. Ne u themi të shkruajnë duke e respektuar atë dhe se ai prapë do të jetë një tekst i mirë,” shpjegon Marinoviq.

Milena Vujoviq nga portali Mingle thotë se mënyra më e lehtë është të punohet në futjen e gjuhës së ndjeshme gjinore në media dhe se kjo është më e pakta që mund ta bëjnë të gjithë.

“Gjuhët tona e njohin gjuhën gjinore nga ana gjuhësore dhe gramatikore. Ne kemi krijuar politika gjinore në të cilat duhet të punohet, veçanërisht në çështjen e dhunës, diskriminimit dhe tolerancës, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut," tha Vujovic.

Megjithatë, Vujovic thekson se ende ekziston një praktikë në Ballkan ku gazetarët dhe gazetaret, redaktorët dhe redaktoret e mediave, nuk i zbatojnë standardet ndërkombëtare dhe kombëtare të barazisë gjinore, edhe përkundër kornizës legjislative që i përcakton ato.

Në vendet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht nga futja e ndonjë dokumenti gjinor në media, aplikimi i tyre shpesh nuk është i detyrueshëm, ndaj ndonjëherë luftohet me mullinjtë e erës. 

Qysh në vitin 2011, manuali “Mënyrat për të kapërcyer diskriminimin në gjuhë në arsim, media dhe dokumente ligjore” u prezantua në Bosnje dhe Hercegovinë nga Jasmina Çausheviq dhe Sandra Zlotrg.

Manuali është rezultat i gjashtë muajve të punës në projektin Gjuha e ndjeshme gjinore në arsim, media dhe dokumente ligjore, i financuar nga Mekanizmi Financiar për Zbatimin e Planit të Veprimit Gjinor në Bosnje dhe Hercegovinë.

Korniza ligjore e doracakut është Ligji për Barazinë Gjinore i BeH (2003) dhe Ligji për Ndalimin e Diskriminimit të BeH (2009). Këto akte normative mbështeten në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Ligji i BeH për Barazinë Gjinore përshkruan gjithashtu përdorimin e gjuhës së ndjeshme ndaj gjinisë dhe përcakton përdorimin e një gjinie gramatikore si 'diskriminim gjuhësor'. Është e nevojshme, thjesht, të mos dorëzohemi dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi për të vënë në dukje se pse është e rëndësishme, veçanërisht në punën me media,” thotë Selma Zuliq.

Karine Henrotte Forsberg, ish-kryetare e Grupit të Barazisë Gjinore të Këshillit të Evropës, theksoi se në Ballkanin Perëndimor është ende e pranishme praktika që gratë të largohen nga kompanitë, të heqin dorë nga karriera me kohë të plotë kur nevojat e familjes e kërkojnë atë.

“Kjo bën që gratë të vazhdojnë të jenë shumica në mesin e të papunëve dhe me pagë të ulët,” tha Henrotte Forsberg. Ajo mendon se mediat janë një mjet kyç, sepse ato mund të ndikojnë në programet politike dhe t'i formësojnë ato. “Mediat mund të ndikojnë në formësimin e opinionit publik dhe në opinionet e vendimmarrësve, si dhe mund të japin një kontribut të rëndësishëm si mjet ndërgjegjësimi. “Po ashtu, është i rëndësishëm ndikimi që kanë mediat në ndërtimin dhe ruajtjen e vlerave dhe normave,” thekson ajo.

Në fund të fundit, Selma Zuliq Shilak thekson rëndësinë e punës me redaktorët e mediave dhe zbatimin e politikave në praktikë, e projektet e tilla si Youth Strand tregojnë se ndryshimet janë të mundura.

“Hapi i radhës do të ishte zbatimi i politikës dhe lënia e saj në jetë, sepse gjuha në përdorim është ‘e gjallë’ dhe duhet shfrytëzuar potencialin e saj të plotë. Në këtë kontekst, natyrisht, redaktorët dhe redaktoret e luajnë rolin e tyre në njohjen e rëndësisë së përdorimit të gjuhës me ndjeshmëri gjinore, por përveç kësaj, redaktorët dhe redaktoret duhet të pranojnë se gjuha e ndjeshme gjinore është vetëm një aspekt i barazisë gjinore dhe se shumë më tepër vëmendje duhet kushtuar heqjes së stereotipeve të dëmshme gjinore nga përmbajtja e medias," tha Zuliq. 

Selma Boraçiq-Mrsho, ka diplomuar në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë në vitin 2008 dhe që atëherë merret me gazetari profesionalisht në Radio Evropa e Lirë deri në vitin 2021. Punoi si redaktore e emisioneve televizive dhe atyre të radios, dhe shkruante çdo ditë për portale – lajme, histori, intervista dhe analiza. Momentalisht është gazetare e pavarur, që merret me tema që shqetësojnë shumicën e njerëzve në BiH.

Lexo artikujt:

Historitë më të mira nga Journalift:

Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e 15-të, ose radioja, TV-ja dhe madje edhe interneti në shekullin e 20-të. Është një teknologji që do të riformësojë përgjithmonë shoqërinë. Për shumë prej nesh, AI nënkupton gjithçka që kemi mësuar nga filma të shumtë distopikë (2001 A Space

Tema:

Artikujt më të fundit:

Menaxhimi i premtimeve dhe rreziqeve të AI: Çfarë duhet të dijë çdo profesionist i medias rreth ChatGPT
Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e
Zbuloni trukun: Si të flisni me zhvilluesit e uebit për (ri)dizajnimin e ueb faqes suaj mediatike
Puna mbi një ueb faqe për biznesin tuaj mund të jetë një proces në të njëjtën kohë emocionues dhe i
Si do ta ndryshojë ChatGPT gazetarinë dhe mediat?
Kërkova nga ChatGPT të shkruante këtë artikull për mua. Sigurisht që e bëra këtë. Bëra dhe riformulova pyetje për të