Përtej mbylljes. ‘Shenja e pandemisë’ në rininë e Ballkanit

Lexim  minutësh

Sipas Organizatës Botërore të Punës, Covid-19 nuk ndikoi në mënyrë proporcionale tek të rinjtë e Ballkanit, duke shkaktuar probleme të papunësisë, arsimit jo cilësor dhe shëndetit mendor që mund të zgjasin edhe përtej pandemisë. Kjo është shqetësuese duke qenë se edhe para pandemisë të rinjtë në Ballkanin Perëndimor po përballeshin me sfida të konsiderueshme lidhur me punësimin dhe përfshirjen sociale. Por a është shumë vonë për ta shmangur ‘shenjën e pandemisë’ te rinia jonë? Cilat janë zgjidhjet për një rikuperim përfshirës të rinisë? 

Një ditë pas Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, festë publike që festohet çdo vit, nata e 29 nëntorit 2020 ishte një natë e frikshme për banorët e Librazhdit, një qytet i vogël në Shqipëri. Një i ri u hodh nga kati i 5-të i një ndërtese, në përpjekje për t’i dhënë fund jetës së tij. Zhurma e tmerrshme dhe ulërimat e tij shokuan fqinjët përreth. I riu u dërgua me urgjencë në spitalin e vendit; për shkak të plagëve të shumta ai u detyrua të bartej në spitalin e traumës në Tiranë. 24 vjeçari me inicialet J.S., ra mbi një shkurre dekorative para ndërtesës së tij, e cila i shpëtoi jetën, por e la të paralizuar. Kjo nuk kishte ndodhur më parë në qytetin e Librazhdit. Fqinjët u mblodhën menjëherë duke shprehur habi se pse ai do ta bënte një gjë të tillë. Lushka, një grua në moshë të mesme nga Librazhdi, bërtiste se pse e bëri ai këtë. Ajo tha se nuk ka asnjë arsye që një djalë t’i japë fund jetës së tij.

Ndonëse në çdo media lokale dhe media kombëtare rasti u raportua si tentim vetëvrasjeje, policia e cilësoi zyrtarisht rastin si aksident. Kishte dy versione të ndryshme të stories. Folëm me familjen e tij. Babi i tij nuk ndihej shumë rehat për shkak të raportit të policisë. Ai ndihej keq në atë kohë dhe e raportoi rastin si një incident për shkak të presionit kulturor dhe atij të opinionit publik.

Sikur të mos ishte e mjaftueshme varfëria, tani heshtja dhe pikëllimi kanë pllakosur familjen. Televizioni ishte i shkyçur sepse familja s'mund t’i duronte zhurmat.

E gjetëm të riun e paralizuar të shtrirë në shtratin e tij ortopedik, pa mundur të flasë shumë. Ende kishte shumë dhimbje. Sapo e pa që dikush kishte ardhur për ta intervistuar, shpërtheu në lot. ‘Të paktën jam gjallë’ - tha ai. E pyetëm si ishte dhe çfarë kishte ndodhur atë natë.

”Nuk po ndihesha MIRË kur e bëra këtë. Kisha problemet dhe krizat e mia personale. Nuk mund t’u hapesha të tjerëve se do të më quanin të çmendur. Isha keq në aspektin mendor dhe i ngarkuar me energji negative. Jam armiku i vetes sime. Pasi e bëra, të gjithë u përpoqën të më dëgjonin, por tani është shumë vonë,” - përfundoi bisedën i riu.

E respektuam privatësinë e familjes. Ai nuk ndihej mirë ta vazhdonte bisedën kështu që ndërhyri babai i tij.

Dua që rasti i djalit tim të jetë një mesazh për të ngritur vetëdijen dhe për të bashkëndjerë dhimbjen e të tjerëve. Është kjo që na bën njerëz. Ne gabuam shumë, këtë ma bëri me dije djali tjetër. Nuk duhet ta kishim raportuar situatën si një aksident. Nuk na vjen më turp të themi se djali ynë ishte i sëmurë në aspektin mendor si pasojë e karantinës. U nda me të dashurën, ra në provimet në universitet dhe rrinte ulur 24 orë me sytë ngulur në mur; ishte një moment dobësie për të. Ndihem keq si baba. Duhet t’i kisha qëndruar më pranë dhe t’i kisha kushtuar vëmendje qëndrimit të tij të çuditshëm. Duhet të kisha bërë punë më të mirë duke i treguar se është në rregull edhe nëse dështon. Pendohem për gabimin tim. Edhe ne si prindër mësuam nga gabimet tona.

Kësaj familjeve të shkretë iu desh të tejkalonte paragjykimet dhe diskutimet e njerëzve pas ndodhisë. I mbijetuari nuk mund të dalë jashtë sepse ka humbur të dy këmbët. Shtylla kurrizore i është thyer, duke e lënë të paaftë për tërë jetën. Sikur kjo të mos mjaftonte, prindërve të tij iu desh të merreshin me kureshtjen dhe pyetjet e pahijshme nga komuniteti dhe lagjja. E gjitha që Nazmiu, babai i të riut, ka për t’u thënë atyre është që të mos bëjnë thashetheme për tragjedinë e tij, por të kujdesen për fëmijët e tyre dhe t’u rrinë afër.

Arjana Novaku, e papunë, burri i së cilës është me aftësi të kufizuara, flet për situatën e rënduar që pandemia ka sjellë për të.

"Pandemia ka qenë shumë e vështirë për familjen time dhe për mua si grua, e vetme, e papunë. Ka qenë shumë stresues përballimi i krizës ekonomike dhe kjo ma ka rënduar situatën sepse mua më duhet të kujdesem po ashtu edhe për një person me aftësi të kufizuara.

Nuk mund ta bëja, sepse edhe vetë kam sëmundje kronike. Ky stres ka ndikuar edhe te fëmijët e mi të vegjël. S’mund t’ju përmbush nevojat e tyre.

Jam unë mbajtësja e familjes. Kam bërë shumë kërkesa për ndihmë, kam marrë vetëm fjalë të thata, asnjë mbështetje. Jam lodhur duke ardhur rrotull në institucionet vendore, me shpresën se do të gjej një zgjidhje, por ka qenë e pamundur" - përfundon Arjana.

Një nga vajzat e saj tentoi vetëvrasjen gjatë COVID-19. Kishte mendime për vetëvrasje dhe tha se nuk ishte e lumtur në këtë jetë.

Shokët e klasës vazhdimisht e bullizonin për peshën e saj. Kishte marrë shumë meme duke e etiketuar. Ishte mrekulli që e ndalova në kohë. Fola me prindërit e fëmijëve bullizues dhe mësuesin. Ata u informuan për shqetësimin tim dhe menjëherë ndërmorën hapa për t’i edukuar më mirë fëmijët e tyre dhe për të kërkuar falje. Më kujtohet që një nga fëmijët bullizues edhe qau kur kuptoi se sa thellë kishin ndikuar te vajza ime qëndrimi i tij dhe fjalët e këqija.

Vetë-lëndimi tek të rinjtë është në rritje

Rexhep Shaka, punëtor social në komunën e Librazhdit, thotë se zonat rurale të Shqipërisë janë lënë prapa prioriteteve të tjera. ”Nuk kemi kapacitete dhe fonde. Unë mund të dëgjoj dhe ne gjithmonë jemi përpjekur t’u qëndrojmë afër për nevojat e tyre, por duhet të ketë më shumë psikologë dhe psikiatër për t’i trajtuar problemet. Disa nga të rinjtë ndiheshin me të vërtetë të vetmuar në këtë botë. Veprimet e zakonshme përfshijnë prerjet, gërvishtjet dhe heqjen e lëkurës apo shkuljen e flokëve. Disa persona gjithashtu mund ta përplasin kokën për muri ose të godasin objekte ose veten e tyre. Megjithatë, jo të gjitha vetë-lëndimet lidhen me vetëvrasjen. Largimi nga vetë-lëndimi mund të zgjasë me vite; kërkimi i ndihmës së një profesionisti të shëndetit mendor mund t’i ndihmojë adoleshentët të kalojnë nga vetë-lëndimi te kujdesi për veten. Por jo secili do të mund të ndalojë menjëherë, e këtë gjë duhet ta kenë parasysh prindërit”.

03-Rexhep-Shaka.png

Miljana Hasanaj, psikologe nga ECSR (Qendra Mjedisore për Studime dhe Kërkime) e sheh zgjidhjen për problemet e shëndetit mendor te natyra e jo te programet tradicionale. ”U them gjithmonë të rinjve që kanë vështirësi me gjëra në jetë, dilni në natyrë, ajo asnjëherë nuk do t’ju zhgënjejë. Natyra ofron mundësi për lirim nga stresi, duke na bërë që të largohemi pikë së pari nga gjërat që na stresojnë.

Ministria e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri duhet ta theksojë rolin e psikologjisë në shkolla. Në rastin ideal, secila shkollë duhet të ketë një psikolog. Më shumë fonde duhet të ndahen për punësimin e psikologëve. Nganjëherë e gjitha që u duhet është një zë që ta dëgjojnë.”

Ekipi i gazetarëve nga Gara e gazetarëve të rinj. Nga e djathta në të majtë: Amra, Jeta dhe Arlis.

Vende të ndryshme, probleme të njëjta

Nëse ecim pak më shumë se 400 kilometra në veriperëndim, në Bosnje dhe Hercegovinë, do të kuptojmë se pse ky është një problem që prek në mënyrë intensive Ballkanin Perëndimor dhe se në këtë rast nuk ka "dallime" të mëdha midis vendeve të rajonit.

Nihad Bojić nga Šerići, BeH, kujton momentet e dhimbshme kur kishte mësuar se si shoku i tij kishte bërë vetëvrasje, duke na thënë se sa ide e gabuar është kur thuhet se vetëvrasja nuk duhet të diskutohet sepse kështu nxitet.

"Këtë lajm të tmerrshëm e mësova nga fqinjët e tij. Ishte ndër telefonatat më të vështira; të mësosh se një i dashur i yti ka lënë këtë botë në këtë mënyrë është shkatërruese".

60 veta të afërt të personit ndikohen nga vetëvrasja e tij/saj

Shkalla e vetëvrasjeve në BeH sipas World Population Review është 10.9 për 100,000 banorë. Se pse duhet t’i marrim seriozisht dhe sistematikisht rastet e vetëvrasjes është treguar nga fakti i dëshmuar shkencërisht të cilin e ndau me ne Vildana Zrnanović-Hasanović, MSc. në psikologji. Ajo thotë se pas çdo personi që bën vetëvrasje, mesatarisht 60 persona afër tij/saj "preken" nga kjo vdekje.

Se si kjo ndikon saktësisht te familja dhe miqtë, Zrnanović-Hasanović përgjigjet: "Ndonëse shumë bashkëndjejnë me anëtarët e familjes dhe miqtë e personit që ka kryer vetëvrasjen, shpesh ata stigmatizohen dhe izolohen. Stigmatizimi i referohet qëndrimit të rrethit se viktima dhe familja dhe të afërmit e tij/saj nuk kanë ofruar përkrahjen e duhur dhe nuk mund të përballeshin me problemet emocionale, dhe ndjenja e stigmës dhe turpit i ndalon ata të kërkojnë përkrahje dhe ndihmë nga profesionistët".

Gjithashtu, Zrnanović-Hasanović konfirmon se familja dhe miqtë janë shpesh në rrezik të madh nga mendimet për vetëvrasje dhe përpjekjet për vetëvrasje:

 “Një studim i kryer nga Pitman (2016), që shqyrtoi 3,432 të rinj që humbën një mik të ngushtë ose familjar për shkak të vetëvrasjes, tregoi se ata kanë më shumë gjasa të tentojnë vetëvrasje se sa personat që kanë humbur një person të afërm për shkaqe të tjera natyrale. Efekti është i njëjtë pavarësisht se a ishin ata familjarë apo miq të viktimës".

Fatmirësisht, brenda rrethit të miqve të Bojić, nevoja për biseda kuptimplote dhe përkrahje reciproke pas humbjes së mikut të tyre është e theksuar.

"Ne flasim më intensivisht për atë që ka të bëjë me secilin individualisht. Gjithsecili bart barrën e vet dhe ndihmesa e ofruar dikujt për ta bartur atë më lehtësisht është shprehja më e kamotshme e humanitetit,” përfundon Nihad.

Kthimi në shkolla me masat pas pandemisë.

Përballur me humbjen e një prej studentëve të saj në mes të vitit, Dr. Omerdić, që mban titullin PhD në Fakultetin Juridik, Universiteti i Tuzlës, po punon intensivisht për të sjellë ndryshime në sistemin ku vepron.

“Te studentët me të cilët kisha rastin të shoqërohesha para pandemisë, që vijonin ligjëratat në klasë, kur i shoh pas një kohe mund të vërej disa ndryshime”.

A duhet të reagojnë profesorët në rast se vërejnë një ndryshim të dukshëm në gjendjen mendore të studentëve të tyre? Prof. Omerdić shpjegon, “Privatësia dhe e drejta për jetë familjare duhet të mbrohet gjithmonë, por në të njëjtën kohë, është obligim të reagohet në njëfarë mënyre nëse e vëren se ka sjellje dhe veprime të caktuara të kundërta me normat e aplikueshme.” Për të mësuar se sa e rëndësishme është të punosh në fushën e shëndetit mendor për të mirën e studentit brenda komunitetit akademik dhe se si Prof. Omerdić i shikon ndryshimet gjatë pandemisë ndiqni videon më poshtë.

Intervistë me Dr. DŽENETA OMERDIĆ, PhD

Telefononi “The Lifeline,” dikush do t’ju dëgjojë gjithmonë.

Në mungesë të një zgjidhje sistemore në Shqipëri dhe Bosnje dhe Hercegovinë që do të kontribuonte në parandalimin e vetëvrasjeve në mesin e të rinjve, një shembull nga Kosova tregon se ka ende shpresë.

Kur u paraqit pandemia COVID-19, u themelua një qendër për të rinjtë që kishin vështirësi me shëndetin mendor. ”Nganjëherë, thjesht na duhet ta thyejmë heshtjen për të kuptuar se sa lidhet storia jonë me të tjerët. Për atë që ndihet vetëm! Për atë që ndihet i pafuqishëm! Për atë që është i lodhur! Ti nuk je vetëm! Së bashku shërohemi. Thjesht fol dhe thyej heshtjen, telefono në ”Linjën e Jetës” dhe hapi dritaret e depresionit tënd në 0800 12345”. Ky është një mesazh i fuqishëm, që u shpërnda nga një prej yjeve pop më të njohur në Kosovë, në videon e saj në YouTube me 29 milion shikime. Fushata u përhap masivisht në mesin e të famshmëve dhe ishte një sukses i madh.

Ka shpresë.

Kjo qendër ka ndihmuar personat që kanë telefonuar dhe kanë ndarë problemet e tyre dhe që kishin mendime vetëvrasëse. Në anën tjetër të linjës telefonike janë profesionistë të trajnuar mirë nën mbikëqyrjen e një psikologu, që i dëgjon ata pa kushte, pa e zbuluar identitetin e telefonuesit.

Drejtori i kësaj qendre telefonike për ndihmë, Bind Skeja, tha për Nismën e gazetarëve të rinj, se bazuar në një kërkim lidhur me telefonatat, pandemia ka ndikuar në mënyrë serioze në shëndetin e të rinjve kosovarë, por jo vetëm tek ata. Skeja thotë se që kur është hapur linja, nuk kalon gati asnjë ditë pa telefonata.

Në foton më sipër, Bind Skeja, Drejtor i qendrës telefonike "Linja e Jetës"

”Rrallë ndodh të mos kemi telefonata. Kemi 4 - 10 sosh në ditë. Ne ua garantojmë atyre anonimitetin dhe në këmbim fitojmë besimin e tyre. Jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm për imazhin tonë. Jemi duke punuar gati që dy vite për ta fituar besimin e publikut. Është punë e vazhdueshme sepse ende ka vështirësi me stigmën që përjetojnë këta persona.”

Meqë Skeja është psikolog, ai ndan mendimin se pandemia ka ndikuar, sidomos tek të rinjtë. Ka krijuar një boshllëk të madh dhe do të jetë e vështirë që ai të plotësohet me kalimin e kohës, sidomos për këta persona që tashmë kanë qenë të mbyllur në vetvete. Në Kosovë, është problem sepse nuk kemi kërkime që e pasqyrojnë këtë, por kjo përbën një thirrje për vitin 2022 për të filluar me rritjen edhe më tej të vetëdijesimit të institucioneve për të investuar në aktivitete, vetëdijesim dhe trajnim për shëndetin mendor, vazhdon Skeja.

Ai kritikon institucionet në Kosovë që nuk e kanë marrë seriozisht çështjen e shëndetit mendor. ”Kjo çështje nuk është marrë seriozisht pas pandemisë apo para saj, nisur nga mungesa e psikologëve nëpër shkolla. Qendra e Shëndetit Mendor në Prishtinë është e mbingarkuar, nuk ka psikolog në Qendrat e Mjekësisë Familjare. Investimet janë të pakëta dhe vetëm 3% e buxhetit shtetëror për shëndetësinë shkon në shëndetin mendor, përfundon drejtori i qendrës Linja e Jetës.

Të rinjtë përkrahin të rinjtë

Ata që flasin drejtpërdrejt me telefonuesit janë vullnetarë dhe një prej tyre është Lirigzona Rrustemi për të cilën kjo punë është shumë e rëndësishme. Ja storia e saj:

Video e intervistës së Lirigzonës.

Statistikat nga Policia e Kosovës na tregojnë se numri i vetëvrasjeve dhe tentimeve për vetëvrasje ishte më i lartë në vitin 2020 dhe 2021 në krahasim me vitet e mëparshme.

Viti

Numri i tentimeve për vetëvrasje

Numri i vetëvrasjeve

201910131
202011140
202114234

Për drejtorin e Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, Naim Telaku, pandemia dhe të gjitha problemet që erdhën me të mund të kenë shtyrë personat që të mendojnë për vetëvrasje.

Në foto, Naim Telaku, kryetar i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës gjatë intervistës me gazetaren Jeta.

Telaku thotë se pandemia për shumë arsye ka ndikuar në shëndetin mendor të të rinjve tani dhe kjo do të ketë pasoja edhe në të ardhmen.

Të rinjtë ishin një ndër grupet më të cenueshme të prekura nga pandemia.

”Pandemia Covid-19 ka pasur ndikim negativ në shëndetin mendor të popullatës si tërësi, por disa grupe në veçanti janë dëmtuar më shumë. Tek të rinjtë, përveç efekteve të përmendura, janë vërejtur edhe probleme të natyrës obsesive, ndjekur nga një konsum më i madh i ushqimit, alkoolit dhe drogave për të menaxhuar nivelet e larta të stresit. Për të rinjtë që janë duke ndjekur shkollimin, pandemia ka shumë efekte negative indirekte për shkak të shkëputjes nga procesi i arsimit. Këto efekte mund të jenë afatgjata dhe mund të kombinohen me efekte negative të masave të parandalimit dhe izolimit dhe dëmtojnë shëndetin mendor të të rinjve për vite në vazhdim”.

Fundi i pandemisë tani mund të shihet. Por efektet e tij tek të rinjtë do të zgjasin shumë përtej saj. Mangësitë në reagimin e institucioneve dhe qeverive nacionale tregojnë se nevojiten masa të mëtejme të politikave për të adresuar pasojat afatgjate të pandemisë tek arsimimi, puna dhe shëndeti mendor i njerëzve. Tri fushat e humbjes në arsim, humbjes ekonomike dhe shëndetit të dobët mendor tanimë janë një ‘shenjë pandemike’ afatgjate tek të rinjtë. Kjo mund t’i ndjekë njerëzit për tërë jetën e tyre dhe qeveritë dhe institucionet duhet të veprojnë sot që të ofrojnë rikuperim përfshirës të të rinjve, thotë një raport nga Forumi i të Rinjve Evropianë.

Nëse je një i ri në vështirësi tani, ndihu i lirë të telefonosh këta numra. Dikush do të jetë aty të të dëgjojë.

Shqipëri - Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijë në Shqipëri, 116 111

Bosnje dhe Hercegovinë - “Vive žene”, +387 35 226 819 

Kosovë - Linja e Jetës, Qendra telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve, 0800 12345

Arlis Alikaj raportoi nga Shqipëria

Amra Avdić raportoi nga Bosnja dhe Hercegovina

Jeta Selmanaj raportoi nga Kosova

Dymbëdhjetë ekipe prej tre gazetarësh të rinj nga të paktën dy vende të ndryshme nga Ballkani Perëndimor punuan gjatë tetë javëve, me mbështetjen e mentorëve me përvojë, për të prodhuar tregime rajonale të fokusuara te të rinjtë. Ky tregim u zhvillua përmes programit – Media for All, të financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Përmbajtja e mbledhur dhe pikëpamjet e shprehura janë përgjegjësi vetëm e autorëve.

Lexo artikujt:

Historitë më të mira nga Journalift:

Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e 15-të, ose radioja, TV-ja dhe madje edhe interneti në shekullin e 20-të. Është një teknologji që do të riformësojë përgjithmonë shoqërinë. Për shumë prej nesh, AI nënkupton gjithçka që kemi mësuar nga filma të shumtë distopikë (2001 A Space

Tema:

Artikujt më të fundit:

Menaxhimi i premtimeve dhe rreziqeve të AI: Çfarë duhet të dijë çdo profesionist i medias rreth ChatGPT
Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e
Zbuloni trukun: Si të flisni me zhvilluesit e uebit për (ri)dizajnimin e ueb faqes suaj mediatike
Puna mbi një ueb faqe për biznesin tuaj mund të jetë një proces në të njëjtën kohë emocionues dhe i
Si do ta ndryshojë ChatGPT gazetarinë dhe mediat?
Kërkova nga ChatGPT të shkruante këtë artikull për mua. Sigurisht që e bëra këtë. Bëra dhe riformulova pyetje për të