Falë raportimit proaktiv nga portali lokal Info Elbasani janë zgjidhur disa probleme të mëdha ekologjike nga qarku i Elbasanit. Kjo gjë u arrit në sajë të Platformës së Raportimit nga Qytetarët e Angazhuar që i erdhi në ndihmë këtij portali për të krijuar sinergji funksionale me qytetarët dhe organizatat joqeveritare nga ky qark.
Kjo platformë është një pyetësor online që u jep qytetarëve mundësinë të sugjerojnë tema, të paraqesin dokumente dhe të japin dëshmi tek ky portal. Kjo qasje e shtyu bashkinë të gjejë zgjidhje për çështje emergjente mjedisore.
“Bashkitë pas publikimit të artikujve të thelluar ndërmorën fushata pastrimi, premtuan rishikimin e licencave për prerjen dhe shfrytëzimin e pyjeve, organizuan takime me ekspertë për të gjetur zgjidhje për rehabilitimin e Parkut Natyror të Krastës dhe krijuan një task forcë për të ndëshkuar ndotësit pas raportimit të ndotjes së madhe të ajrit në qytet,” thonë nga Info Elbasani.
Temat kryesore që u mbuluan nëpërmjet kësaj platforme për angazhimin e qytetarëve ishin: ndotja e ajrit nga industritë, ndikimi i hidrocentraleve në mjedis, erozioni, menaxhimi i mbetjeve dhe prerja e paligjshme e pyjeve.
Në këtë portal u bënë në total 5 raportime nga qytetarët e Elbasanit dhe qytetet më të vogla si Librazhdi, Gramshi, Peqini dhe Cërriku. Rreth 200 vetë iu përgjigjën thirrjes për plotësimin e pyetësorëve dhe u prodhuan 15 artikuj duke u bazuar tek të dhënat dhe informacionet e ofruara nga qytetarët. Këto artikuj u lexuan nga rreth 27,000 vetë, gjë që solli si rezultat një rritje të shikueshmërisë së faqes me 120%
“Instrumenti e ndihmoi Info Elbasanin të bëhet një aktor edhe më i fortë për çështjet mjedisore në qarkun e Elbasanit si dhe të rrisë profilin e medias dhe besueshmërinë në këtë komunitet,” na thonë nga ky portal.
Këtë thirrje vunë në lëvizje në mënyrë të veçantë raportet nga banorët e zonave të largëta rurale, zëri i të cilëve nuk përcillet në mediat lokale apo kombëtare.
Info Elbasan u krijua në vitin 2016 nga një grup gazetarësh lokalë nga Elbasani. Ata raportojnë nga i gjithë qarku i Elbasanit, përfshirë këtu edhe shtatë bashkitë e saj. Info Elbasani ka një përmbajtje të larmishme mediatike, por mban vazhdimisht në fokus të veçantë sfidat mjedisore të këtij qarku.