Gjashtë arsye pse nuk duhet të anashkalojmë gazetarinë mobile

Lexim  minutësh

01 Six reasons why we should not ignore mobile journalism

Çfarë ka çdo gazetar në rajonin e Ballkanit Perëndimor? Pyetje e vështirë, apo jo? Është më e lehtë të përgjigjemi për atë që shumë kolegë tanë nuk kanë – një pagë të mirë, liri, kushte të mira pune, një mundësi për karrierë dhe arsimim, një mundësi për eksperimente, mirëkuptim nga drejtuesit dhe redaktorët…

Por nëse pyetjen e bëjmë edhe më të qartë – çfarë kanë të përbashkët të gjithë gazetarët, pa të cilin nuk dalin asnjëherë nga shtëpia? Atëherë, disa prej jush mund të përgjigjen “një laps” dhe disa të tjerë do të thonë “telefoni celular”. Edhe pse lapsi është një nga mjetet bazë në punën tonë, në kohët që jetojmë disa nga ne gjithsesi nuk mbajnë laps me vete, por mbajnë një telefon celular, madje dy apo më shumë telefona.

Telefoni celular është një mjet pa të cilin gazetarët nuk mund ta imagjinojnë dot punën që bëjnë, jo vetëm kolegët e rinj në moshë, por edhe ata më me përvojë, “ujqërit” e vjetër të gazetarisë, ata të moshës mbi 60 vjeç.

Në këtë aspekt, nuk kemi asnjë ndryshim nga gazetarët e vendeve më të zhvilluara. Megjithatë, është për të ardhur keq që pjesa më e madhe e kolegëve tanë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor e përdorin telefonin vetëm si mjet komunikimi, për të shkruar e dërguar mesazhe, për të komunikuar me miq apo bashkëbisedues, dhe për të ndjekur mediat sociale.

Ka diçka që na dallon mjaft mirë nga Perëndimi.

Për ta “telefoni inteligjent” është një instrument për krijimin e përmbajtjes dhe për raportimin dixhital të një historie, ndërkohë që për pjesën më të madhe të gazetarëve në Ballkanin Perëndimor, është thjesht një mjet komunikimi. Fotografimi apo regjistrimi i një videoje me telefonin celular është shpesh rastësore dhe jo praktikë pune, për të paktën një pjesë të madhe të mediave.

Pse është strategji e gabuar kjo? Ja gjashtë (në mos më shumë) arsye pse nuk duhet ta anashkalojnë telefonin celular si instrument për krijimin e përmbajtjes gazetareske – qofshin media me një person të punësuar, një redaksi online me pesë gazetarë të punësuar, media kombëtare apo media private me mbi 100 punonjës.

Më shumë telefona celularë sesa banorë

Më shumë telefona celularë sesa banorë

Për të mos shkuar menjëherë te pjesa ku flasim për rëndësinë e krijimit të përmbajtjes me anë të një telefoni celular, do të përpiqemi të tregojmë në mënyrë të tërthortë rëndësinë e telefonit celular në ndjekjen/leximin e lajmeve në ditët e sotme.

A e dinit se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka më shumë telefona celularë sesa banorë? Nuk e besoni, apo jo?

Të dhënat tregojnë se Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, dhe Bosnja dhe Hercegovina ose pesë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë më shumë abonime në telefoninë celulare sesa banorë. Vetëm Serbia ka një numër paksa më të vogël telefonash celularë sesa banorë. 

Këto gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor kanë gjithsej 19.5 milionë banorë dhe mbi 20 milionë pajisje celulare. Kjo është e kuptueshme sepse, ndonëse një pjesë e qytetarëve nuk kanë telefona celularë, një përqindje e konsiderueshme e tyre kanë më shumë se një pajisje (numër/lidhje).

Nëse kjo pasohet nga fakti se shumica e atyre që kanë telefona celularë përdorin internetin në këto pajisje, atëherë është e qartë se telefoni është kthyer në mjetin kryesor përmes të cilit ndjekin lajmet qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Kjo konfirmohet edhe nga Reuters Digital News Report 2021 (Raporti i Lajmeve Dixhitale i Agjencisë Reuters 2021) në të cilin thuhet se në mbarë botën pothuajse tre të katërtat (73%) e qytetarëve i ndjekin lajmet nëpërmjet telefonave inteligjentë, që, krahasuar me vitin 2020, ka një rritje nga niveli prej 69%. Besohet se edhe koronavirusi ka ndikuar në rritjen e përqindjes së ndjekjes së lajmeve përmes telefonit celular.

Tani, nëse ekrani i vogël i një celulari dhe jo televizori është dritarja për në botën e lajmeve, atëherë pse të mos përdorim celularin për të krijuar përmbajtje gazetarie të përshtatur për konsum (të lajmeve) nëpërmjet celularit. Diçka në kuptimin e krijimit me celular për konsum në celular. A nuk ju duket logjike kjo?

Kapërcimi i kufijve se kush mund të tregojë një histori

Kapërcimi i kufijve se kush mund të tregojë një histori

Edhe sikur të punoni në median e shkruar, në televizion, radio apo media online, në ditët e sotme të gjitha mediat mund të krijojnë përmbajtje me video. Në fakt, ato duhet patjetër të krijojnë përmbajtje me video. Nëse nuk e keni bërë ende një gjë të tillë, filloni që nesër, sepse do t’ju ndihmojë të forconi markën tuaj dhe (të sillni) një audiencë të re dhe një formë/format të ri raportimi.

Nuk ka kuptim, p.sh., të jesh media e shkruar me faqe interneti dhe të kesh profile në rrjete sociale që prodhon vetëm tekste dhe analiza të gjata, dhe ndërkohë të pretendosh se me kaq mjafton dhe të presësh që të mbijetosh në vitet e ardhshme.

Askush nuk ju detyron të mos punoni më me gazetarinë cilësore. Vazhdoni, por pranoni forma të tjera shprehjeje, filloni me video, promovoni analizat në Facebook dhe Instagram, jo vetëm si adresa me link, por përshtateni një pjesë të përmbajtjes në formën e një videoje për t’i dhënë historive tuaja një jetë të re dhe më të gjatë.

Është e pakuptueshme se si portalet online me dy ose pesë apo më shumë punonjës shpenzojnë kohë dhe energji për prodhimin masiv të lajmeve që i kanë pothuajse të gjitha mediat e tjera dhe nuk e përdorin atë kohë për të krijuar dy ose tre histori në javë me telefona celularë. Pikërisht këto histori do t’ju dallojnë nga të gjitha mediat e tjera dhe do t’ju sjellin një audiencë të re.

Kjo vlen edhe për mediat e mëdha, si televizionet që kanë pesë apo dhjetë kameramanë dhe dy herë po aq reporterë. Pse duhet të mbështeteni vetëm te këta njerëz për të krijuar përmbajtje me video dhe të mos përdorni telefonat celularë për të treguar histori që mund t’i nxirrni në mediat sociale?

Nëse ju, së bashku me kameramanët, keni edhe 20 gazetarë të tjerë në redaksinë e lajmeve, atëherë ata janë njerëzit që me shumë gjasa mund të regjistrojnë dhe redaktojnë një video me telefonat e tyre celularë.

Por edhe punonjësit e tjerë mund të shkruajnë histori. Trajtojini të gjithë punonjësit si redaksi lajmesh me një të punësuar, përgatitini ata të thonë historinë e tyre. Bashkë me ta do të forcohen si potencialet tuaja ashtu edhe ato të atyre. 

Ja ku kemi një shembull praktik nga rajoni. Besnik Ahmeti, i cili është pjesë e Radio-Televizionit të Kosovës (RTK), por që nuk është reporter në kuptimin klasik të profesionit, sepse nuk bën raportime, kohët e fundit si pjesë e trajnimit nga Thomson Media regjistroi dhe bëri montazhin me telefonin e tij celular video historinë “Shqiptari-Messi i Kosovës”.

Papritur edhe ai e shfaqi potencialin që ka për të treguar histori. Fakti që kjo video ishte ndër më të ndjekurat në rrjetet sociale të RTK-së duke qenë se e kanë parë mbi 140 mijë vetë dhe është pëlqyer nga më shumë se 2,300 ndjekës në Facebook tregon se nuk ishte përpjekje e kotë. Jo keq, apo jo?

Kemi një tjetër shembull nga Bosnja dhe Hercegovina, nga Agjencia Federale e Lajmeve (FENA). Harun Muminovic punon kryesisht si kameraman dhe fotograf por edhe si montazhier. Vetëm punën e reporterit nuk bënte më parë. Si njeri me sy të stërvitur dhe që di se të kapë një kuadër të mirë, Muminovic nuk ka pasur mundësinë të punojë për të prodhuar një histori të plotë. Gazetaria mobile i bëri të mundur ta realizojë këtë dhe, pasi mori pjesë në dy kurse trajnimi të organizuara nga Thomson Media, ai arriti të realizojë vetë dhe pa ndihmën e askujt katër histori. Tregimi i tij më i fundit është “Formula 1 nga Bosnja dhe Hercegovina”, që është provë se nuk janë vetëm reporterët ata që mund të tregojnë bukur histori në media.

Këta shembuj janë prova për t’ju bindur të investoni në trajnimin e punonjësve tuaj. Jepini të gjithëve një mundësi. Askush nuk do të rrezikohet; as kameramanët dhe as montazherët nuk do ta humbasin vendin e punës dhe as gazetarët nuk do të jenë njerëzit që bëjnë gjithçka. Nga ana tjetër, as gazetarët më të mirë mobilë nuk mund të jenë në të njëjtën kohë reporterët më të mirë, kameramanët më të mirë dhe montazhierët më të mirë, por ata mund t’i tregojnë historitë mjaft bukur vizualisht.

Kështu, me prezantimin e gazetarisë mobile, kameramanët dhe redaktorët do të jenë në gjendje të “shfaqin talentin” ose mund të përdoren për tema “më serioze”, për xhirime më të vështira apo për montazhe më të ndërlikuara, të tilla si dokumentarë apo gjëra të tjera të ngjashme.

Gazetaria mobile si variant rezervë

Gazetaria mobile si variant rezervë

Gazetaria mobile është forma kryesore e krijimit të përmbajtjes gazetareske në disa redaksi lajmesh dhe në disa të tjera pranohet si një tjetër formë për prodhimin e historive. I tillë është rasti edhe me BBC-në në Britaninë e Madhe, media që ka kohë që e ka pranuar gazetarinë mobile dhe e praktikon atë rregullisht për edicionet e saj në mediat sociale. Është interesante të evidentohet se po rritet numri i reporterëve me përvojë, dhe jo vetëm ata të rinj, që kanë pranuar gazetarinë mobile dhe kanë filluar të prodhojnë vetë histori.

Historitë e disa reporterëve nga RTÉ, transmetuesi kombëtar i Irlandës, që u filmuan dhe u montuan me telefona celularë, i kapërcyen kufijtë shtetërore dhe janë materiale që kanë marrë më shumë klikime dhe shikime se edicionet tradicionale të lajmeve në televizion.

Edhe në Ballkan ka shembuj të ngjashëm. Shërbimi kombëtar malazez RTCG e nisi gazetarinë mobile me pak siklet, por suksesi i disa prej raportimeve të bëra nga kolegu Darko Bulatovic i nxiti të hedhin hapin tjetër në këtë drejtim.

Historitë e regjistruara me telefona celularë jepen në rrjetet sociale por edhe në edicionet e lajmeve në televizion.

Ja një shembull interesant se si e shpëtoi RTCG-në gazetaria mobile në një situatë të kohëve të fundit. Në fillim të muajit shtator të këtij viti, redaksia e lajmeve të RTCG kishte planifikuar të transmetonte pamjet drejtpërsëdrejti nga Manastiri i Cetinjes gjatë kurorëzimit të Mitropolitit Joanikije, proces që u pasua me bllokime rrugësh dhe trazira, për të cilat ndërhyri edhe policia.

Automjeti i reporterit dhe i gjithë ekipi i nevojshëm për transmetimin e drejtpërdrejtë nuk mundën të arrinin në vendngjarje për shkak të bllokimeve në rrugë. Duhej një alternativë. Një vendim i mirë në atë moment është që drejtuesit e televizionit e pranuan gazetarinë mobile si zgjidhjen e vetme logjike.

Në dy ditët në vazhdim, kolegu Darko Bulatovic doli ‘live’ rreth 15 herë, duke përdorur telefonin e tij celular për të xhiruar pamjet drejtpërdrejtë. Kështu, një person i vetëm dhe celulari i tij zëvendësuan një ekip prej 10 apo më shumë vetë. Qëllimi kryesor, ai i informimit të qytetarëve në kohë reale dhe me pamje live nga vendngjarja, u arrit. A ju bëri kjo gjë të ndryshoni mendje?

Kosto të vogla prodhimi

Kosto të vogla prodhimi

Një nga argumentet se pse duhet të filloni të merreni edhe me gazetarinë mobile është çmimi i pajisjeve. Ndonëse telefonat më të mirë/më cilësorë kushtojnë nga 800 deri në 1,200 euro, puna mund të bëhet edhe me një telefon 200 euro që ka një kamerë shumë solide që regjistron video me rezolucion të lartë.

Mes pajisjeve që nevojiten janë edhe një mikrofon (50-100 euro) dhe një tripod stabilizues kamere (50-150 euro). Ky minimum mjafton si fillim, por edhe për punë më serioze.

Nëse do të shtonim edhe aplikacione të caktuara për regjistrim dhe montazh më të mirë të videove, që kushtojnë rreth 15 euro, arrijmë tek një shumë prej rreth 500 deri në 1000 euro për pajisjen e plotë për një gazetari mobil.

Ky çmim është shumë herë më i ulët se për çdo pajisje tjetër për xhirime, qoftë kjo kamerë televizioni apo kamera DSLR.

Pajisje e lehtë, e fshehtë dhe e atypëratyshme

Pajisje e lehtë, e fshehtë dhe e atypëratyshme

Pajisjet e regjistrimit që përdoren në gazetarinë mobile janë të lehta dhe mund të mbahen nga kushdo dhe në çdo terren. Mund ta fusni në një çantë të vogël shpine. Me telefon celular do të përgatiteni për xhirime shumë më shpejt se me çdo pajisje tjetër dhe në këtë mënyrë do të humbisni shumë më rrallë ngjarje të rëndësishme që ndodhin para jush.

Një avantazh tjetër është se pajisja është e fshehtë.

Nga një sërë eksperimentesh sociale konfirmohet se njerëzit nuk ndihen të rrezikuar kur kanë një celular para tyre dhe janë më shumë të prirur t’ju japin një deklaratë nëse jeni duke regjistruar me celular dhe jo me një kamera të zakonshme, ndoshta sepse njerëzit përdorin vetë telefonin celular për regjistrimet e tyre.

Për shumë njerëz telefoni celular nuk të tremb siç bën kamera e televizionit, për shembull. Me telefonin celular në dorë është më e lehtë të futesh mes turmës së njerëzve dhe të regjistrosh.

Një tjetër avantazh është se me telefonin celular mund të kapen pamje që është e paimagjinueshme të kapen me një kamera klasike ose kamera DSLR. Telefonin celular mund ta vendosni në sirtar, në frigorifer, në një pajisje, ta lidhni tek një pasqyrë makine, etj.

Për shembull, Philip Bromwell nga RTÉ në video tregimin e tij “The King of Coffee” (“Mbreti i kafesë”) e vendosi telefonin në një mulli kafeje dhe “kapi” një kuadër ku kafeja po derdhej me vrull në mulli. Është e pamundur të regjistrosh një kuadër të tillë miliona dollarësh me një kamera klasike.

Edhe Darko Bulatovic nga RTCG ka kapur disa pamje “të pamundura” për video historinë “Bitter-sweet magic” (“Magjia e hidhur-e ëmbël”) që e realizoi si pjesë e kursit “Gazetaria mobile” organizuar nga Thomson Media. Në një moment çokollata e nxehtë po derdhej sipër celularit, duke kapur pamje që janë shumë më të vështira të merren me një kamera tjetër. Sa për ilustrim, kjo video ka marrë mbi 300,000 shikime dhe është videoja më e shikuar në të gjitha platformat e RTCG-së.

Instrument i plotë për prodhimin dhe shpërndarjen e historive

Instrument i plotë për prodhimin dhe shpërndarjen e historive

Telefoni celular është një mjet me të cilin mund të bëni foto dhe t’i retushoni ato, të regjistroni dhe bëni montazhe video dhe audio, të shkruani tekste, por edhe t’i ndani këto përmbajtje të gatshme në të gjitha rrjetet sociale ku është e pranishme media për të cilën punoni.

Kjo do të thotë që nëse punoni me podkaste, me video të mediave sociale, me histori në Instagram ose me histori të ngjashme, të gjitha këto mund t’i bëni me një pajisje të vetme. Ju mjafton vetëm një celular dhe interneti, asgjë tjetër.

Ajo që mund të nxirret si përfundim është se telefoni celulari ka demokratizuar krijimin e përmbajtjes video. Të gjithë e mbajnë celularin me vete, por jo secili prej nesh e shfrytëzon potencialin e tij të plotë. Telefonat janë realiteti ynë; ata janë këtu dhe do të mbeten këtu.

“Telefonat inteligjentë” po bëhen më të mirë, më të shpejtë, më të fuqishëm, dhe më inteligjentë. Ne si punonjës të medias duhet të marrim vendime inteligjente dhe t’i pranojmë ato si instrumente serioze në punën tonë të përditshme.

Aleksandar Manasiev është gazetar nga Maqedonia e Veriut, fitues i disa çmimeve, me më shumë se 17 vjet përvojë në media të shkruara, TV dhe dixhitale. Ai ka përvojë si gazetar investigativ, korrespodent dhe kryeredaktor në disa media në rajon dhe më gjerë. Ai gjithashtu punon si trainer rajonal për gazetarinë mobile, median dixhitale dhe gazetarinë investigative.

Lexo artikujt:

Historitë më të mira nga Journalift:

Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e 15-të, ose radioja, TV-ja dhe madje edhe interneti në shekullin e 20-të. Është një teknologji që do të riformësojë përgjithmonë shoqërinë. Për shumë prej nesh, AI nënkupton gjithçka që kemi mësuar nga filma të shumtë distopikë (2001 A Space

Tema:

Artikujt më të fundit:

Menaxhimi i premtimeve dhe rreziqeve të AI: Çfarë duhet të dijë çdo profesionist i medias rreth ChatGPT
Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e
Zbuloni trukun: Si të flisni me zhvilluesit e uebit për (ri)dizajnimin e ueb faqes suaj mediatike
Puna mbi një ueb faqe për biznesin tuaj mund të jetë një proces në të njëjtën kohë emocionues dhe i
Si do ta ndryshojë ChatGPT gazetarinë dhe mediat?
Kërkova nga ChatGPT të shkruante këtë artikull për mua. Sigurisht që e bëra këtë. Bëra dhe riformulova pyetje për të