Nga mendësi gazetari në mendësi biznesi (pa shkelur kodin e sjelljes)

Lexim  minutësh

From-journalist-mindset-to-business-mindset-

Një gjë është e përbashkët për shumë profesionistë, që nga mjekët dhe juristët, deri te gazetarët dhe llojet e ndryshme të inxhinierëve. Pjesa më e madhe e tyre përfundojnë duke punuar për organizata që drejtohen nga njerëz të të njëjtit profesion. Shumë mjekë përfundojnë duke punuar në spitale që drejtohen nga mjekë. Juristët i gjen në organizata që ofrojnë ndihmë ligjore apo në zyra ligjore që drejtohen nga juristë të tjerë. Inxhinierët punojnë zakonisht në kompani ku kërkohen inxhinierë (gjë që nuk do as mend as kalem). Dhe e gjeni dot? Këto kompani administrohen përgjithësisht nga inxhinierë.

E njëjta gjë vlen edhe për gazetarët. Nëse je në profesionin e gazetarit, ka shumë gjasa të jesh duke punuar për një gazetar tjetër (qoftë për nga profesioni apo që i është futur kësaj rruge). Apo, në një rast të veçantë, ti mund të jesh gazetari për të cilin punojnë gazetarët e tjerë. Nëse është kështu, atëherë këtë shkrim po e bëjmë për ty. Nëse jo tani, ka shumë gjasa që në të ardhmen kjo do të jetë situata me ty dhe ende ia vlen t’i kushtosh pak kohë. Të paktën këtë besojmë ne.

Çfarë është “mendësia”?

Sipas Fjalorit të Google, mendësia përbën “tërësinë e pranuar të qëndrimeve që ka dikush.” Fjalori i Cambridge e përkufizon mendësinë si “mënyrën e të menduarit dhe opinionet e dikujt”, ndërkohë që Fjalori Merriam-Webster e përkufizon si “qëndrim apo prirje mendore”. Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe e përkufizon si “tërësia e pikëpamjeve, e zakoneve dhe e shprehive të veçanta të një njeriu, të një grupi shoqëror a të një populli që pasqyrojnë mënyrën e tij të të menduarit;”

Me fjalë të tjera, mendësia është një lloj softueri i mendjes nëpërmjet të cilit i qasemi situatave të ndryshme, trajtojmë problemet, zgjidhim konfliktet, marrim përsipër ndryshimin... Pra, me fjalë të tjera, ajo na përcakton atë që jemi, kush jemi dhe si veprojmë.

Ashtu si çdo softuer (program kompjuteri) dhe si edhe vetë fjalë, ajo ka nevojë të instalohet dhe të përditësohet rregullisht. Instalimi dhe përditësimi janë teorikisht të vazhdueshëm, d.m.th., janë të mundshëm. Megjithatë, shumë shpesh, të paktën në disa fusha, mendësitë mbeten të ngurtësuara. Duhen bërë përpjekje të mirë menduara për të bërë ndryshime në mendësi.

Mendësia e rritjes përkundër asaj të ngurtësuar

Mendësia e rritjes përkundër asaj të ngurtësuar

Sipas psikologes amerikane, Carol Dweck, mendimi i dikujt për veten e vet është me rëndësi parësore: të besosh se avantazhet dhe dobësitë e tua nuk mund të ndryshojnë është përfaqësimi tipik i asaj që Dweck e quan mendësi të ngurtësuar. Kështu, kjo mendësi e ngurtë ndikon dukshëm në çdo gjë që bën personi me këtë mendësi. Ai mbetet në rrugën që ka marrë tashmë me besimin se asgjë nuk mund të ndryshojë. Dhe është si një rreth vicioz: njeriu nuk përpiqet t’i ndryshojë gjërat, sepse beson se nuk mund të realizohet dhe si rezultat ai nuk ndryshon, nuk rritet.  

Megjithatë, Dweck evidenton edhe një tjetër mendësi – e ashtuquajtura mendësia e rritjes. Siç e thotë edhe ajo me fjalët e saj, “në këtë mendësi, dora që të trajton është thjesht faza fillestare e zhvillimit... kjo mendësi rritjeje bazohet në besimin se cilësitë bazë të njeriut janë gjëra që mund të kultivohen me anë të përpjekjeve.

Prandaj, mendësia e ngurtë është e paracaktuar, “dora që na trajton”, “pika e fillimit”. Ajo që duhet të bëjmë me të është përgjegjësia jonë për sa kohë që besojmë se mund të përmirësohemi, që mund të ndryshojmë për më mirë.

Mendësia formësohet nga profesioni

Mendësitë tona formësohen nga shumë gjëra. Nga familja ku rritemi, nga sportet që luajmë, nga shokët e shoqet me të cilët kalojmë kohën, nga të dashurit tanë, nga mësuesit, kolegët... Por asgjë nuk formëson mendësinë tonë më shumë sesa profesioni që zgjedhim.

Kjo është arsyeja pse priremi t’i kuptojmë njerëzit e profesionit tonë në mënyrë më të stërholluar, pse jemi në gjendje të komunikojmë me ta duke përdorur kode, të bëjmë shaka që nuk bëjnë për të qeshur asnjë jashtë profesionit tonë, dhe, kur jemi vetëm me kolegët e profesionit tonë, e shtyjmë njëri-tjetrin të besojmë se ne jemi të zgjedhurit, kemi profesionin e më të zgjuarve, jemi grupi elitar, jemi të paprekshmit.

Dhe më e fundit por jo për nga rëndësia, besimi në superioritetin e profesionit tonë është shembulli kryesor i mendësisë së ngurtë që bëhet përherë e më kërcënuese. Është mjaft e lehtë të biesh në këtë grackë: nëse nuk jemi ne, kush është më i miri për të drejtuar organizatën tonë? Kush më mirë se një mjek mund të drejtojë spitalin? Kush më mirë se një inxhinier mund të drejtojë një firmë ndërtimi?

Kush më mirë se një gazetar mund të drejtojë një media?

Patjetër që ka shumë argumente të mira pse duhet të jetë me të vërtetë kështu. Ka shumë fakte të pakundërshtueshme që një gazetar duhet të jetë në poste drejtuese të një medie, kompanie mediatike, agjencie... Këto argumente janë aq të forta sa që dikush që përpiqet të argumentojë të kundërtën mund të bëhet qesharak.

Por vetë ideja e këtij artikulli as që nuk përpiqet të bëjë një gjë të tillë. Aspak fare.

Maja është pikë vetmitare

Maja është pikë vetmitare

Kur drejton një organizatë, biznes, apo një OJQ... çfarëdo që të jesh me profesion kalon në plan të dytë. Ka më pak rëndësi tani. Zakonisht të vjen në ndihmë nëse organizata është brenda fushës së profesionit tënd. Por vetëm kaq. 

Ajo që ka rëndësi tani, ajo që duhet të vihet në plan të parë është fakti se tani je drejtues. Drejtues biznesi (edhe në organizata jofitimprurëse).

Tashmë nuk të intereson shumë cilësia e artikullit që ke shkruar, sa i freskët është informacioni apo sa të besueshëm janë burimet e tua të informacionit... tani të intereson më shumë cilësia e artikujve të ÇDOKUJT, sa i freskët është informacioni i ÇDOKUJT, besueshmëria e burimeve të ÇDOKUJT. Tashmë nuk je më në rrugën e bërjes së karrierës. I je futur rrugës për karrierën e ÇDOKUJT, teksa ruan cilësinë e shërbimit që ofron ti (si organizatë), kohën e ofrimit të shërbimit (si organizatë) dhe besueshmërinë e shërbimit që përfaqëson ti (si organizatë). Kjo pikë, vendi i majës, është vend vetmitar. Në vendet me vetmi kërkohet të përshtatesh.

Mendësia jote tani ka nevojë për lustër. Nuk ka nevojë për ndryshime rrënjësore. Je ende gazetar dhe zor se ke ndonjë gjë në dorë për ta ndryshuar.

Gjithsesi, duke qenë se tani je drejtues, duhet të shtosh edhe mendësinë e drejtuesit. Së pari, të duhet tërësisht mendësia e rritjes: të besosh se mund të përmirësohesh në fusha të caktuara gjë që ta kërkon puna si drejtues. Me fjalë të tjera, së pari duhet të besosh se mund t’i shtosh mendësinë e drejtuesit mendësisë tashmë të konsoliduar të gazetarit.

Pastaj, duhet të bësh diçka në këtë drejtim.

Kompanitë priren të ankohen se nuk ia dalin dot t’i bëjnë inxhinierët të mendojnë si drejtues. Edhe disa kompani mediatike kanë të njëjtat ankesa për gazetarët duke përdorur të njëjtat arsye. Ajo që na duhet është të kemi më shumë gazetarë në poste drejtuese që mendojnë si drejtues.

Pesë mendësitë e një drejtuesi

Pesë mendësitë e një drejtuesi

Sipas Jonathan Gosling, profesor i njohur në fushën e udhëheqjes, dhe Henry Mintzberg, një nga profesorët më me influencë në fushën e menaxhimit në spektaklin televiziv ‘Today’, drejtuesit kanë nevojë për mendësi të ndryshme. Ja si e shprehin ata këtë gjë:

“Federata Ndërkombëtare e Shoqërive të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, me qendër në Gjenevë, ka një shqetësim që lidhet me zhvillimin e menaxhimit. Kjo federatë shqetësohet se mund të shkojë shumë larg drejt një kulture ku veprohet me shpejtësi të madhe. Ajo e di se duhet të veprojë shpejt për t’iu përgjigjur fatkeqësive kudo ku ndodhin ato, si tërmete dhe luftëra, përmbytje dhe kriza urie, por evidenton edhe nevojën për t’u angazhuar në detyrën më të ngadaltë dhe më delikate të ndërtimit të kapaciteteve për veprime të kujdesshme, të menduara mirë dhe të përshtatura sipas kushteve dhe nevojave në terren.”

Kultura e të vepruarit shpejt, reagimi i shpejtë... Ju sjell ndonjë gjë në mendje?

“Shumë organizata biznesi përballen me një problem të ngjashëm. Ato dinë të ekzekutojnë, por nuk janë aq të afta të tërhiqen për të reflektuar mbi situatat që po kalojnë. Organizata të tjera përballen me të kundërtën e kësaj vështirësie: Ata janë aq shumë të kredhura në analiza për problemet e tyre, saqë nuk mund t’i bëjnë gjërat me shpejtësinë e duhur... Çdo gjë që bën çdo drejtues efektiv gjendet e zënë mes veprimit në terren dhe reflektimit në mënyrë abstrakte. Veprimi pa reflektim është i pamendtë; reflektimi pa veprim është thjesht pasiv. Çdo drejtues duhet të gjejë një mënyrë për të ndërthurur këto dy mendësi - të funksionojë në pikën ku të menduarit reflektues të takohet me veprimin praktik.

Por veprim dhe reflektim për çfarë? Një përgjigje e qartë është: për bashkëpunimin, për t’i çuar gjërat deri në fund në bashkëpunim me njerëz të tjerë... Një tjetër përgjigje është se veprimi, reflektimi dhe bashkëpunimi duhet të rrënjosen thellë në vlerësimin e gjithanshëm të realitetit në të gjitha aspektet e tij. Këtë e quajmë mendësi me këmbë në tokë, që Fjalori i Gjuhës Angleze i Oksfordit e përkufizon si “me përvojë në jetë, të sofistikuar, praktik”. Së fundi, veprimi, reflektimi dhe bashkëpunimi si dhe qëndrimi me këmbë në tokë duhet të shoqërohen më një farë racionaliteti apo logjike; ato duhet të mbështeten edhe në mendësi analitike.”

Këto janë pesë mënyrat me të cilat gazetarët që drejtojnë një biznes mediatik (me fjalë të tjera, drejtuesit) duhet të perceptojnë botën dhe të veprojnë më tej.

Mendësia reflektuese ka të bëjë me veten, të njohësh dhe të kuptosh vetveten. Siç thonë edhe autorët e konceptit, “nuk mund të ketë analizë pa njohje të vetvetes”. Mendësia e bashkëpunimit është e qartë që ka të bëjë me marrëdhëniet e drejtuesit, ndërkohë që mendësia analitike ka të bëjë me organizatën si një e tërë dhe me një zbërthim sistematik të aktiviteteve (që është ajo për të cilën shërben analiza në fund të fundit). Konteksti ku funksionon organizata, bota që rrethon organizatën është tema e mendësisë e të qëndruarit me këmbë në tokë. E fundit por jo për nga rëndësia, në një farë mënyre mendësia integruese është mendësi veprimi, sepse ajo bën bashkë vetveten, marrëdhëniet, organizatën dhe kontekstin, nëpërmjet procesit të ndryshimit që vazhdon dhe nuk mbaron kurrë. 

Analizo- vepro-reflekto-bashkëpuno-kupto kontekstin-përsërit

Analizo- vepro-reflekto-bashkëpuno-kupto kontekstin-përsërit

Siç sugjeron edhe nëntitulli i mësipërm, kjo është ajo që bën gjatë gjithë kohës ti si drejtues. Duke përdorur fjalët e Gosling dhe Mintzberg:

“Në fillim ti analizon dhe më pas vepron. Por kjo nuk funksionon siç mund të pritet, ndaj reflekton. Vepron më tej dhe pastaj e sheh veten të bllokuar, ku kupton se nuk mund ta bësh këtë gjë i vetëm. Do të të duhet të bashkëpunosh. Por për të bërë këtë gjë, do të duhet të futesh në botën e të tjerëve. Dhe më pas vijnë analiza të tjera për të artikuluar botëkuptime të reja. Tani ti vepron përsëri – dhe kështu vazhdon teksa formësohet coha e përpjekjeve që bën.”

Me t’u bërë drejtuesi i një medie, agjencie lajmesh, radioje apo stacioni televiziv, apo i ndonjë forme tjetër të njohur medie, nuk bëhet më fjalë për ty dhe as për gazetarin brenda teje. Prej teje pritet që të drejtosh dhe të administrosh. Përgjegjësia jote tani ka të bëjë me mbijetesën e medias. Kjo do të thotë që të bësh të mundur që media të paguajë faturat e veta. Dhe sigurisht që është punë e vështirë. Është industri e vështirë dhe që nuk të fal, ku gëlon konkurrencë e pandershme, ku fitimet janë të vogla dhe orët e punës të stërzgjatura, e puna pa orar.

Dhe mbi të gjitha këto qëndron ideja, përpjekja drejt gazetarisë së pavarur, qëllimi fisnik i pavarësisë. Është shumë e vështirë të arrish balancën mes tyre. Dhe pa shkelur aspak kodin e sjelljes.

Nga ana tjetër, askush nuk tha se të jesh drejtues është punë e lehtë. Megjithatë, për të perifrazuar Mintzbergun, nuk ka punë më të rëndësishme për shoqërinë tonë sesa puna e drejtuesit, sepse drejtuesit vendosin nëse burimet tona do të përdoren me efektivitet apo do të shpërdorohen. 

Për të përsëritur edhe një herë të njëjtën fjali: me t’u bërë drejtues, nuk bëhet më fjalë për profesionin si gazetar.

Me t’u ngjitur në atë post, duhet të jesh i hapur për të zhvilluar aftësi të reja dhe për t’i bësh të mundur vetes të bëhesh më shumë ç’ke menduar më parë se mund të bëhesh.

Për ta thënë ndryshe, duhet të përqafosh mendësinë e rritjes si një qëndrim të përgjithshëm ndaj botës që të rrethon. Dhe duhet të zhvillosh të gjitha mendësitë që predikojnë Gosling dhe Mintzberg.

Mendësia reflektuese kërkon që të reflektosh çdo ditë për:

  • Veten dhe mendimet, vendimet dhe veprimet e tua
  • Njerëzit që të rrethojnë dhe si ndikohen ata nga mendimet, vendimet dhe veprimet e tua
  • Organizatën tënde dhe si ndikohet ajo nga mendimet, vendimet dhe veprimet e tua.

Nëse reflekton pa vepruar, medias tënde do t’i vijë fundi shumë shpejt. Prandaj, pozicioni që ke kërkon që të pranosh mendësinë e veprimit: të mbështesësh ndryshimin, tek njerëzit, tek organizata, te bota që të rrethon. Duhet të veprosh. Të udhëheqësh dhe të japësh shembullin tënd. Dhe më pas reflekto përsëri. Për të ndryshuar gjërat për herën tjetër. Për më mirë.

Detyra jote është të analizosh: çfarë bëre, si ishte, cilat ishin rezultatet, çfarë mund të bësh ndryshe, si mund të veproje ndryshe... Dhe më pas të veprosh përsëri. Dhe më pas të reflektosh përsëri. Për t’i bërë gjërat më mirë herën tjetër.

Teksa reflekton, vepron, reflekton, analizon, dhe përsëri vepron dhe reflekton, ke nevojë edhe për të tjerët dhe duhet të kuptosh dhe respektosh botën që rrethon organizatën. Organizata si përkufizim është një entitet shoqëror. Ajo përbëhet nga njerëz të tjerë. Nuk je vetëm ti. Ti je përgjegjës për të organizuar punën e tyre dhe për t’i bërë ata të punojnë së bashku dhe me ty. Ke nevojë për bashkëpunim dhe ke nevojë për të kuptuar edhe kontekstin. Ke nevojë për një mendësi bashkëpunimi dhe me këmbë në tokë.

Ke nevojë për të pesta ato. Dhe ke nevojë që t’i kesh të ndara dhe të ndërthurura. Ashtu si shkopinjtë e golfit: vetëm një shkop nuk mjafton nëse dëshiron ta luash këtë lojë si profesionist dhe sipas rregullave, me respekt të plotë për lojën. Ke nevojë për të gjitha ato, sepse secila prej tyre do të dalë e dobishme në situata të ndryshme. Dhe ndonjëherë do të kesh nevojë për disa prej tyre, njëra pas tjetrës me radhë.

Për ta thënë me fjalë të thjeshta: ke nevojë të përvetësosh mendësinë e biznesit.

Por prit! Çfarë dimë ne tek e fundit? Jemi thjesht profesorë të fushës së biznesit që nxisim mendësinë e biznesit...

Emir Kurtiq është asistent lektor i disiplinave të menaxhimit në arsimin e lartë në Shkollën e Ekonomisë dhe Biznesit në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë. Ai ka kryer projekte të ndryshme marketingu dhe kërkimit të biznesit dhe studime të fizibilitetit për një sërë industrish si konsulent menaxhimi për disa prej kompanive kryesore në BiH. Emiri ka një fokus të fortë në sipërmarrjen sociale dhe krijimin e një biznesi të qëndrueshëm që i shërben komunitetit lokal. Me aftësitë e tij dhe përvojën e zhvillimit të biznesit, ai është në gjendje të sigurojë mentorim për mediat duke i ndihmuar ata të përcaktojnë drejtimet e tyre të biznesit dhe të testojnë modele dhe strategji të reja të biznesit.

Jasmina Selimoviq është një profesore e asociuar e financave dhe Dekane e Shkollës së Ekonomisë dhe Biznesit në Sarajevë, Universiteti i Sarajevës, Bosnjë dhe Hercegovinë. Ajo ka punuar si konsulente për Bankën Botërore dhe organizata të tjera ndërkombëtare me fokus të veçantë në menaxhimin financiar, zhvillimin e biznesit dhe strategjitë e arsimit. Ajo është një studiuese aktive në fushën e menaxhimit financiar dhe është në gjendje të mbështesë mediat në përpjekjet e tyre për të ri-organizuar financat e tyre dhe për të provuar modele të reja biznesi.

Lexo artikujt:

Historitë më të mira nga Journalift:

Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e 15-të, ose radioja, TV-ja dhe madje edhe interneti në shekullin e 20-të. Është një teknologji që do të riformësojë përgjithmonë shoqërinë. Për shumë prej nesh, AI nënkupton gjithçka që kemi mësuar nga filma të shumtë distopikë (2001 A Space

Tema:

Artikujt më të fundit:

Menaxhimi i premtimeve dhe rreziqeve të AI: Çfarë duhet të dijë çdo profesionist i medias rreth ChatGPT
Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e
Zbuloni trukun: Si të flisni me zhvilluesit e uebit për (ri)dizajnimin e ueb faqes suaj mediatike
Puna mbi një ueb faqe për biznesin tuaj mund të jetë një proces në të njëjtën kohë emocionues dhe i
Si do ta ndryshojë ChatGPT gazetarinë dhe mediat?
Kërkova nga ChatGPT të shkruante këtë artikull për mua. Sigurisht që e bëra këtë. Bëra dhe riformulova pyetje për të