Podkast – një mundësi për mediat dhe autorët, apo vetëm një trend afatshkurtër?

Lexim  minutësh

Edhe pse vetëm para dy vitesh dukej e paimagjinueshme për shumicën e konsumatorëve të internetit, sot shumica dëgjojnë së paku një, e disa edhe më shumë podkaste lokale.

Disa arsye janë për popullarizimin e këtij formati. Së pari, për ta prodhuar një përmbajtje të tillë nuk kushton shumë nga aspekti i produksionit, dhe kërkon më pak resurse sesa për formatet tjera aktuale të popullarizuara. Së dyti, autorëve u jepet mundësia të shprehën më shumë pak kufizime. Së treti, por jo me më pak rëndësi, njerëzit marrin shembull nga autoritetet, dhe kur disa prej tyre e nisin një gjë të ngjashme, formohet një trend.

Le ta shohim se pse është kështu.

Çfarë mund të mësojmë nga e kaluara?

Që të flasim për të ardhmen, së pari duhet ta shikojmë të kaluarën dhe trendët e ngjashme.

Edhe pse në skenën globale është i pranishëm tashmë dy dekada, podkasti vetëm në disa vitet e fundit ka fituar popullarizim në rajonin tonë dhe ka filluar të përhapët në hapësirën e mediave.

Podkasti ka filluar falas bllogerave, të cilët kanë vendosur të kalojnë nga formati i shkruar, në atë audio, si dhe autorëve në radio të cilët vendosën që disa nga përmbajtjet e tyre t՚i distribuojnë në këtë mënyrë. Nganjëherë kjo ishte thjeshtë për të zgjatur jetën e emisioneve, kurse në rastet tjera kjo ishte një mundësi që dëgjuesve të interesuar të ju ofrojnë më shumë sesa lejonte termini në radio, pasi kohëzgjatja e podkastit nuk është e kufizuar me skemën programore.

Kjo është një „mundësi e veçantë e shitjes“ që podkasti ofron – përmbajtje audio të formës dhe kohëzgjatjes së lirë, e qasshme përmes internetit „me kërkesën“ e konsumatorit (on demand) që do të thotë se mund ta dëgjojmë ku të duam, kur të duam dhe si të duam.

Kushti për shkarkimin e këtyre përmbajtjeve është lidhja e internetit, mirëpo shumë shpesh konsumuesit e kësaj përmbajtjeje shkarkojnë në kompjuterin apo telefonin e tyre nga disa episode që do t՚i dëgjojnë në kohë kur nuk kanë qasje në Internet – gjatë fluturimeve, udhëtimeve, ose thjeshtë kur pushojnë nga notifikimet e përhershme.

Për sa i përket Serbisë dhe rajonit tonë, që nga viti 2005 kishim përpjekje pioniere për shpërndarjen e përmbajtjeve në këtë mënyrë, kur B92 në këtë mënyrë ka bërë plasmanin e audio shënimeve të emisioneve të veta, „Kazhiprst“ (Gishti-tregues) dhe „Utisak nedelje“ (Përshtypja e javës).

Në këtë moment YouTube nuk ekzistonte, dhe shumica e konsumatorëve të internetit nuk kishin as kushte, por edhe as infrastrukturë për t՚i shikuar përmbajtjet video. Përmbajtja e këtyre emisioneve dhe popullarizimi i tyre mund të ishin një volant ideal për përmbajte të tilla, por nuk ndodhi kështu.

Pse? Sepse nuk kishte mjaftë njerëz që ishin gati të dëgjojnë. Nuk kishte shumë përmbajtje audio që ishin interesante, radio ishte bërë kombinim i lajmeve dhe të muzikës, me nga një „talk show“, librat audio akoma nuk kishin arritur, e që autorët e afirmuar ta adoptojnë një format të ri ishte e domosdoshme që të krijohet një masë kritike. Dhe kështu, dilema e vezës dhe e pulës u shpalos përsëri përpara nesh.

Bllogu – podkasti para podkastit

Një fenomen i ngjashëm ndodhi edhe disa vite më parë me bllogjet dhe bllogerët që për një kohë të shkurtër ishin një fenomen shumë i dukshëm, por jo të gjithë mbijetuan. Si dikush që ishte personalisht shumë i angazhuar në atë periudhë, mund të them se kjo ndodhi në atë mënyrë kryesisht sepse pritjet e shumicës së autorëve ishin shumë më të mëdha nga realiteti i tregut. Kjo në praktikë do të thoshte se shumë prej tyre nuk e fituan vëmendjen e publikut aq sa dëshiruan, nuk fituan mundësi ta shfrytëzojnë bllogun e vetë në para, dhe nuk ishin të gatshëm që të vazhdojnë të udhëheqin bllogun pa të gjitha këto.

Sigurisht, kishte edhe të tillë që mbijetuan dhe që karrierat e veta të bllogereve i zhvilluan në shumë drejtime, dhe disa nga ata janë edhe sot autorë aktualë. Platformat mund të ndryshojnë, por autorët që mbijetojnë gjejnë mënyra që tu përshtaten këtyre ndryshimeve.

Mënyra më e lehtë që ta vizualizojmë nocionin “trend” është të paramendojmë një valë. Disa nga varkat do t՚i përmbys, disa do t՚i kthejë disa hapa mbrapa, disave do të ju ndihmojë që më shpejtë dhe më lehtë të arrijnë aty ku duhet, kurse ata që janë rritur mjaft deri në momentin kur të arrijë vala, ndoshta as nuk do ta ndjejnë atë.

Kush janë ata që zakonisht mbijetojnë në situata të tilla?

Një nga fjalët që e futëm në fjalor në vitin e kaluar, që është ideale për ilustrimin e kësaj teme është rezilienca (eng. resilience), respektivisht një kombinim i çuditshëm i rezistencës, elasticitetit, fleksibilitetit, që në thelb përshkruan karakteristikat e atyre që i mbijetojnë këto revolucione.

Trendët vijnë dhe shkojnë, ashtu si edhe valët, dhe pas tyre mbetën ata që janë rritur mjaft, ata që mendojnë me largpamësi dhe nuk kërkojnë shpërblim  të menjëhershëm (instant gratification) të nevojave dhe të pritshmërisë së vetë, si dhe ata të cilët përqendrohen drejtë grupeve specifike të publikut.

Sigurisht që është ideale nëse ekziston kombinimi i këtyre faktorëve, dhe një gjë që sigurisht mund të ndihmojë shumë në rrugën drejtë suksesit është edhe tajmingu i mirë. Kjo nuk do të thotë të nisësh i pari dhe para të gjithëve, sepse kjo rrugë është shpesh e vështirë. Kjo do të thotë të nisësh pikërisht atëherë kur tregu është i gatshëmatëherë kur vala është në fillimin e vetë dhe lëvizë në drejtimin e duhur, mjaft e vogël që mos të pengojë, por mjaft e konsiderueshme që momentumi që e mbanë me vete ndihmon, e jo pengon rrugën drejt qëllimit.

Atëherë, kur të fillojmë?

Kur e formoni idenë e vetë biznesi në një përpjekje të biznesit, ju kryeni analizën e tregut për të parë a ekziston konkurrenca dhe si janë gjasat në treg, si dhe disponimi tek grupet specifike të publikut.

Zakonisht ata që bëjnë diçka jashtëzakonisht inovative dhe revolucionare nuk kalojnë edhe aq mirë – ata krijojnë diçka me çfarë gjenerata e ardhshme do të pasurohet, sepse tregu akoma nuk e kupton dhe nuk është i gatshëm për këtë prodhim.

Në anën tjetër, rezultatet e shkëlqyera zakonisht i kanë ata që marrin një gjë që është në përgjithësi e njohur (edhe pse jo e njohur gjerë) dhe nga ajo krijojnë diçka që i ka disa specifika.

Megjithatë, ta qëllojmë tajmingun ideal është shumë e vështirë – prandaj, më mirë është të jemi para kohët, sesa të jemi vonë, sepse edhe nëse kjo e para është e vështirë, e dyta na lë pa shpresë për sukses.

Do ta shfrytëzoj rastin për t՚i prezantuar dy shembuj lokal:

  1. Daško i Mlađa kanë kaluar nga media klasike në një format podkast në produksion të vetin „para se kjo ishte cool“, por ata kishin publikun që e kanë grumbulluar me kujdes vite me radhë, kështu që suksesi i tyre ishte, nëse jo i garantuar, atëherë së paku i pritur.
  1. Disa vite më vonë, Galleb Nikaçeviq, që me vite me radhë ka ndërtuar karrierën e vetë të autorit, ka vendosur që të fillojë projektin e vetë Agelast, me dëshirë që të ketë lirinë e plotë të autorit. Edhe pse ky hap pa dyshim kërkonte shumë guxim, ishte e pritshme që të vijojnë rezultatet. Dhe vijuan – edhe kur është fjala për publikun, edhe për mbështetjen e sponsorëve.

Këto përpjekje pioniere të personave me një kapital të konsiderueshëm shoqëror për të gjithë komunitetin e autorëve, kanë tërhequr vëmendjen e publikut dhe janë një mundësi që ata të dallohen.

Cilat janë parakushtet teknike për podkast dhe pse mediat duhet ta konsiderojnë këtë format?

Për mediat online të cilat parimisht merren me përmbajtje të shkruar, podkasti ofron mundësinë e hyrjes në përmbajtje multimediale me një barrierë më të vogël për hyrje. Ju nevojitët vetëm zëri i mirë, që në fillim mund të arrihet edhe me mikrofon të vegjël që lidhën me telefonat celular, dhe që kushtojnë rreth 20 EUR.

Kjo zgjedhje teknike nuk është ideale, por mjafton për fillim.

Nëse dëshironi diçka më serioze, dy mikrofona me bartësit, një audio-rekorder dhe kufjet kushtojnë rreth 600 EUR, dhe nëse doni të keni më shumë se dy pjesëmarrës, shpenzimet janë rreth 1100 EUR për një set bazë të pajisjeve për audio podkast. Përveç kësaj, që zëri të jetë vërtetë i pastër, është mirë që të jeni në një dhomë ku nuk ka zhurmë dhe ku nuk ka shumë sipërfaqe të forta (tavolinat e mëdha, dritaret, dyert e kabineteve), dhe nëse ka, është mirë që të mbulohen me mbulesa të trasha (mbulesë tavoline, perde, batanije) ose me një material që ofron izolim zanor. Në fakt, ju në këtë hapësirë krijoni një radio studio të improvizuar.

Ne, kur kemi krijuar set-up për emisionin Pojaçallo, kemi pas dëshirë që të jetë sa më e thjeshtë, e lëvizshme, që të mund ta marrim me vete nëse udhëtojmë, si dhe mos të kemi shpërqendrime të panevojshme për shikuesit dhe dëgjuesit – që fokusi të jetë tek biseda dhe bashkëbiseduesi.

Sidoqoftë – investimi në pajisje për podkast është një mënyrë e lirë që të krijoni një sasi të madhe të përmbajtjeve të ndryshme dhe të jepni hapësirë autorëve të shprehën në mënyrë të vetë. Kjo është ndoshta edhe mundësia që të angazhoni dikë nga jashtë që me një orë angazhim në javë do të krijojë vlerë të shtuar për ju si medium dhe për karrierë dhe publikun e vetë.

Çfarë roli ka video në podkast?

Edhe pse podkasti është parimisht një format audio, gjithnjë e më shpesh atë e përcjellë edhe komponenti video. Zëri duhet të jetë i pastër dhe i qartë, kurse video mund të jetë edhe nga një telefon, një llap top, GoPro, ose një kamerë ose foto kamerë tjetër, dhe kjo do të jetë në rregull. Nëse vendosni për diçka më shumë – disa kamera për shembull, kjo rrit çmimin e përpjekjeve dhe e bën produksionin më të ndërlikuar, dhe në fillim nuk është e domosdoshme.

Pse është i rëndësishëm video, nëse fjala bëhet për një format audio? Është i rëndësishëm sepse ju mundëson që, përveç platformave për podkast, përmbajtjen tuaj ta prezantoni edhe përmes YouTube-it, dhe kjo ju hap rrugën drejtë një numrit të madh të dëgjuesve apo shikuesve potencial. Publiku audio ka ardhur pikërisht tek ju që t՚ju dëgjojë, kurse publiku i YouTube-it ju ka zbuluar duke kërkuar diçka tjetër, edhe pse ndoshta kjo që kanë kërkuar është e ngjashme.

Mos harroni – Google është mjeti më i madh kërkues në botë, por YouTube është në vendin e dytë për tashmë një kohë shumë të gjatë.

Video është i rëndësishëm edhe për shpërblim monetar, por për këtë do të flasim në segmentin tjetër.

A mund t՚i monetarizojmë podkastet?

Hapësira për reklamuesit dhe sponsorët nuk duhet të ndryshojnë natyrën dhe përmbajtjen e podkastit, siç është rasti me formatet tjera të mediave, edhe pse kjo nuk është e lehtë me sponsorët.

Monetarizimi shpesh herë nuk është i mundur në fillim, përveç rasteve kur e keni ndërtuar pozicionin në treg dhe besimin e reklamuesve. Nëse ky nuk është rasti, akoma ekziston mundësia që podkasti të monetarizohet pas një kohe të caktuar – nëse tërhiqni vëmendjen e një numri të madh të njerëzve nga publiku juaj i qëlluar. Nëse rastet e tilla nuk krijohen vetë (sepse tregu i reklamuesve është mjaft inert sipas natyrës së vetë), merrni iniciativën dhe ofroni ju hapësirën e vetë.

Gjithashtu, provoni të aktivizoni komunitetin që e keni krijuar dhe motivojini që përmes donacioneve ose përmes platformës Patreon të mbështesin atë që ju bëni. Ndoshta në fillim kjo sasi nuk do të jetë e madhe, por si dhe me gjërat tjera, edhe kjo mund të akumulohet, dhe me kalimin e kohës të kthehet në një burim të konsiderueshëm të të ardhurave. 

Për disa nga rajoni kjo ka ndodhur, dhe shpesh herë janë pikërisht bashkatdhetarët tanë nga diaspora ata që i mbështesin, sepse për ta një mbështetje e tillë nuk është ndonjë shpenzim i madh, dhe ata janë të mësuar që të paguajnë për përmbajtje cilësore.

Sigurisht, gjithmonë ekziston mundësia që përmbajtja që ju krijoni të jetë falas, por që të shërbejë për promovimin e shërbimeve komerciale që në këtë mënyrë ua prezantoni blerësve potencialë – ky është modeli sipas të cilit funksionojnë bllogjët eksperte, magazinat në Internet, kanalet në YouTube dhe podkastët.

Praktika na mëson që komercializimi i podkastit do të ju ecë më shpejtë nëse përveç atij audio, keni edhe komponentin video, sepse këtu brandingu bëhet n[ mënyrë vizuale, qoftë edhe në mënyrë diskrete, sepse tek ne, fatkeqësisht, klientët janë të tillë që akoma duan ta shohin logon e tyre në ekran.

Shembulli për këtë është SportKlub, i cili me vite ka provuar me audio podkaste, dhe ka pas një publik modeste, edhe pse të përkushtuar, por duke hyrë në video kanë fituar edhe më shumë dëgjues/shikues, si dhe interesim të lartë nga sponsorët.

Atëherë si të fillojmë podkastin?

Zgjidhni temën dhe publikun e dëshiruar, përgatitni pajisjet dhe testojini ato. Atëherë krijoni planin për së paku 25 episode të para, dhe nëse do të keni mysafirë, atëherë krijoni listën për së paku 50 episode. Kur kam filluar me emisionin Pojaçallo, unë kam shënuar 80 emra në një listë dhe i kam shtuar rregullisht. Tani kjo listë ka mbi 200 emra, e deri tani janë publikuar 104 episode të Pojaçallo-s.

Kur krijoni lista të tilla duhet të keni parasysh se jo të gjithë do të jenë në dispozicionin tuaj atëherë kur ju konvenon, dhe do të ishte e shkëlqyer nëse keni një plan i cili është mjaft fleksibil.

Me kalimin e kohës, në këtë listë rregullisht do të shtoni ide të ndryshme.

Para se të filloni hapat tjerë, bëni një marrëveshje me vetën dhe me kolegët që marrin pjesë, që kësaj ide ti jepni shansin duke besuar në të së paku deri sa të incizoni 25 apo 50 episode të para.

Pastaj, nëse tematika me të cilën do të merreni nuk kërkon aktualitet të plotë, incizojini disa episode. Atëherë do të jeni gati të publikoni episodin e parë, pa u brengos a e keni të gatshëm episodin e radhës.

Sigurisht, javën e ardhshme duhet të incizoni edhe një apo dy të tjera, dhe mundohuni që gjithmonë të keni së paku një në rezerve, sepse podkasti është një format ku rregulli dhe kronologjia janë të rëndësishme, dhe rrethanat nuk janë gjithmonë të parashikueshme.

Edhe një gjë: nëse nuk jeni të sigurt se do të dini se si bëhet – mbani mend se hera e parë është e vështirë, hera e dytë pak më lehtë, dhe pas episodit të pestë do të jetë shumë më lehtë dhe, edhe nëse nuk mësoni asgjë tjetër gjatë këtij procesi, edhe kjo mjafton. Unë, para se kam bërë podkastin e parë kam bërë mbi 300 intervista dhe kam pas me qindra paraqitje publike, edhe përsëri kam pas siklet. Por, mënyra e vetme që të ecim përpara është që të sfidojmë vetën dhe t՚i përgjigjemi kësaj sfide.

Ju uroj fat dhe mos u dorëzoni!

Ivan Miniq është një profesionist i marketingut dhe IT me përvojë ndërkombëtare. Ai është themeluesi i një prej komuniteteve më të mëdha online në rajonin e Ballkanit duke numëruar më shumë se 2 milion përdorues (forumi Burek) dhe një sipërmarrës i vetëngritur me disa biznese start up (Moja Pijaca, Burgos – burger bar). Ivani është moderatori dhe redaktori i Pojačalo – një podcast për sipërmarrjen që arrin deri në 5.000 pajtimtarë. Ivan ka punuar me media nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë praninë e tyre në internet dhe të rrisin audiencën e tyre. Ai ka qënë lektor i Menaxhimit tv Projekteve për studentët e marketingut dixhital në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit në Beograd.

Lexo artikujt:

Historitë më të mira nga Journalift:

Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e 15-të, ose radioja, TV-ja dhe madje edhe interneti në shekullin e 20-të. Është një teknologji që do të riformësojë përgjithmonë shoqërinë. Për shumë prej nesh, AI nënkupton gjithçka që kemi mësuar nga filma të shumtë distopikë (2001 A Space

Tema:

Artikujt më të fundit:

Menaxhimi i premtimeve dhe rreziqeve të AI: Çfarë duhet të dijë çdo profesionist i medias rreth ChatGPT
Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e
Zbuloni trukun: Si të flisni me zhvilluesit e uebit për (ri)dizajnimin e ueb faqes suaj mediatike
Puna mbi një ueb faqe për biznesin tuaj mund të jetë një proces në të njëjtën kohë emocionues dhe i
Si do ta ndryshojë ChatGPT gazetarinë dhe mediat?
Kërkova nga ChatGPT të shkruante këtë artikull për mua. Sigurisht që e bëra këtë. Bëra dhe riformulova pyetje për të