Radioja ZOS e Bosnjë dhe Hercegovinës përbëhet nga katër gra. Ndonëse ai vendim nuk ishte i qëllimshëm kur u lansua media, sot me krenari theksojnë se është një media e grave që trajton tema të rëndësishme dhe të guximshme në vend, pavarësisht presioneve dhe shpeshherë kërcënimeve.
I nisur në vitin 1997 në Teshanj, ky radiostacion komercial, si shumë kolegë të tjerë, u gjend në prag të mbijetesës pas fillimit të pandemisë së koronavirusit. Shumë media e ndërprenë punën atëherë, shumë hoqën dorë për shkak të të ardhurave të parregullta dhe Radio ZOS u reduktua nga 50 klientë në vetëm 10. Amela Sejdiq, menaxhere e Radios ZOS, tregon se në atë moment, vendimi për të aplikuar në dy konkurse, i shpëtoi nga një kolaps të mundshëm.
“Në një moment, pamë një tender publik nga Google - domethënë, thjesht një gjë e pamundur, por vendosëm të aplikonim me një ide të mirë lidhur me emisione për çështjen e pandemisë. E fituam atë projekt dhe shpëtuam vende pune, dhe ndërkohë aplikonim për thirrje të tjera publike. Më pas morëm dy grante dhe mbështetje nga ekspertët përmes projektit Media for All – financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, qjë që ndryshoi tërësisht mënyrën tonë të punës dhe u bëmë më të fortë në shumë drejtime, jo vetëm financiarisht. Falë mentorëve tanë nga Media for All, arritëm ta realizojmë idenë tonë”.

Ajo ide ishte nisja e agjencisë së marketingut “ZOS Media Consulting”, për të cilën Amela thotë se është “kurora e biznesit të tyre”. Është krijuar duke dëgjuar nevojat e grupit të tyre të synuar, si dhe duke njohur se cilat janë pikat e forta dhe aftësitë e tyre. Duke marrë parasysh numrin e madh të kompanive që operojnë në Teshanj, të cilat nuk kanë departamente PR, ka pasur nevojë për ndërmjetës midis bizneseve lokale dhe reklamimit në mediat kombëtare.
“Përmes shumë viteve të biznesit, kemi arritur të krijojmë kontakte me shumë media kombëtare dhe lokale nga e gjithë Bosnja dhe Hercegovina dhe në bazë të kësaj arritëm të zbatojmë gjithçka që klientët tanë kanë kërkuar. Fushatën e fundit e bëmë për një kompani të madhe në Teshanj, e cila ka mbi 600 punonjës. Bëhej fjalë për një film promovues që e prezentuam në një media kombëtare dhe që pati reagime të shkëlqyera”, thekson Amela.
Sot, gati tre vjet nga fillimi i projektit Media for All, Radioja ZOS me krenari thekson se në vitin 2022, ata arritën të ardhura edhe 30% më të larta krahasuar me një vit më parë. Por nisja dhe promovimi i një ideje të re biznesi gjatë një pandemie globale dhe në një kohë kur shumë media po mbyllen për shkak të pandemisë dhe kompanitë po vendosin të ulin kostot në minimum nuk ishte e lehtë. Amela dhe ekipi i saj atëherë vendosin të shkruajnë një seri artikujsh rreth sipërmarrësve të rinj.
“Ne donim të mbështesim gratë që janë në fillin e biznesit të tyre duke shkruar artikuj promovues për to dhe duke promovuar në mënyrë indirekte biznesin e tyre. Ne ua dhamë atyre promovimin dhe një shans për t'u reklamuar përmes medias sonë sepse donim të kontribuonim në zhvillimin e biznesit të tyre dhe kuptuam se në njëjtën kohë bënim edhe promovimin e agjencisë sonë të marketingut.”
Edhe pse agjencinë e konsiderojnë si një kurorë të biznesit të tyre, suksesi që ka regjistruar Radioja ZOS nuk është i rastësishëm dhe nuk ka ndodhur brenda natës. Qytetarët e Teshnjës u besojnë atyre dhe marrëdhënia me komunitetin u ndërtua si me raportim të guximshëm dhe të paanshëm, ashtu edhe duke shkruar për tema që janë thelbësore për jetën e njerëzve në komunitet. Nga rrëfimet e përbashkëta, përmes teksteve që ndihmuan në zgjidhjen e çështjes së strehimit të pesë familjeve, në stipendimin e fëmijëve që janë në nevojë sociale dhe në mbështetjen e sportistëve të rinj.
Nuk është lajm që gazetaria në Ballkan nuk është për të gjithë. Profesioni nuk ka një reputacion të mirë, pagat shpesh janë të ulëta dhe shpeshherë mungon njohja e rëndësisë së ekzistencës së mediave. Të mbetesh në gazetari, duhet ta duash atë vërtet dhe Amela dhe ekipi i saj i vogël e dëshmojnë këtë çdo ditë.