ABC-ja e gazetarisë mobile dhe pse duhet ta konsideroni atë

Lexim  minutësh

Çfarë bëni kur e gjeni veten përballë një pamjeje të mahnitshme ose kur diçka e pazakontë ndodh para syve tuaj? Për shumë prej nesh, gjëja e parë që na vjen ndër mend është ta marrim telefonin dhe ta regjistrojmë atë me një foto ose video.

Telefonat inteligjentë janë pothuajse gjithmonë pranë nesh dhe të dhënat tregojnë se 92.5% e fotove janë bërë me celular dhe vetëm 7% me kamera profesionale.

Pra, pse krijuesit e përmbajtjeve mediatike shpesh hezitojnë të përdorin telefonin inteligjent si një pajisje për krijimin e përmbajtjes gazetareske? Nëse i keni thënë ndonjëherë "jo" përfshirjes së një celulari në kompletin tuaj të pajisjeve bazë të gazetarisë, ky artikull do t'ju ndryshojë mendjen.

Duke ndjekur këto 5 rregulla të thjeshta, ju mund të krijoni një tregim- video që dallon dhe konkurron me një ekip televiziv që përdor kamionë të mëdhenj me pajisje.

1. Stabilizimi i xhirimit tuaj

Ky është një nga aspektet më të rëndësishme që duhet mbajtur parasysh. Një imazh i qëndrueshëm është ajo që dallon menjëherë videot amatore nga videot profesionale. Pra, çfarë duhet të bëni për të stabilizuar videon tuaj? Gjëja e parë është përdorimi i stabilizimit optik të imazhit, një opsion që po bëhet shumë i zakonshëm në botën e telefonave inteligjentë, i cili lejon kamerën të korrigjojë lëvizjet tuaja gjatë realizimit të një fotoje ose videoje. Mund të aktivizohet automatikisht, por gjithsesi, këtë opsion mund ta gjeni në cilësimet e kamerës.

Nëse nuk keni paisje ndihmëse siç është stabilizues gjimba ose trekëmbësh, mënyra se si e mbani telefonin është shumë e rëndësishme. Gjithmonë sigurohuni që ta mbani telefonin me të dyja duart, përdorni bërrylat për mbështetje shtesë dhe mbani gjunjët pak të përkulur. Nëse duhet të lëvizni, sigurohuni që ta bëni këtë ngadalë dhe mos bëni lëvizje të papritura. 

(Shembull ilustrimi - zëvendësimi i kamerës me një telefon celular) 

Këshillat e tjera për stabilizimin e videos përfshijnë vendosjen e telefonit tuaj në një sipërfaqe të sheshtë (gjithmonë mbani mend se kamera duhet të jetë në nivelin e syve gjatë intervistave), ose përdorimin e pajisjeve ndihmëse të tilla si trekëmbësh, mbajtëse stabilizuese që do t'ju mundësojnë të bëni një xhirim krejtësisht të qëndrueshëm.

2. Poziciononi kamerën në mënyrë që të keni ndriçim të përsosur

Telefonat celularë janë ndërtuar për të qenë pajisje të vogla dhe me madhësi xhepi, prandaj sensorët e imazhit dhe lentet e këtyre pajisjeve janë gjithashtu të vogla. Kjo e bën ndriçimin e mirë një aspekt thelbësor nëse doni të bëni fotografi cilësore. Nëse jeni duke xhiruar jashtë gjatë ditës, gjithmonë sigurohuni që rrezet e diellit të ndriçojnë drejtpërdrejt subjektin tuaj. Për situatat e brendshme, subjektet duhet të kthehen drejt burimit më të fortë të dritës në dhomë (si p.sh. një dritare e madhe).

(Shembull ilustrimi 2 - zëvendësimi i kamerës me një telefon celular)

Këshilla bonus: Kyçja e fokusit dhe rregullimi i ekspozimit

Pozicionimi i duhur i vetes dhe i subjektit nuk mjafton gjithmonë. Në disa situata, burimet shumë e forta drite mund të shkaktojnë ekspozim të tepërt (fotografia bëhet shumë e ndritshme dhe detajet fshihen). Kjo mund të zgjidhet lehtësisht duke përdorur një opsion shumë të thjeshtë në telefon. Kyçja e fokusimit automatik/ekspozimit automatik (AF/AE) aktivizohet pothuajse në çdo telefon intiligjent duke prekur ekranin e telefonit për 2-4 sekonda, kur ky opsion është i aktivizuar, mund të rrëshqitni lart ose poshtë me gisht për të vendosur nivelin e dëshiruar të ekspozimit.

(Shembull ilustrimi 3 – GIF) 

3. Rëndësia e regjistrimit të zërit të mirë

Audioja e keqe ka fuqinë të shkatërrojë intervistat tuaja dhe për fat të keq, mikrofoni është një nga kufizimet kryesore të një telefoni intiligjent. Shumica e mikrofonave të telefonave celularë janë të gjithanshëm (që do të thotë se do të marrin tingullin nga çdo drejtim), prandaj mbani mend se është më mirë të regjistroni një intervistë në një dhomë të qetë, larg erës dhe zhurmave të tjera. Afrimi me burimin e zërit është çelësi për regjistrimin e zërit të mirë. Por mos e humbni shpresën - mikrofonat e integruar të kamerave profesionale shpesh nuk janë aspak më të mira dhe do të përballeni me të njëjtat probleme, kështu që kjo është një arsye më shumë për të mos hequr dorë nga gazetaria celulare.

Një mënyrë e thjeshtë për të marrë zë të shkëlqyeshëm është të përdorni një mikrofon lavalier. Lajmi i mirë është se ka një mikrofon me kapëse për të gjithë, dhe mund të gjeni version bazë për vetëm 6 €, ndërsa një i mirë do të kushtonte rreth 25 €. Nëse vendosni të blini një të tillë, është e rëndësishme t'i kushtoni vëmendje përputhshmërisë, shumica e modeleve vijnë me një portë standarde 3,5 mm (e cila është zhdukur përgjithmonë në modelet e reja të telefonave inteligjentë), por mund të përdorni një përshtatës ose të merrni një mikrofon që lidhet drejtpërdrejt me tipin -c ose me portat lightning.

4. Kompozimi - vendosja e saktë e kuadrit

Videoja juaj mund të jetë e qëndrueshme, e ndriçuar në mënyrë të përsosur dhe të ketë zë shumë të qartë. Por kjo nuk mjafton. Përpara se të filloni xhirimet, ka disa këshilla kompozimi që do ta bëjnë tregimin tuaj të veçantë. Kur vendosni një intervistë, rregulli i të tretave është mënyra më e thjeshtë për të kompozuar imazhin siç duhet. Këtë mund ta bëni duke aktivizuar linjat e rrjetit në cilësimet e kamerës së telefonit tuaj. Linjat e rrjetit do ta ndajnë kornizën tuaj në të tretat horizontalisht dhe vertikalisht, dhe ja se si mund t'i përdorni ato në avantazhin tuaj:

(Shembull ilustrim: Linjat e rrjetit - Rregulli i të tretave, hapësira e sipërme, hapësira drejtuese) 

  1. Vendosni sytë përgjatë vijës së sipërme horizontale dhe vendoseni portretin pranë pikave ku kryqëzohen këto vija.
  2. Nëse subjekti shikon në të djathtë, atëherë vendoseni portretin në anën e majtë të kuadrit dhe anasjelltas.
  3. Kjo do t'ju lejojë të krijoni "hapësirë ​​drejtuese" dhe një ndjenjë drejtimi për xhirimin tuaj.

  4. Kushtojini vëmendje të lini pak hapësirë ​​sipër kokës (10-15% të kuadrit). Nëse dëshironi të afroheni dhe të bëni xhirime të detajuara, shkurtoni pjesën e sipërme të kokës, jo mjekrën.
  5. Kyçni fokusin dhe ekspozimin dhe filloni të xhironi.

5. Modifikoni, eksportoni, ndani…

Telefonat celularë sot ofrojnë shumë më tepër sesa thjesht xhirimin dhe fotografimin. Edhe pse gjithmonë mund ta modifikoni përmbajtjen tuaj në aplikacionet e desktopit, ka shumë aplikacione të zhvilluara për biznesin mediatik që mund t'i përdorni për t'u bërë një producent komplet mobil.

Shumica e këtyre aplikacioneve kushtojnë para, por lajmi i mirë është se ka disa aplikacione shumë të avancuara që mund t'i përdorni falas:

  • Kinemaster – një aplikacion i thjeshtë për t'u modifikuar video që është i pajtueshëm edhe me telefonat inteligjentë të vjetër. Ky aplikacion lejon përpunim të shumëfishtë audio dhe video, duke e bërë të lehtë prerjen dhe bashkimin e klipeve, regjistrimin e të folurit dhe shtimin e tekstit të animuar në videot tuaja. Ashtu si shumica e aplikacioneve në treg, në versionin falas merrni një vulë logoje.

  • Adobe Premiere Rush – i disponueshëm si për Android ashtu edhe për IOS, ky aplikacion i mrekullueshëm ju lejon të përdorni disa nga mjetet më të avancuara të redaktimit të videos në celular. Ofron një spektër të gjerë grafikash në lëvizje, ofron fonte ekstesh, muzikë dhe redaktim shumëkanalesh.

FilmoraGo, InShot dhe CapCut janë disa oferta të shkëlqyera në gamën e aplikacioneve falas. LumaFusion (vetëm për IOS) dhe Filmmaker Pro janë aplikacione të avancuara redaktimi që ofrojnë abonime me pagesë.

Tani që i keni këto këshilla bazë, është koha për t'i dhënë një shans telefonit tuaj dhe për ta çuar tregimin në një nivel tjetër. Redaksitë dhe gazetarët e pavarur në biznesin mediatik përdorin avantazhet e shumta të gazetarisë mobile për prodhimin e përmbajtjes, duke përfituar nga arritshmëria dhe fleksibiliteti i këtyre pajisjeve.

Ndërsa telefonat inteligjentë bëhen më inteligjentë dhe më të arritshëm, është e sigurt se një telefon celular (me disa shtesë) është një pajisje që mund të përdoret për çdo hap të prodhimit - xhirim, modifikim dhe shpërndarje, të gjitha në një vend.

Lorin Kadiu është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim dhe ka edhe diplomë master në fushën e Marrëdhënive me Publikun. Nga viti 2018 është drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare mediatike “Citizens Channel” me seli në Tiranë. Ai është i specializuar në prodhimin multimedial, duke punuar si producent në disa dokumentarë, seri podkaste dhe eksplorime vizuale. Gjatë 8 viteve të fundit, ka punuar si gazetar, trajner për aftësi multimediale dhe konsulent për edukim mediatik me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë.

Lexo artikujt:

Historitë më të mira nga Journalift:

Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e 15-të, ose radioja, TV-ja dhe madje edhe interneti në shekullin e 20-të. Është një teknologji që do të riformësojë përgjithmonë shoqërinë. Për shumë prej nesh, AI nënkupton gjithçka që kemi mësuar nga filma të shumtë distopikë (2001 A Space

Tema:

Artikujt më të fundit:

Menaxhimi i premtimeve dhe rreziqeve të AI: Çfarë duhet të dijë çdo profesionist i medias rreth ChatGPT
Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e
Zbuloni trukun: Si të flisni me zhvilluesit e uebit për (ri)dizajnimin e ueb faqes suaj mediatike
Puna mbi një ueb faqe për biznesin tuaj mund të jetë një proces në të njëjtën kohë emocionues dhe i
Si do ta ndryshojë ChatGPT gazetarinë dhe mediat?
Kërkova nga ChatGPT të shkruante këtë artikull për mua. Sigurisht që e bëra këtë. Bëra dhe riformulova pyetje për të