Vranje dhe Strumicë: mësimdhënësit si bashkëpunëtorë të heshtur në dhunën kundër nxënësve LGBT+

Lexim  minutësh

01-ENG-Vranje-and-Strumica-Teachers-as-Silent-Accomplices-in-Violence-Against-LGBT-Students.png

Të rinjtë Lgbt+ nga Vranja dhe Strumica, Darijan dhe Nikolën, i lidhin të njëjtat probleme me të cilat ata janë përballur gjatë kohës sa ishin në shkollë. Ata pa dëshirë kujtojnë shkollën e tyre fillore dhe të mesme, ku ishin cak i sulmeve verbale por edhe fizike gati në baza ditore, dhe mësimdhënësit, që duhej t’i mbronin, kryesisht e injoronin dhunën, duke i dhënë kështu një lloj legjitimiteti dhe duke u bërë bashkëpunëtorë në heshtje në dhunën dhe diskriminimin ndaj nxënësve Lgbt+.

Shumica e mësimdhënësve në Vranje e shikonin homoseksualitetin si një sëmundje dhe disa prej tyre besonin se mund të kurohet, dhe me program të duhur arsimor edhe mund të parandalohet. Kjo u shpalos në anketën e realizuar së fundmi “Qëndrimi i mësimdhënësve nga Vranja ndaj të rinjve Lgbt+” nga Këshilli Kombëtar i Rinisë në Serbi. Nënkryetari i komunës dhe Këshilltari për arsim nuk i janë përgjigjur pyetjes sonë se çfarë planifikon të bëjë qyteti lidhur me rezultatet e kësaj ankete për ta bërë shkollën një vend të sigurt për të gjithë.

Të paktën dy deri në tre nxënës në secilën klasë mund të jenë persona Lgbt+. Prandaj është shumë e rëndësishme të rritet vetëdijesimi i mësimdhënësve lidhur me problemet me të cilat përballen nxënësit Lgbt+, tha znj. Gordana Trajković, Msc. në Pedagogji, një nga autoret e anketës së sipërpërmendur. Ajo është e mendimit se nëse mësimdhënësit i përhapin qëndrimet e tyre bazuar në homofobi ose transfobi, kjo do të çojë në adoptimin e të njëjtave qëndrime dhe zhvillimin e paragjykimeve te nxënësit.

Profesioni i mësimdhënësit kërkon përmirësim të vazhdueshëm dhe zotërim të kompetencave dhe shkathtësive. Disa tema, përfshirë orientimin seksual dhe identitetin gjinor, janë ende tabu në shoqëri dhe në sistemin shkollor. Padituria sjell paragjykimin, dhe paragjykimi mund të çojë në forma të ndryshme të diskriminimit, madje edhe në dhunë verbale, psikike ose fizike. Arsimimi, mësimi shtesë dhe përmirësimi mund ta mposhtin paragjykimin, por edhe mund të jenë mënyrë për të kuptuar dhe për të pranuar dallimet reciproke – thotë znj. Trajković.

Diskriminimi dhe dhuna ndaj nxënësve Lgbt+ si pasojë mund të çojë në homofobi të përvetësuar, sepse fëmijët mësohen që në moshë të hershme se heteroseksualiteti është mënyra e vetme normale, shpjegon znj. Trajković.

Personat Lgbt+ nga Vranja frikësohen ta raportojnë dhunën

Në Gjykatën Themelore në Vranje nuk ka asnjë rast të procedimit penal të hapur kundër akteve të kryera mbi baza të orientimit seksual ose identitetit gjinor të një viktime në pesë vitet e fundit. Në raportet e Komisionerit për Barazi Gjinore gjithashtu nuk ka raste të raportuara të diskriminimit, dhe organizata “To be clear”, e cila ka regjistruar incidente të motivuara nga homofobia dhe transfobia në pesë vitet e fundit, dhe e cila është një ofruese e regjistruar e ndihmës ligjore falas, thonë se nuk ka asnjë raport nga Vranja, ndonëse ata përballen me dhunë dhe diskriminim kundër personave Lgbt+ në Vranje gati çdo ditë.

Znj. Trajković shpjegon se personat Lgbt+ nuk e raportojnë dhunën për shkak të mungesës së besimit në institucione, frikës se do të tallen dhe se dhuna do të intensifikohet, si dhe për shkak të frikës ose daljes hapur.

Mediet nuk raportojnë mjaftueshëm për këto raste, nuk ka mjaft lajme për ndëshkimet e shqiptuara, thotë znj. Trajković.

U përjashtua nga drama e shkollës që ajo drejtonte sepse puthi një vajzë

Darija është një ish-nxënëse e shkollës së mesme të mjekësisë në Vranje dhe ka pasur një përvojë të ngjashme. Ajo thotë se nxënësit Lgbt+ të të dy gjinive në përgjithësi nuk ndihen të sigurt në shkollë dhe shpesh janë viktima të dhunës nga bashkëmoshatarët.

Nuk kanë se kujt t’i drejtohen, dhe kur e bëjnë këtë, dhe flas nga përvoja ime, mësimdhënësit i injorojnë tërësisht. Kjo çon në humbjen e plotë të besimit, humbjen e mbrojtjes që kanë, thotë ajo.

Në shkollë të mesme të mjekësisë, ata kishin një orë të psikologjisë ku mësonin se homoseksualiteti është një “devijim”.

Nëse më kujtohet mirë, ky ishte viti i dytë ose i tretë i shkollës së mesme, dhe mendoj se teksti shkollor nga i cili ne mësonim përdoret ende. Kur thashë se nuk do ta mësoja sepse kjo është e pasaktë, mësimdhënësja më tha se “duhej ta mësoja” dhe se unë nuk isha “më e mençur se redaktori i tekstit shkollor”. I thashë se ata në kuptimin e plotë të fjalës po na mësonin të diskriminojmë një komunitet që ka përfaqësuesit e saj edhe në atë klasë, tha Darija.

Znj. Trajković shpjegon se një nga problemet është se shkollat ende e përdorin kurrikulën e vjetër, ndonëse Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka hequr homoseksualitetin nga Klasifikimi Ndërkombëtar i Sëmundjeve qysh 30 vite më parë.

Darija kujton diskriminimin që kishte përjetuar në shkollën e mesme kur bashkëmoshatarët e saj e përjashtuan atë nga vetë drama e vet, sepse ata konsideronin se ajo ishte “e sëmurë”.

Kisha shkruar një skenar dhe po drejtoja një dramë teatrale për shkollën time të mesme, që zuri vendin e dytë në një garë, dhe një herë kur shkova në prova, nxënësit e vitit të tretë dhe të katërt më thanë se isha përjashtuar nga drama, dhe se për mua, si një “person i sëmurë” nuk kishte vend aty. Doli që më kishin parë tek puthja një vajzë dhe kjo ishte e papranueshme për ta, tha ajo.

Darija u mundua ta raportojë dhunën te një mësimdhënëse, por ajo, e painteresuar ta zgjidhë problemin, e referoi Darijan te drejtoresha e shkollës.

Ajo më tha të mos shqetësohem, dhe se e gjitha do të zgjidhej, se ndoshta ata e kishin me shaka, dhe unë iu përgjigja se diskriminimi i dikujt nuk mund të jetë “shaka”, dhe as fyerja e dikujt nuk mund të jetë shaka, sepse kishte edhe fyerje. Ajo thjesht më tha që ta lë ashtu, kujton Darija.

Vendosi që ndodhia të mos bënte bujë dhe të shmangte problemet shtesë dhe të ekspozohej ndaj cenimit të mëtejmë.

Prindërit e mi nuk e dinin në atë kohë. Pra, kjo është arsyeja pse nuk ka asnjë raportim në prokurori, ose diçka tjetër, thotë Darija.

Ajo mendon se shkollat duhet të fillojnë të ndërmarrin hapa specifik në lidhje me raportimin e dhunës dhe diskriminimit.

Për fillim, duhet të ketë persona që e kryejnë punën e tyre, dhe kur ti e raporton dhunën, ata duhet të reagojnë dhe të bëjnë diçka. Është e padobishme nëse unë raportoj diçka, kur asgjë nuk do të ndodhë më tej. Duke e bërë këtë, ti u dërgon mesazh të tjerëve dhe viktimave potenciale që të buzëqeshin dhe të durojnë, se kjo është më mirë se të raportosh, thotë ajo.

Në shtator u mbajt punëtoria “Sensibilizimi i mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë për të punuar me nxënësit Lgbt+”, në bibliotekën “Bora Stanković” në Vranje, si pjesë e projektit “Let’s pull down the four walls” (Të rrëzojmë të katër muret). Ligjëratat u mbajtën nga znj. Gordana Trajković, pedagoge, dhe znj. Aleksandra Ilić, psikologe. Rreth njëzet mësimdhënës, pedagogë dhe psikologë të shkollave kishin rastin të njoftohen me shprehjet dhe shembujt pozitivë lidhur me mënyrat e parandalimit të dhunës dhe shtypjes së homofobisë në shkolla, dhe të ofrimit të përkrahjes për nxënësit Lgbt+.

Pozitë e ngjashme e të rinjve Lgbt+ në Maqedoninë e Veriut

Marrë parasysh vlerat e ngjashme ekonomike dhe kulturore, pozita e personave Lgbt+ nuk është më e mirë në qytetet më të vogla në rajon. Në Maqedoninë e Veriut, në Strumicë, biseduam me Nikolën, pjesëtar i komunitetit Lgbt+ dhe aleat për të drejtat e personave transgjinorë.

Kur ishte ende në shkollë të mesme, ai ishte i hapur në përkrahjen e tij për shokët e tij transgjinorë, duke mbajtur anën e tyre në luftën ligjore për ndryshimin e gjinisë.

Në atë kohë, shkova në shkollë me një shok për të ndryshuar gjininë në dokumentet e tij të shkollës, dhe sekretarja e shkollës na shikoi në heshtje, thotë Nikola, dhe shton se ajo as nuk e dinte se si ta bënte këtë ndryshim, sepse askush më parë nuk e kishte bërë një kërkesë të tillë dhe asnjë aplikim nuk ishte dërguar në procedurë.

Nikolës i ishte ndaluar të hynte në një kafeteri me shokun e tij transgjinor.

Të gjithë i njohin të gjithë këtu, nuk mund ta fshehësh identitetin tënd. Çfarëdo që bën, në sytë e tyre do jesh një njeri anormal, thotë Nikola.

Në luftën e tij për të drejtat e të rinjve Lgbt+ në Strumicë, ai kishte qenë dëshmitar i dhunës kundër shokëve të tij transgjinorë. Megjithatë, kur ai vendosi të shkojë me shokët e tij që së bashku ta raportojnë dhunën, nuk vërejtën interesim në Stacionin Policor.

Zyrtari policor u bë kinse po na dëgjonte, dhe kur u larguam, dosja përfundoi në sirtar, thotë Nikola, dhe shton se nuk ka pasur raportime të diskriminimit ose krimit të urrejtjes në këtë qytet për sa kohë ai mban mend.

Një vit më parë, Maqedonia e Veriut miratoi Ligjin e ri kundër Diskriminimit, që njohu për herë të parë diskriminimin në baza të orientimit seksual si formë të veçantë të diskriminimit. Ligji përcakton krijimin e një “Komisioni kundër diskriminimit”, që do të shqyrtojë rastet.

Kemi mungesë të burimeve njerëzore, mbështetjes teknike dhe fondeve, thotë z. Igor Jadrovski, anëtar i komisionit.

Ata u janë përgjigjur disa rasteve të diskriminimit përmes medieve, institucioneve dhe kompanive, por siç thonë ata, nuk mund të arrijnë të bëjnë shumë me kapacitetet e limituara dhe mungesën e vetëdijesimit në institucione.

Ky është një problem sistemik. Ne kemi ende tekste shkollore ku gjen elemente të diskriminimit dhe gjuhë të urrejtjes kundër grupeve të margjinalizuara, shpjegon z. Jadrovski.

Nikola aktualisht drejton organizatën “LGBT+ Core Strumica”. Në një rajon me më pak se 100,000 banorë, ai është krenar që ka 90 anëtarë në organizatën e tij.

Kam vullnet të qëndroj dhe luftoj për këto të drejta, thotë ai me krenari. Ndonëse pjesa më e madhe e shokëve të tij, të neglizhuar po ashtu nga kryeqyteti, priren të emigrojnë, ai dëshiron të vazhdojë të luftojë për një të ardhme më të mirë në qytetin e tij.

Nikola është i kënaqur me ligjet e Maqedonisë së Veriut, por thotë se ato duhet të zbatohen, gjë e cila mund të thuhet edhe për ligjet në Serbi dhe në rajon.

Antrfile: Mini parada në Vranje 2019: është me rëndësi që të rinjtë Lgbt+ jashtë Beogradit të ndjejnë se kanë përkrahje dhe se nuk janë vetëm

Me sloganin “Unë nuk heq dorë nga Vranja” dhe bandrola si “Unë nuk heq dorë nga” “shokët”, “vetja”, “dashuria”, rreth 15 persona ecën nëpër Vranje me flamuj me ngjyra ylberi dhe flamuj të transgjinorëve.

Një nga organizatorët, znj. Fiona Jelić, tha se nuk ka pasur incidente, por qytetarët e Vranjes nuk iu bashkuan parakalimit.

Parakaluam në rrugët kryesore në Vranje dhe kjo zgjati relativisht shkurt, nuk pati incidente, por as nuk u bashkuan qytetarët. Të gjitha këto mini parada të mbajtura edhe në nëntë qytete të tjera ishin njoftim për paradën që do të mbahej në Beograd. Mbaj mend se policia nuk ishte e kënaqur me atë që po ndodhte në Vranje dhe mund të ndihej atmosfera negative, por në të vërtetë asgjë negative nuk ndodhi, thotë Fiona.

Pjesa më e madhe e punëtorive dhe kurseve edukative, siç thotë ajo, organizohen në Beograd, por ajo thotë se është me rëndësi të adresohen edhe problemet me të cilat përballen personat Lgbt+ në qytetet më të vogla.

Ishte e nevojshme që aktivitetet tona të decentralizohen dhe të ofrohet kjo përkrahje edhe jashtë Beogradit. Është me rëndësi që të rinjtë dhe anëtarët e komunitetit në qytete më të vogla në Serbi të ndjejnë se kanë përkrahje dhe se nuk janë vetëm, thotë Fiona.

Shënim: emri i ish-studentes së shkollës së mesme të mjekësisë u ndryshua për të mbrojtur identitetin e saj. 

Dhuna ose diskriminimi në baza të orientimit seksual/identitetit gjinor mund të raportohet te Prokuroria Themelore Publike në Vranje, po ashtu mund të kontaktoni në formë anonime organizatën To be clear’, ofruese e ndihmës ligjore dhe psikologjike falas, si dhe mund t’i referoheni Komisionerit për mbrojtjen e barazisë.

Dhuna ose diskriminimi në baza të orientimit seksual/identitetit gjinor mund të raportohet te Prokuroria Themelore Publike në Strumicë, po ashtu mund të kontaktoni në formë anonime organizatën ‘LGBT+ Core Strumica’, si dhe mund t’i referoheni Komisionerit për mbrojtjen e barazisë. 

Ekipi: Dejana Cvetković (Serbi), Darko Miloševski (Maqedoni e Veriut), Vukašin Živković (Serbi)

Dymbëdhjetë ekipe prej tre gazetarësh të rinj nga të paktën dy vende të ndryshme nga Ballkani Perëndimor punuan gjatë tetë javëve, me mbështetjen e mentorëve me përvojë, për të prodhuar tregime rajonale të fokusuara te të rinjtë. Ky tregim u zhvillua përmes programit – Media for All, të financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Përmbajtja e mbledhur dhe pikëpamjet e shprehura janë përgjegjësi vetëm e autorëve.

Lexo artikujt:

Historitë më të mira nga Journalift:

Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e 15-të, ose radioja, TV-ja dhe madje edhe interneti në shekullin e 20-të. Është një teknologji që do të riformësojë përgjithmonë shoqërinë. Për shumë prej nesh, AI nënkupton gjithçka që kemi mësuar nga filma të shumtë distopikë (2001 A Space

Tema:

Artikujt më të fundit:

Menaxhimi i premtimeve dhe rreziqeve të AI: Çfarë duhet të dijë çdo profesionist i medias rreth ChatGPT
Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e
Zbuloni trukun: Si të flisni me zhvilluesit e uebit për (ri)dizajnimin e ueb faqes suaj mediatike
Puna mbi një ueb faqe për biznesin tuaj mund të jetë një proces në të njëjtën kohë emocionues dhe i
Si do ta ndryshojë ChatGPT gazetarinë dhe mediat?
Kërkova nga ChatGPT të shkruante këtë artikull për mua. Sigurisht që e bëra këtë. Bëra dhe riformulova pyetje për të