Rishqyrtimi i strategjive për qëndrueshmërinë e mediave të vogla të pavaruar në Ballkanin Perëndimor

Lexim  minutësh

RETHINKING-SUSTAINABILITY-STRATEGIES-FOR-SMALL-INDEPENDENT-MEDIA

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, donatorët dhe agjencitë ndërkombëtare zbatuese kanë luajtur një rol vendimtar me mbështetjen që kanë dhënë për zhvillimin e mediave të pavarura, vendimet editoriale të të cilave nuk ndikohen nga qeveria, biznesi apo politika. Këto media janë përgjithësisht media të vogla klasike, të tilla si radio dhe stacione televizive lokale ose rajonale, por edhe media të ndryshme online/interneti me tematikë të veçantë që mund të drejtohen nga kompani tregtare apo nga organizata të shoqërisë civile (të gjitha këtyre mediave do t’i referohemi këtu si media të pavarura). Ato kryejnë një funksion të rëndësishëm për shërbimin publik duke ofruar përmbajtje që shpesh mungon në mediat kryesore të mëdha: informacion i paanshëm, programe edukative, mbulim i çështjeve që lidhen me të drejtat e njeriut, ose përmbajtje që trajton nevojat kulturore dhe nevoja të tjera të grupeve të margjinalizuara. Edhe pse janë arritur rezultate të rëndësishme, kritikat kryesore për to lidhen me qëndrueshmërinë e përpjekjeve të tilla pas tërheqjes së donatorëve apo me ndryshimin e përparësive të tyre. Janë të shumtë shembujt e mediave të pavarura që u mbyllën, u bënë tejet komerciale, apo u rreshtuan me njërën ose tjetrën parti politike pas shterimit të parave të donatorëve, shembuj që kontribuojnë në një kritikë të tillë.

Kështu, si konsulentët ashtu edhe donatorët mendojnë se komercializimi dhe diversifikimi i shërbimeve me qëllim shkëputjen nga financimi i donatorëve janë strategjitë kryesore që duhen ndjekur. Në rekomandimet standarde që mund jepen në këtë drejtim janë, mes të tjerash për të përmendur vetëm disa, futja e shërbimeve të reja me pagesë; tarifa për përdoruesit për përmbajtje premium; diversifikimi me biznese të fushës, si biznese që merren me marrëdhëniet me publikun dhe marketing; apo hartimi i një sërë strategjish për angazhimin e audiencës, si mbledhje fondesh, për të siguruar të ardhura për misionin, shërbimet ose përmbajtjen.

Megjithatë, mediat e pavarura shpesh mbeten të varura nga grantet e donatorëve nëse duan të ofrojnë përmbajtje me interes publiku. Përpjekjet për t’u diversifikuar me qëllim shkëputjen nga grantet e donatorëve janë shpesh të dobëta dhe të pasuksesshme. Arsyet për një gjë të tillë janë:

  • Tregjet e mediave janë të vogla dhe të mbingopura, gjë që kufizon aksesin tek të ardhurat nga reklamat. Përveç kësaj, mediat e vogla lokale dhe rajonale janë përgjithësisht jashtë vëmendjes së bizneseve të mëdha dhe agjencive të reklamave.
  • Mediat dhe burimet e të ardhurave nga reklamat shpesh janë tejet të politizuara dhe të kapura nga interesat të ngushta. Mediat e pavarura nuk konkurrojnë në një fushë loje me rregulla të qarta dhe të paanshme, por në një treg të shtrembëruar që favorizon ato media që kanë mbështetje të fuqishme financiare dhe politike. Në një treg të tillë, suksesi në biznes është i kapur me fije që drejtohen nga tjetërkush dhe që mund të bien në kundërshtim me misionin të cilin përpiqen të përmbushin këto media.
  • Mediat e pavarur shpesh kanë audienca të vogla që mund të jenë shumë të ndjeshëm ndaj çmimeve dhe mund të mos jenë në gjendje të paguajnë ose dhurojnë fonde për përmbajtjen mediatike, edhe pse kjo audiencë mund të vlerësojë përmbajtjen që prodhohet posaçërisht për të. Kjo mund të vijë për shkak se audienca ka mundësi të shumta për të parë dhe lexuar pa pagesë përmbajtje të njëjtë ose thjesht nuk është në gjendje ta përballojë pagesën për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Disa shembuj nga bota tregojnë se modelet e financimit nëpërmjet anëtarësimit mund të funksionojnë, por motivimi për pjesën më të madhe të anëtarëve që paguajnë është shpesh filantropik. Një shembull i tillë është përvoja e Pablo Isazas, Drejtorit Ekzekutiv të portalit të lajmeve politike në Kolumbi La Silla Vacía, i cili shpjegon: “Njerëzit nuk paguajnë për të marrë më shumë informacione apo lajme të reja, por për të bërë të mundur që çdokush në Kolumbi të ketë mundësi të marrë informacione” (cituar në Oliver 2021).
  • Së fundi, mediat e vogla të pavarura, për nga vetë natyra e tyre, kanë mangësi mjaft të theksuara në burime për sa i përket ekspertizës që kanë vetë, infrastrukturës dhe kapaciteteve për investime, të cilat kufizojnë mundësitë për sukses të komercializimit të tyre. Angazhimi financiar në aktivitete të reja biznesi mund t’u marrë burimet e nevojshme operacioneve bazë në dëm të misionit organizativ të vetë medias.

Përpjekja për të arritur qëndrueshmërinë financiare duke ruajtur edhe pavarësinë editoriale në rrethana të tilla është shpesh kontradiktë në vetvete. Prandaj, nuk është për t’u habitur që pavarësisht përpjekjeve të mediave të pavarura për të arritur këtë gjë, financimi i donatorëve duket se është mundësia e tyre më e mirë. Projektet me grante ofrojnë një ndihmë shumë të nevojshëm ndaj konkurrencës së pandershme dhe kufizimeve të tregut, dhe janë të paktën kompensim për mungesën e burimeve dhe mungesën e mbështetjes nga shteti për ato që janë në thelb shërbime publike që vështirë se mund të komercializohen.

Kësisoj, ka më shumë të ngjarë që qëndrueshmëria financiare e këtyre mediave të arrihet përmes një modeli biznesi hibrid, model që mbështetet në financimin nga donatorët, me disa komponentë që lidhen me të ardhura biznesi, dhe jo si zëvendësim, por si shtesë e granteve nga donatorët. Modele të tilla biznesi duhet të arrijnë një ekuilibër inteligjent mes financimit nga donatorët dhe të ardhurave nga biznesi për të siguruar vazhdimësi dhe qëndrueshmëri financiare, ndërkohë që u bëjnë të mundur organizatave të ruajnë pavarësinë e tyre editoriale dhe t’i qëndrojnë besnikë misionit dhe orientimit të tyre programor.

Qëndrueshmëria financiare konsiderohet këtu si aftësia e një organizate për të siguruar një burim të vazhdueshëm të ardhurash që i bën të mundur kësaj organizate t’i shërbejë përfituesve të saj, ndërkohë që përmbush misionin e vet organizativ në periudhën afatgjate. Në këtë tekst trajtohen disa nga sfidat dhe mundësitë për arritjen e qëndrueshmërisë financiare përmes një modeli biznesi hibrid. Ndërkohë që njeh rëndësinë e strategjive të komercializimit për arritjen e një qëndrueshmërie të tillë financiare, teksti fokusohet kryesisht në aspektin e financimit të një modeli të tillë nga donatorët.

Natyra e një modeli biznesi të fokusuar te donatorët

Natyra e një modeli biznesi të fokusuar te donatorët

Organizatat që financohen nga donatorët dhe që janë jo-fitimprurëse shpesh shihen si organizata jo-biznesi nga ekspertët, nga konsulentët dhe madje edhe nga donatorët (shih Hersberger-Langloh 2019). Kjo është arsyeja pse sugjerohet që qëndrueshmëria financiare nuk mund të arrihet nëse ato vazhdojnë të varen nga grantet e donatorëve. Në kuadër të një perspektive të tillë, organizatat përfituese duket se nuk kanë “mentalitet biznesi”, ndërsa financimi nga donatorët perceptohet si i përkohshëm dhe i paparashikueshëm, dhe për këtë arsye nuk konsiderohet si burim i vazhdueshëm për të siguruar qëndrueshmëri financiare.

Megjithatë, mediat e pavarura që varen nga mbështetja e donatorëve duhet të konsiderohen si organizata me orientim tregu që kanë “mentalitet biznesi” – thjesht disi të ndryshme nga kompanitë që kanë si synim të punës së tyre fitimin financiar (Hersberger-Langloh 2019). Ndryshe si do të shpjegohej fakti që kaq shumë organizata jofitimprurëse, përfshirë një numër të madh mediash të pavarura në Ballkanin Perëndimor, funksionojnë dhe vazhdojnë me sukses me veprimtarinë e tyre për dekada me radhë, kryesisht përmes granteve të donatorëve? Modeli i biznesit që përdorin ato është ai i fokusuar te programet e ndihmës ndërkombëtare që mbështesin demokratizimin, të drejtat e njeriut, shoqërinë civile dhe mediat – një treg mjaft i madh me rritje të shtrirjes dhe sasisë së fondeve që ofrohen në këto 30 vitet e fundit. Për shembull, agjenci të ndryshme shtetërore amerikane japin më shumë se 2 miliardë dollarë në vit përmes fondeve të asistencës së huaj për promovimin e demokracisë (Shërbimi i Hulumtimeve i Kongresit 2019; për financimin e BE-së, shihni për shembull: Godfrey & Youngs 2019), ndërkohë që fondet nga asistenca e përgjithshme botërore për demokracinë e kalojnë shumën prej 10 miliardë dollarë (Carothers 2015). Nga ana tjetër, ky treg është shumë konkurrues, si mes përfituesve në kërkim të fondeve ashtu edhe mes donatorëve që kërkojnë organizata për t’i mbështetur, duke bërë kështu të nevojshëm që këto të fundit të kenë disa aftësi të veçanta, burime dhe strategji për sukses. Prandaj, nuk është për t’u habitur që mediat e pavarura jofitimprurëse mund të jenë, dhe shpesh janë, financiarisht të qëndrueshme (shih për shembull: Breiner 2021).

Literatura përkatëse për organizatat jofitimprurëse pranon se këto organizata janë në fakt organizata tregu. Ato funksionojnë brenda të ashtuquajturve “tregje të dyanshme” apo “platforma të dyanshme” dhe strategjia e tyre për qëndrueshmëri financiare duhet të fokusohet në mënyrën se si duhet t’ia dalin në një treg të tillë (shih Hersberger-Langloh 2019).  

Tregjet e dyanshme ekzistojnë kur kemi një platformë ndërmjetëse që lehtëson ndërveprimet mes grupeve të ndryshme në treg, të cilët shohin se u kushton më pak të ndërveprojnë përmes një ndërmjetësi të tillë sesa në mënyrë të drejtpërdrejtë. Platformat e dyanshme marrin tarifën e tyre nga secila palë e ndërveprimit, pasi anëtarët e të dy grupeve përfitojnë nga ekzistenca e grupit tjetër dhe nga ndërveprimi që bëhet i mundur nga platforma. Disa nga shembuj tipikë të tregjeve të dyanshme që mund të përmendim janë kompanitë e kartave të kreditit (që lidhin konsumatorët me shitësit me pakicë); agjencitë e pasurive të paluajtshme (që lidhin blerësit me shitësit e pronave); dhe agjencitë e punësimit (që lidhin punëdhënësit me punëmarrësit). Në shumë raste, njëra anë e tregut është shumë e ndjeshme ndaj çmimeve dhe përdorimi i platformës për ta subvencionohet nga të ardhurat e krijuara nga krahu tjetër i tregut. Prandaj, gjëja më e vështirë shpesh është të caktohet çmimi i duhur. Shembuj tipikë janë mediat sociale si Facebook ose Twitter, si dhe mediat klasike (që lidhin reklamuesit dhe konsumatorët), të cilat u ofrojnë përdoruesve akses falas ose me çmim të reduktuar në përmbajtjen e tyre, ndërkohë që e subvencionojnë këtë akses nëpërmjet të ardhurave nga reklamuesit (Shih për shembull: Hersberger -Langloh 2019; shih edhe Eisenmann et al. 2006).

Mediat e pavarura që financohen nga grantet përmbushin karakteristikat e platformave të tregut të dyanshëm. Nga njëra anë e tregut janë donatorët dhe nga ana tjetër janë konsumatorët e shërbimeve dhe produkteve të medias – audienca.

Donatorët po investojnë te mediat e pavarura për të arritur ndikimin social në përputhje me misionin dhe vizionin e tyre institucional (si zbutja e varfërisë, promovimi i të drejtave të njeriut, demokratizimi, etj.). Në një farë mënyre, donatorët nuk janë shumë të ndryshëm nga reklamuesit klasikë: ata investojnë në media për të promovuar diçka tek audienca e synuar. Ashtu siç reklamuesit paguajnë mediat për të promovuar një produkt ose shërbim dhe për të nxitur blerjen nga publiku, edhe donatorët japin grante për të promovuar ide dhe sjellje që mund të çojnë në ndryshime shoqërore. Përveç mundësimit të ndikimit social, donatorët marrin përfitime të tjera nga mediat që financojnë, siç janë zbritja nga taksat; rritja e efikasitetit të programeve dhe projekteve të tyre; dhe rritja e besueshmërisë që vjen me zbatimin e suksesshëm të projektit. Edhe donatorët përfitojnë nga efekti i drejtpërdrejtë i rrjetit (duke pasur në anën e tyre të tregut sa më shumë përdorues që të jetë e mundur – d.m.th., donatorë të tjerë), sepse sa më shumë donatorë të mbështesin të njëjtat media, aq më i ulët është rreziku i një investimi të tillë, aq më e ulët bëhet kostoja e marrjes së informacionit në lidhje me besueshmërinë e përfituesit, dhe aq më të shumta janë shanset për rritjen e ndikimit të nga kombinimi i financimit. Prandaj, donatorët priren të shkojnë tek të njëjta organizata përfituese (Hersberger-Langloh 2019; Eisenmann et al. 2006). Në të njëjtën kohë, donatorëve u pëlqen të shohin në drejtime të tjera dhe mund të shkojnë menjëherë tek organizata të tjera përfituese për të ulur rrezikun ose për të rritur ndikimin. Së fundi, donatorët përfitojnë nga një efekt i tërthortë i rrjetit (duke pasur audiencën më të madhe të mundshme mediatike në anën tjetër të tregut), pasi sa më e madhe të jetë audienca e mediave përfituese, aq më e madhe është shtrirja e programeve të tyre të ndikimit social, dhe potencialisht edhe më të mëdha do të jenë efektet dhe më të mira do të jenë rezultatet e programeve dhe projekteve të tyre.

Nga ana tjetër e tregut, audienca përfiton nga larmia e përmbajtjes së mediave, nga informacioni i besueshëm apo nga aksesi tek mundësitë për edukim. Në pjesën më të madhe të rasteve, shërbime apo produkte të tilla ofrohen falas apo subvencionohen në një masë të konsiderueshme nëpërmjet granteve që u jepen mediave. Kjo vjen si shkak i gjasave që përdoruesit fundorë të jenë tejet të vëmendshëm ndaj çmimeve dhe ndofta nuk janë të interesuar për të paguar për shërbime të tilla, qoftë sepse nuk ua mban xhepi apo se mund të gjejnë alternativa të tjera më të lira nga të cilat mund të zgjedhin. Edhe audienca përfiton nga efekti i drejtpërdrejtë i rrjetit, duke qenë se numri i audiencës rritet me rritjen e mundësive për përfshirjen e komunitetit, me krijimin e identitetit dhe me mundësitë e tjera për argëtim me anëtarë të tjerë të audiencës. Kështu, audienca priret të rritet tek ato ofrues shërbimesh që bëjnë të mundur efektin më të madh të drejtpërdrejtë të rrjetit. Për sa i përket efektit të tërthortë të rrjetit, audiencat e mediave të pavarura përfitojnë nga rritja e numrit të donatorëve në skajin tjetër të tregut, duke qenë se rritet financimi për shtimin e shërbimeve dhe produkteve që ofrohen falas apo me subvencionim tarife. 

Në një treg të dyanshëm, mediat e pavarura përfitojnë nga donatorët dhe agjencitë zbatuese në mënyrë të drejtpërdrejtë nëpërmjet fondeve dhe krijimit të besueshmërisë. Ata përfitojnë nga rritja e numrit dhe angazhimit të audiencës duke u bërë kështu të besueshëm në sytë e donatorëve dhe përdoruesve fundorë. Rritja e numrit të audiencës sjell si rezultat rritjen e konkurrencës në tregun e donatorëve, pasi mediat mund të demonstrojnë kapacitetin e tyre për të arritur tek një numër më i madh përdoruesish fundorë si propozim tërheqës për donatorët, të cilët synojnë të shtrijnë sa më shumë ndikimin e tyre social. Së fundi, mediat e pavarura përfitojnë si nga rritja e numrit të donatorëve ashtu edhe nga zgjerimi i mëtejshëm i audiencës dhe rrisin kështu qëndresën përballë presioneve të jashtme të mundshme nga interesat e politikës dhe të biznesit. Në Figurën 1 jepet një përmbledhje e përfitimeve të të gjithë aktorëve të përfshirë në tregun e dyanshëm të financuar nga donatorët për mediat e pavarura.

Benefits-for-donors.
Figura 1: Modeli i mediave të pavarura me financim donatorësh si platforma të dyanshme (Sipas Hersberger-Langloh 2019).

Drejt qëndrueshmërisë financiare brenda tregjeve të dyanshme të donatorëve

Duke pasur parasysh natyrën e bizneseve që operojnë në tregjet e dyanshme si dhe kufizimet që hasin mediat e vogla të pavarura në shoqëritë në tranzicion, qëndrueshmëria financiare është një arritje mjaft e ndërlikuar.

Për mediat e pavarura që funksionojnë në tregjet e dyanshme me financim nga donatorët, qëndrueshmëria financiare duhet të përfshijë të paktën komponentët që vijojnë: diversifikimi i burimeve të financimit për të mos u mbështetur vetëm tek një donator; sigurimi i perspektivave për financim afatgjatë; dhe krijimi i rezervave të sigurisë, të cilat të jenë në sasi të mjaftueshme për të mbuluar dhe siguruar vazhdimësinë e punës në periudhë krizash.

Kjo mund të arrihet nëse kuptojmë se ku dhe si krijohet vlera për donatorët si klientët kryesorë që paguajnë në tregje të tilla.

Bazuar në shpjegimin që u dha më sipër, mund të identifikojmë të paktën katër strategji kryesore për krijimin e vlerës nga perspektiva e donatorëve: (1) Mundësimi i shtrirjes së donatorëve tek grupet e synuara për të lehtësuar ndikimin e programeve dhe projekteve të tyre; (2) Eliminimi i kostove të informimit për donatorët; (3) Sigurimi i shlyerjes së investimit për donatorët në drejtim të rezultateve dhe zbatimit të projekteve në përgjithësi; dhe (4) Promovimi i emrit dhe aktiviteteve të donatorëve. Secila nga këto strategji trajtohet më poshtë.

Mundësimi i shtrirjes së donatorëve tek grupet e synuara: Sigurisht që vlera më e madhe për donatorët është mundësia që kanë mediat për të vepruar si platformë që i lidh ato me një audiencë të madhe dhe të përcaktuar e synuar qartë. Kjo do të thotë të kesh një audiencë në rritje dhe të angazhuar që kuptohen mirë nga mediat për sa i përket pritshmërive që ka audienca, ndjeshmërisë së saj ndaj çmimit, format e komunikimit me të, vlerat, normat, besimet dhe sjelljet. Shumë shpesh, mediat e vogla mund të kenë mungesë njohurish të zgjeruara për audiencën e tyre për shkak të mungesës së kapaciteteve të brendshme dhe burimeve të kufizuara që kanë për hulumtime mbi audiencën e tyre. Pikërisht këtu hyjnë në punë strategjitë për angazhimin me audiencën përmes mediave online dhe një mori mjetesh të tjera për mbledhjen e të dhënave, të cilat ofrojnë mundësi për përmirësime të mëdha në drejtim të rritjes së gamës dhe numrit të audiencës. Në qendër të një strategjie të tillë është zhvillimi i ekspertizës dhe kapaciteteve të sofistikuara të vetë mediave për angazhimin e audiencës dhe për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave për të. Mediat që kanë audiencë në rritje dhe të angazhuar, nevojat e të cilës kuptohen qartë prej tyre, kanë një armë të fuqishme në përpjekjet e tyre për sigurimin e financimeve nga donatorët.

 Eliminimi i kostove të informimit nëpërmjet brandimit dhe transparencës

Eliminimi i kostove të informimit nëpërmjet brandimit dhe transparencës: Përtej sigurimit të komunikimit me audiencës, një tjetër strategji për krijimin e vlerës duket se fokusohet në krijimin e besimit duke ulur kostot e informimit për donatorët kur vjen puna te çmimet, rezultatet dhe aspektet e tjera kryesorë të performancës së tyre. Kjo është me rëndësi të madhe nëse duam të sigurojmë angazhimin afatgjatë të donatorëve dhe diversifikimin e burimeve të financimit me sa më shumë prej tyre. Për të arritur këtë gjë nevojitet një strategji e sofistikuar dhe afatgjate brandimi që mbështetet në transparencën proaktive dhe komunikimin e vazhdueshëm me donatorët dhe jo në ndërveprime burokratike të rastit gjatë procesit të aplikimit për grante dhe gjatë raportimit. Nga shqyrtimi i 20 shembujve të gazetarisë së qëndrueshme cilësore nga vendet e Evropës Perëndimore dhe Lindore, Amerikës Latine dhe ShBA-ve, të kryer nga James Brainer dhe kolegët e tij nga Universiteti i Navarras në Spanjë, u konstatua se organizata të tilla të mediave kanë të përbashkëta pesë karakteristika, të cilat përbëjnë bazën e strategjisë së brandimit:

  • Ato funksionojnë në bazë të parimeve të pavarësisë dhe besueshmërisë, të cilat mbështeten nga transparenca e madhe në drejtim të pronësisë, investitorëve, aksionerëve, donatorëve, sponsorëve, performancës financiare dhe metodës së punës kur prodhojnë histori.
  • Të gjitha këto media nxjerrin në pah nevojat dhe problemet e përdoruesve të tyre si fokusi parësor i punës së tyre dhe gjysma e tyre nuk pranojnë as reklama.
  • Ato janë së pari digjitale dhe përdorin strategji të sofistikuara për angazhimin e përdoruesve nëpërmjet formateve të mediave dhe platformave të mediave sociale, duke ofruar gjithmonë informacionin përkatës dhe adresat e burimit origjinal që shoqëron historitë që botojnë.
  • Pjesa më e madhe e tyre drejtohen nga gazetarë me përvojë që përdorin reputacionin dhe besueshmërinë e tyre për të bërë për vete investitorë, donatorë, punëmarrës dhe audiencën.
  • Dhe shpesh angazhojnë edhe përdoruesit e tyre gjatë përpjekjeve për ide për histori, nxisin audiencën të ndihmojë me mbledhjen e informacionit me anë të përpjekjeve të përbashkëta dhe angazhim të njerëzve të zakonshëm (Breiner 2021).

Sigurimi i shlyerjes së investimit: Mediat duhet të jenë në gjendje të mbajnë premtimet për të përmbushur detyrimet që parashtrojnë në projekt propozimet për sa i përket vlerës për fondet e investuara në to. Për këtë ato kanë nevojë të sigurojnë kapacitetet për zbatimin e projekteve dhe ekspertizën e nevojshme, të cilat duhet të përmirësohen vazhdimisht dhe strategjikisht. Një tjetër qasje plotësuese është krijimi i partneriteteve strategjike me mediat që kanë të njëjta synime, me organizata të shoqërisë civile, me biznese dhe partnerë teknologjie. Një qasje e tillë ndihmon në zgjidhjen e problemit të burimeve të kufizuara dhe mungesës së ekspertizës tematike të vetë mediave duke bërë të mundur kështu shfrytëzimin e kapaciteteve të një ekosistem më të gjerë organizatash partnere, ndërkohë që në këtë mënyrë përhapen edhe efektet e aktiviteteve të projekteve që zbatojnë ato. Gjithsesi, për një gjë të tillë kërkohet edhe zhvillimi i kapaciteteve të brendshme të vetë mediave për krijimin e rrjeteve, ngritjen e partneriteteve, negocimin dhe menaxhimin në bashkëpunim të projekteve komplekse. Përtej zgjerimit të kapaciteteve organizative, partneritete të tilla mund të ndihmojnë në rritjen e audiencës dhe bëjnë të mundur sigurimin e financimeve nga burime të tjera që, në raste e situata të tjera, do të ishin jashtë mundësive të një medie të vetme.

Promovimi: Të gjitha sa më sipër bëjnë të nevojshme një qasje strategjike ndaj promovimit. Mediat duhet të bëjnë përpjekje të vazhdueshme dhe të gjithanshme promovimi që do të bënte më të njohur brandin e tyre tek investitorët kryesorë, ndërkohë që promovojnë edhe rezultatet e asistencës që kanë marrë nga donatorët dhe agjencitë zbatuese. 

Strategji të tilla mund të sjellin si rezultat intensifikimin e efektit të rrjetit, ku shumë donatorë dhe agjenci zbatuese shkojnë drejt atyre organizatave që ofrojnë vlerën më të madhe në këmbim të mbështetjes së tyre. Në Tabelën 1 më poshtë jepet një përmbledhje e këtyre katër strategjive kryesore si dhe disa nga taktikat kyçe që duhet të përdoren:

Strategjitë për krijimin e vlerës për donatorët dhe agjencitë zbatueseTaktika
Mundësimi i shtrirjes tek grupet e synuara
  • Angazhimi dhe rritja e audiencës
  • Mbledhja dhe analizimi i të dhënave për karakteristikat e audiencës
Eliminimi i kostove të informimit nëpërmjet brandimit dhe transparencës
  • Transparenca proaktive në lidhje me performancën, kostot, ekspertizën, dhe audiencën e medias duke dhënë informacione të plota, përfshirë këtu, por pa u kufizuar vetëm me to, edhe auditet vjetore nga auditues të pavarur.
  • Zbatimi i strategjive të brandimit që lidhen me koncepte, si, për shembull, pavarësia, besueshmëria, transparenca, ekspertiza, sofistikimi teknologjik, dhe angazhimi i përdoruesve.
Sigurimi i shlyerjes së investimit për donatorët dhe agjencitë zbatuese
  • Zhvillimi i kapaciteteve të qëndrueshme për menaxhimin e projekteve
  • Mundësimi i një shtrirjeje më të gjerë dhe i ekspertizës me anë të partneritetit me media të tjera, me OSHC, apo organizata që kanë të njëjtat synime.
  • Sigurimi i qëndrueshmërisë së rezultateve të projekteve me anë të diversifikimit të burimeve të financimit dhe testimit e zbatimit të modaliteteve të ndryshme të monetizimit që mund të bëjnë të mundur vazhdimësinë e aktiviteteve dhe rezultateve të projekteve të mbështetura nga donatorët pas mbarimit të një granti të caktuar.
Promovimi- Qasja strategjike për promovimin e të gjitha aktiviteteve, përfshirë këtu promovimin e gjithanshëm dhe të vazhdueshëm të projekteve të caktuara dhe mbështetjen e donatorëve për këto projekte.
Tabela 1. Strategjitë dhe taktikat për krijimin e vlerës
Drejt strategjive të qëndrueshmërisë për mediat e pavarura

Drejt strategjive të qëndrueshmërisë për mediat e pavarura

Ekzistojnë shumë strategji plotësuese që mund të përdoren për të siguruar diversifikimin e burimeve të financimit për qëndrueshmërinë financiare, duke ruajtur pavarësinë editoriale të mediave të pavarura. Gjithsesi, edhe në skenarët më të mirë, ku një organizatë ka siguruar funksionimin e saj me qëndrueshmëri financiare përmes granteve të ofruara nga donatorët, këshillohet që organizata në fjalë të punojë shumë për diversifikimin e burimeve të financimit, duke përfshirë këtu edhe të ardhurat nga veprimtaria e saj ekonomike. Modeli i biznesit duhet të orientohet drejt sigurimit të disa të ardhurave jashtë granteve të donatorëve, jo domosdoshmërisht si zëvendësues të këtyre granteve, por si një mënyrë për krijimin e kursimeve për investime strategjike në kapacitetet e brendshme të medias, të tilla si pajisje dhe zhvillimin e aftësive të reja, si dhe vënia mënjanë e rezervave financiare në rast periudhash krize. Kjo është me rëndësi të madhe, pasi grantet e donatorëve mund të mos jenë të përshtatshme për këto organizata/media për shkak të kufizimeve buxhetore që kanë vetë donatorët dhe jetëgjatësisë relativisht të shkurtër të financimeve të tyre. Për më tepër, vetë donatorët mund të jenë shkaku i paqëndrueshmërisë financiare i përfituesve të tyre, pasi ata mund t’i ndryshojnë papritmas përparësitë e tyre për shkak të ndryshimeve në udhëheqjen politike ose arsyeve të tjera politike apo ekonomike që janë jashtë kontrollit të organizatave në fjalë.

Megjithatë, përpjekjet për diversifikimin e burimeve larg financimit nga donatorët nëpërmjet sigurimit të ofertave tregtare duhet të bëhen me kujdes për të mos dëmtuar modelin ekzistues të biznesit.

Kjo mund të ndodhë, për shembull, nëse burimet nuk përdoren për proceset kryesore të punës; nëse bëhen përpjekje të shumta për propozime të paarritshme biznesi; ose nëse në strategjikë e propozuar të monetizimit nuk i kushtohet vëmendje natyrës së audiencës apo edhe vetë tregut, gjë që mund të sjellë si rezultat humbje të audiencës apo rrezikim të pavarësisë së medias. Thjesht fakti se strategji të caktuara komercializimi funksionojnë në kontekste të tjera apo për media të mëdha komerciale që kanë kapur audienca të mëdha nuk do të thotë se të njëjta qasje do të jenë të suksesshme në vende të tjera apo për media të vogla që duan të ruajnë pavarësinë e tyre editoriale ndërkohë që kryejnë një funksion shërbimi publik për komunitetin.

Natyra e tregjeve të dyanshme dhe përvoja prej më shumë se tre dekada në zhvillimin e mediave të pavarura me financim nga donatorët në Ballkanin Perëndimor tregojnë se strategjia për qëndrueshmërinë financiare arrihet më së miri brenda një modeli biznesi hibrid. Një model i tillë biznesi duhet të ndërtohet mbi një strategji të fortë për diversifikimin e financimeve nga donatorët, e kombinuar me sigurimin e të ardhurave nga burime komerciale pa rrezikuar pavarësinë editoriale. Ky në fakt është një akt delikat balancimi, por duke pasur parasysh kufizimet e tregut në lidhje me funksionimin normal të mediave të pavarura, duket se është mundësia më e mirë për mediat për arritjen e qëndrueshmërisë financiare duke i qëndruar besnik orientimit të tyre programatik.

Tarik Jusić, PhD, MBA, në dy dekadat e fundit ka qenë i angazhuar në zbatimin e projekteve dhe programeve të ndryshme për zhvillimin e mediave në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përveç punës së tij në hulumtimin e politikave dhe zbatimin e projekteve, veçanërisht në fushën e asistencës ndërkombëtare për mediat, Tarik ka qenë i angazhuar edhe me një sërë projektesh konsulence, duke u fokusuar kryesisht në çështjet e zhvillimit të planifikimit strategjik dhe kapaciteteve strategjike për komunikimin në institucionet publike, organizatat e mediave, dhe ato të shoqërisë civile. Gjatë viteve 2002-2011 ka qenë Drejtor i Programit në Mediacentar Sarajevë dhe gjatë periudhës 2010-2020 ka punuar si Drejtor Administrativ në Qendrën për Kërkime Sociale “Analitika” në Sarajeva. Që nga viti 2019, Tarik punon si Lektor dhe Garantues i programit të studimeve në Fakultetin e Komunikimit dhe Medias, pranë Universitetit të Nju Jorkut në Pragë të Republikës Çeke.

Lexo artikujt:

Historitë më të mira nga Journalift:

Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e 15-të, ose radioja, TV-ja dhe madje edhe interneti në shekullin e 20-të. Është një teknologji që do të riformësojë përgjithmonë shoqërinë. Për shumë prej nesh, AI nënkupton gjithçka që kemi mësuar nga filma të shumtë distopikë (2001 A Space

Tema:

Artikujt më të fundit:

Menaxhimi i premtimeve dhe rreziqeve të AI: Çfarë duhet të dijë çdo profesionist i medias rreth ChatGPT
Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e
Zbuloni trukun: Si të flisni me zhvilluesit e uebit për (ri)dizajnimin e ueb faqes suaj mediatike
Puna mbi një ueb faqe për biznesin tuaj mund të jetë një proces në të njëjtën kohë emocionues dhe i
Si do ta ndryshojë ChatGPT gazetarinë dhe mediat?
Kërkova nga ChatGPT të shkruante këtë artikull për mua. Sigurisht që e bëra këtë. Bëra dhe riformulova pyetje për të