Udhëzime për redaktorët dhe gazetarët: Mënyra e duhur për të raportuar për zgjidhjet

Lexim  minutësh

01-Guidelines-for-editors-and-journalists-_The-right-way-to-report-on-solutions_.png

Edhe pse në fillim ishte një risi e pazakontë për të cilën shumë redaksi lajmesh ishin skeptike (dhe disa ende janë), shumë prej këtyre redaksive i kanë hapur dyert praktikës së gazetarisë së zgjidhjeve, me shpresën për të rritur numrin e lexuesve, shikuesve dhe dëgjuesve që janë të lodhur nga lajmet e këqija. Prapa kësaj praktike gazetarie që synon të “transformojë lajmet” është Rrjeti i Gazetarisë së Zgjidhjeve, një organizatë ndërkombëtare “që po drejton kalimin global në gazetari që fokusohet në atë që anashkalohet më së shumti tek lajmet”.

Të angazhuar, por edhe rigoroz

Sipas mbështetësve të gazetarisë së zgjidhjeve dhe praktikave përkatëse të gazetarisë konstruktive, raportimi i zgjidhjes së problemeve sociale është një mënyrë për të dhënë një portretizim më të saktë të botës, por edhe për t’i treguar audiencës se në këtë botë ka shpresë dhe progresi është i mundur, gjë që redaksitë shpesh nuk i konsiderojnë si të besueshme.

Përveç se përmirëson gazetarinë, qëllimi i raportimit të zgjidhjeve është të nxisë angazhimin duke raportuar kronika që audienca i sheh me interes, që mund t’i ndajë me të tjerë, dhe që ndofta të shërbejnë edhe si stimul për të vepruar.

Gjithsesi, kjo nuk duhet të ketë të bëjë me raportimin e rasteve të thjeshta e inkurajuese apo edhe lajmeve pozitive, sepse, edhe pse fokusi duhet të jetë tek gjërat që funksionojnë, raportimi duhet të bëhet në një mënyrë rigoroze për sa i përket aspektit gazetaresk. Kjo nënkupton respektimin e parimeve më të larta të profesionit të gazetarit, si saktësia, paanshmëria dhe drejtësia. Edhe pse është e ndryshme nga gazetaria e ‘’rregullt”, sepse i nxit gazetarët të raportojnë nga një perspektivë ndryshe që shkon përtej prezantimit të thjeshtë të problemit, ata duhet ta bëjnë këtë gjë në mënyrë sa më të plotë për t’i bërë të mundur audiencës t’i vlerësojë zgjidhjet me syrin kritik. 

Gazetaria e fokusuar te zgjidhjet në BBC – model për t’u marrë shembull?

Gazetaria e fokusuar te zgjidhjet në BBC – model për t’u marrë shembull?

Përmendur shpesh së bashku me gazetën The Guardian dhe raportimet e saj konstruktive disa prej të cilave fokusohen në zgjidhje, BBC evidentohet si një nga ‘lojtarët’ më të njohur në gazetarinë e sotme të zgjidhjeve, jo vetëm në Britaninë e Madhe por edhe në botë. Ajo raporton për zgjedhjet me një emër, gjithsesi, paksa më të ndryshëm: gazetari e fokusuar në zgjidhje. Kjo gazetari u krijua kur BBC ndërmori një studim për të kuptuar se çfarë donin realisht dëgjuesit numri i të cilëve po binte. Nga ky studim u konstatua se “64% e audiencës e moshës nën 35 vjeç donin lajme që ofronin zgjidhje për problemet, jo thjesht lajme që përshkruajnë vetëm problemin.”

Ka pasur disa projekte multimediatike online të BBC-së nën moton e fokusit tek zgjidhja, por pararoja e raportimit të fokusuar në zgjidhje në BBC është Projekti i saj “Njerëzit që rregullojnë botën”, që më parë njihej si “Këshilla të BBC-së për ndreqjen e botës”, e krijuar në vitin 2016. Kjo është një platformë online me podkaste dhe video kronika dixhitale për “njerëz që po ndryshojnë botën”. Video kronikat transmetohen edhe në platformat e mediave sociale.  

BBC ende konsiderohet si model për t’u marrë shembull nga transmetuesit e tjerë publikë në botë. Kështu, është e kuptueshme që kisha interes edhe si hulumtuese, por edhe si gazetare për të parë nëse kjo media do të ishte në gjendje të ruante famën edhe në gazetarinë e zgjidhjeve. Në instrumentin e gazetarisë me fokus zgjidhjet, që nuk gjendet më në internet, kjo praktikë është hartuar si një tentativë ambicioze “për të ofruar një pamje më të saktë të botës, për të frymëzuar ata që kanë dëshirë të informojnë publikun dhe t’i shërbejnë mirëqenies së tij dhe për të përmbushur qëllimet publike të BBC-së pa braktisur angazhimin tonë për gazetari të saktë, të pavarur dhe të paanshme, përfshirë këtu edhe kërkesën e llogarisë ndaj njerëzve në pushtet.” Kisha si qëllim të shihja nëse ndodhte vërtetë kështu me kronikat e Projektit të BBC-së “Njerëzit që rregullojnë botën”, duke qenë se këto kronika i drejtoheshin kryesisht të rinjve, edhe pse jo vetëm atyre, që është edhe grupi më i kërkuar dhe shpesh më i vështirë për t’u kuptuar për të cilin shumë redaksi bëjnë përpjekje për t’u lidhur.

Studimi i gazetarisë së BBC-së me fokus zgjidhjet

Studimi i gazetarisë së BBC-së me fokus zgjidhjet

Si pjesë e studimeve të mia për doktoraturë në degën e Gazetarisë në Universitetin e Kardifit në Britaninë e Madhe, vendosa të analizoja plotësisht kronikat e BBC-së me fokus zgjidhjet dhe të flisja me gazetarët që i kishin realizuar ato si dhe me redaktorët e tyre. Kjo kishte rëndësi jo vetëm për të shqyrtuar në tërësi praktikën e gazetarisë me fokus zgjidhjet në këtë transmetues publik, por edhe të kuptoja problematikat që haste redaksia në punë e saj për konkretizimin e ideve. Shqyrtova se çfarë informacioni raportohej dhe si jepeshin kronikat e zgjidhjeve. Hapi i parë ishte studimi i Karen E. McIntyre dhe Kyser Lough, intervistova ata njerëz që identifikoheshin si gazetarë të zgjidhjeve dhe që kishin hartuar manualet e para akademike me udhëzime për gazetarinë e zgjidhjeve. Megjithatë, nga studimi që kisha ndërmarrë u bë e qartë se, edhe pse mund të kuptojmë mënyrën e raportimit të zgjidhjeve, gjërat ndryshojnë kur përpiqemi t’i vëmë ato në praktikë dhe se idetë e shumta për të bërë gazetari të mirë papritur avullojnë. 

Rreziqet e shkarjes në lajme pozitive

Rreziqet e shkarjes në lajme pozitive

Mënyra se si ekipi i BBC-së e percepton praktikën e raportimit të zgjidhjeve dhe mënyra se si e realizon atë në kronikat e veta me video ndryshojnë shumë. Ndonëse gazetarët dhe redaktorët e ekipit e vendosin gazetarinë me fokus zgjidhjet pothuajse në linjë të plotë me nocionet e përcaktuara në Vlerat dhe Standardet e Redaksisë së BBC-së, problemet me përshtatjen me audiencat e rrjeteve sociale, përmbushja e treguesve të audiencës, dhe krijimi i një formati video që do të kënaqte si audiencën ashtu edhe algoritmet, pasqyrojnë mjaft qartë cilësinë e gazetarisë në këto kronika. Nocioni i saktësisë që vihet në piedestal nga gazetaria e zgjidhjeve, dhe afërmendsh edhe nga gazetaria e BBC-së tek kronikat me video me fokus zgjidhjet, shpesh kalon në plan të dytë. Në shumë kronika mungon perspektiva kritike që shikuesit e konsiderojnë si të nevojshme për të bërë një vlerësim kritik për sa i përket zgjidhjes që prezantohet dhe për ta kuptuar atë në lidhje me problemin që trajton. 

Video kronikat e BBC-së me fokus zgjidhjet shpesh, ndonëse jo gjithmonë, realizohen në mënyrë të atillë që shpreh optimizëm, interes, pozitivitet dhe thjeshtësi, gjë që nuk ka pse të jetë problem nëse plotësohen të gjitha kriteret e tjera të gazetarisë. Megjithatë, shumë nga këto kronika shpesh mund të ngatërrohen me kronika lajmesh pozitive, apo edhe si video promocionale të zgjidhjeve interesante dhe për njerëzit apo organizatat që i kanë realizuar ato.

Në këtë mënyrë, raportimi i zgjidhjeve përdoret me idenë se premton angazhim më të mirë të audiencës që ende është e interesuar për gazetari të cilësisë së lartë, por nevoja për të qenë tërheqës për audiencën shpesh nënkupton zbutjen apo shmangien e kritikës për zgjidhjen apo mosshpjegimin e problemit, shkaqeve të tij, dhe kontekstit nga ku dolën problematikat.

Edhe pse të metat dhe pengesat që hasa kanë të bëjnë vetëm me video kronikat e Projektit të BBC-së “Njerëzit që rregullojnë botën” dhe që mund të mos evidentohen te të gjitha raportimet me fokus zgjidhjet në këtë transmetues publik, ato janë gjithsesi tregues i asaj që redaksi të tjera mund të hasin në punën e tyre me gazetarinë e zgjidhjeve.

Për këtë arsye dhe duke u mbështetur në rezultatet e hulumtimit tim dhe në evidentimin e pengesave që haste ekipi i BBC-së, hartova disa udhëzime të veçanta për gazetarinë e zgjidhjeve që duhet të jenë objektiv i punës së gazetarëve dhe redaktorëve. Këto udhëzime janë një “përditësim” i atyre të përmendura në manualet e McIntyre & Lough, por edhe nga udhëzimet praktike që ofrohen nga Rrjeti i Gazetarisë së Zgjidhjeve në faqen e tyre në internet.

E RËNDËSISHME: Udhëzimet që jepen në këtë artikull i prezantohen publikut për herë të parë. Ato janë punë origjinale e autores dhe mund të përdoren si listë kontrolli për redaksitë që fokusohen në raportimin e zgjidhjeve, me detyrimin që të vendosin referencën e duhur tek autorja. 

Udhëzime për gazetarinë e zgjidhjeve

Udhëzime për gazetarinë e zgjidhjeve

Udhëzimet e mëposhtme vlejnë për raportimin e zgjidhjeve dhe kanë të bëjnë me informacionin që duhet të përfshihet në kronikë për ta bërë atë pjesë ‘rigoroze’ të gazetarisë.

  1. Kronika duhet të ketë dhe shpjegojë problemin, shkakun, dhe kontekstin ku lindi problemi. Duhet të prezantohen edhe perspektivat e ndryshme të problemit dhe efektet e tij, në mënyrë që audienca të ketë gjithë informacionin e nevojshëm për të vlerësuar zgjidhjen e përshtatshme.
  2. Kronika duhet të prezantojë një zgjidhje që mund të zbatohet në jetën reale.
  3. Kronika duhet të shpjegojë se cila është zgjidhja, përfshirë këtu edhe aspektet se ku, kur dhe nga kush u gjet dhe u vu në zbatim ajo zgjidhje.
  4. Kronika duhet të prezantojë dhe shpjegojë se si funksionon zgjidhja dhe si e zgjidh ajo problemin. 

  5. Kronika duhet të prezantojë dhe shpjegojë të gjitha kufizimet apo efektet anësore të zgjidhjes si dhe kufizimet në zbatimin praktik të saj.
  6. Kronika duhet të prezantojë dhe shpjegojë kritikat apo kundërshtitë përkatëse në zbatimin e zgjidhjes, përfshirë këtu edhe përgjigjen apo opinionet ndaj kësaj kritike.
  7. Kronika duhet të japë prova/fakte të besueshme dhe të verifikueshme për efikasitetin e zgjidhjes. Këto prova/fakte duhet të mos varen nga ata që gjetën zgjidhjen. Nëse nuk ka fakte/prova të tilla, kjo gjë duhet të bëhet e qartë.
  8. Kronika duhet të përfshijë mendimet e atyre që kanë përvojë personale të drejtpërdrejtë me zgjidhjen dhe zbatimin e saj.
  9. Kronika duhet të përfshijë informacione të tjera për audiencën që kanë dëshirë të angazhohen aktivisht në zgjidhjen që propozohet.

Edhe pse këto udhëzime mund të funksionojnë si kuadër i dobishëm standardesh që duhet të përmbushet në çdo kronikë me fokus zgjidhjet, forma në të cilën do të realizohet kjo gjë në praktikë varet shumë nga mjedisi mediatik dhe objektivat për audiencën që kanë redaksi të caktuara. BBC krijoi një video-format të veçantë me fokus zgjidhjet që kënaq preferencat e audiencës në platformat digjitale dhe mediat sociale dhe kjo gjë sigurisht që ndërhyn në respektimin e vlerave të gazetarisë dhe redaksive, vlera që janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ekipin e gazetarëve që kanë në fokus raportimin e zgjidhjeve. Prandaj, zbatimi me sukses i udhëzimeve të dhëna më sipër është i mundur vetëm kur ato përshtaten dhe ri-inkuadrohen në kontekstin aktual të redaksive dhe në projektet e tyre për raportime me fokus zgjidhjet. Për këtë, është e padiskutueshme që duhet të shfrytëzohet ekspertiza e një trajneri për gazetarinë me fokus zgjidhjet, së bashku me kulturën e redaksisë ku nxitet eksperimentimi dhe nxirren mësime nga gabimet.

Journalift është një platformë burimore në internet me praktika dhe njohuri më të fundit për personat që duan të dinë më shumë rreth zhvillimit të medias, biznesit të medias dhe tendencave më të reja në industrinë e medias. Platforma është krijuar si një qendër njohurish e përqendruar në nevojat e mediave. Ne e shohim veten si ‘game changers’, në komunitetin e zhvillimit të mediave që sjellin ide të reja, mjete inovative dhe qasje të bazuara në rezultate, për funksionimin e bizneseve mediatike.

Petra Kovaçeviq është asistente mësimore dhe kërkimore në Departamentin e Gazetarisë dhe Prodhimit Mediatik, Universiteti i Zagrebit, dhe anëtare e ekipit në projektin kërkimor ” Journalism Research Lab/Laboratori i Kërkimit të Gazetarisë”, financuar nga Fondacioni Kroat i Shkencës. Ajo është studente doktorature në Shkollën e Gazetarisë, Medias dhe Kulturës në Universitetin e Cardiff-it, ku studion gazetarinë e bazuar te zgjidhjet në BBC. Interesat e saj kërkimore përfshijnë praktikat e reja gazetareske, të tilla si gazetaria konstruktive dhe gazetaria e zgjidhjeve, kultura e eksperimenteve në redaksi, teknikat inovative dhe ndërvepruese të tregimit gazetaresk, përmbajtja gazetareske e synuar për audiencën e re, me përqendrim të veçantë në prodhimin televiziv dhe video prodhimin. Petra jep mësime mbi modulet që lidhen me televizionin, videon dhe prodhimin multimedial. Ajo është gjithashtu një gazetare dhe producente e pavarur, dhe një trajnere e certifikuar e gazetarisë mobile.

Lexo artikujt:

Historitë më të mira nga Journalift:

Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e 15-të, ose radioja, TV-ja dhe madje edhe interneti në shekullin e 20-të. Është një teknologji që do të riformësojë përgjithmonë shoqërinë. Për shumë prej nesh, AI nënkupton gjithçka që kemi mësuar nga filma të shumtë distopikë (2001 A Space

Tema:

Artikujt më të fundit:

Menaxhimi i premtimeve dhe rreziqeve të AI: Çfarë duhet të dijë çdo profesionist i medias rreth ChatGPT
Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e
Zbuloni trukun: Si të flisni me zhvilluesit e uebit për (ri)dizajnimin e ueb faqes suaj mediatike
Puna mbi një ueb faqe për biznesin tuaj mund të jetë një proces në të njëjtën kohë emocionues dhe i
Si do ta ndryshojë ChatGPT gazetarinë dhe mediat?
Kërkova nga ChatGPT të shkruante këtë artikull për mua. Sigurisht që e bëra këtë. Bëra dhe riformulova pyetje për të