RTV Besa me qendër në Prizren vendosi të evidentojë diversitetin kulturor dhe gjuhësor të qytetit duke prezantuar programe dhe shfaqje televizive në gjuhët boshnjake dhe turke. Po ashtu, me anë të një plani biznesi, RTV Besa synon t’u ofrojë këtyre dy komuniteteve minoritare përkthim të seancave komunale në gjuhën e tyre amtare.
“Përveç qëllimit për t’i mbajtur së informuar dhe përfshirjes së komuniteteve boshnjake dhe turke në proceset vendimmarrëse të Komunës së Prizrenit, ne synojmë të lidhemi me kompani në pronësi të anëtarëve të komuniteteve të lartpërmendura për marketing dhe për rritjen e të ardhurave tona mujore,” tha Mamer Fusha, pronar dhe drejtor i RTV Besa.
Kjo media, e mbështetur nga Projekti “Media për të gjithë” dhe me mentorim nga Fondacioni Thomson, brenda gjashtë muajve të parë që nga zbatimi i projektit arriti të prodhojë 36 shfaqje televizive në gjuhën boshnjake dhe 38 në gjuhën turke. Të prezantuar nga përfaqësues të njohur të komuniteteve turke dhe boshnjake, në këto shfaqje televizive trajtoheshin tema të politikës, kulturës, artit, sporteve, shoqërisë civile dhe biznesit. Nga ana tjetër, RTV Besa hapi edhe faqe në Facebook në këto dy gjuhë, boshnjake dhe turke. Të dy faqet përditësohen rregullisht çdo ditë.
“Ky projekt na ndihmoi të stabilizonim punën e përditshme dhe të zgjeronim produksionet gjatë dhe pas krizës së pandemisë Covid-19. Si rezultat i këtyre aktiviteteve, kemi filluar të kemi një marrëdhënie më të ngushtë me bizneset që janë në pronësi të komuniteteve turke dhe boshnjake. Deri tani, ia kemi arritur të marrim disa reklama nga këto biznesi,” e mbylli fjalën e tij Fusha.
RTV Besa u hap në vitin 2002 si radio lokale dhe në vitin 2004 si televizion lokal. Është një nga të paktat media në Kosovë me licencë nga Komisioni i Pavarur i Mediave për të transmetuar në frekuencë tokësore që mbulon të gjithë rajonin e Prizrenit. Po ashtu, ky televizion është i pranishëm dhe ofrohet edhe nga shërbimet kryesore kabllore në Kosovë.