Mediat lokale po e humbin rëndësinë e tyre dhe kjo nuk është mirë për shoqërinë kosovare

Lexim  minutësh

Lokalni-mediji-gube-na-znacaju-i-to-nije-dobro-za-kosovsko-drustvo

Në një fokus grup të organizuar vitin e kaluar mbi përdorimin e mediave lokale, krahas televizioneve dhe radiove me frekuenca lokale, pjesëmarrësit e përmendën disa herë një portal lokal si burim të informacionit. Emri i portalit nuk ishte i vështirë për tu mbajtur në mendje, meqë emrit të qytetit i kishte shtuar vetëm një “press”. Në takimin që zhvillova më vonë me drejtorin, kuptova se bëhej fjalë për një biznes familjar, dhe se i tërë stafi përbëhej vetëm nga ai dhe babai i tij. Asnjëri nuk kishte ndonjë shkollim në fushën e gazetarisë. Ata nuk vraponin pas lajmit. Përkundrazi, lajmet vinin tek ta, dhe krejt çfarë duhej bërë ishte publikimi i tyre në portal dhe në faqen e tyre në Facebook. Kjo e fundit tregonte se numri i ndjekësve të tyre ishte tri herë më i madh se ai i televizionin lokal që kishte një staf prej 16 personave.

Çfarë e bën një portal të tillë më të ndjekur se një televizion me traditë mbi 20 vjeçare?

Standardet e dyfishta mbi operimin e mediave në Kosovë, vështirësitë financiare, konkurrenca në rritje, mos-investimi në teknologjinë e re dhe mungesa e stafit të kualifikuar mund të jenë disa nga arsyet që kanë quar në rënien e mediave tradicionale lokale dhe shkëputjen graduale me audiencat e tyre.

Mundësitë jo të barabarta për mediat

Mundësitë jo të barabarta për mediat

Politikat mediale në Kosovë, shumë prej të cilave dizajnohen dhe implementohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), ofrojnë mundësi jo të barabarta për të gjithë mediat në Kosovë. Aktualisht, në adresarin e mediave të licencuara nga KPM, figurojnë 16 televizione dhe 81 radio me frekuencë tokësore.

Për gjeneratat e reja që njohin vetëm sistemin kabllorë televiziv, kjo nënkupton se me një antenë të thjeshtë, transmetimi i tyre arrin në televizorin apo radion tuaj në shtëpi, pa pagesë mujore apo vjetore. Ndryshimet e shpejta teknologjike gati se e kanë pamundësuar këtë shërbim pa pagesë, të paktën për mediet televizive. Tani operatorët privat kabllorë ju detyrojnë të paguani për to.

Një politikë më ndryshe do të nënkuptonte që transmetimi i televizionit publik dhe ai i medieve lokale, sipas komunave ku ato gëzojnë frekuenca lokale, të mos ndërpritej edhe kur abonimi juaj mujor ka përfunduar. Por, politikat e KPM-së, të paktën në këtë aspekt, nuk duket se janë në favor të medieve lokale apo të qytetarit. Mediat lokale përveç se duhet të paguajnë taksën e liçencës tek KPM, taksën e frekuencave tek ARKEP dhe taksën e transmetimit tek KTTN, për një kohë ato është dashur të paguajnë edhe operatorët kabllorë për të qenë pjesë e pakos së tyre.

Me kalimin nga procesi analog në atë digjital, do të krijoheshin shumë lehtësira për mediet lokale, dhe Kosova kishte bërë zotimin që do ta respektonte afatin ndërkombëtar të vënë nga ITU. Por, kur më 17 qershor 2015, 119 shtete të botës po festonin arritjen historike të kalimit nga sistemi analog në atë digjital, KPM nuk e kishte gati as strategjinë për transmetimin digjital në Kosovë.

Sigurimi i konkurrencës së drejtë në tregun e mediave

Sigurimi i konkurrencës së drejtë në tregun e mediave

Përtej dështimit në digjitalizim, KPM ka luajtur një rol pasiv në garantimin e një konkurrence fer në tregun medial në Kosovë. Fillimisht ligjvënësit i kishin mundësuar transmetuesit publik që përveç të hyrave nga buxheti i shtetit t’i lejohen edhe të hyra nga marketingu. Kjo e ka bërë atë hisedarë në tregun modest të reklamave në vend.

Për shembull, në vitin 2019 transmetuesi publik kishte deklaruar të hyra nga marketingu prej 1,229,000 euro, përveç të hyrave kryesore nga buxheti i Kosovës prej 11,620,000 euro. Sa për krahasim, komplet buxheti vjetor i një televizioni lokal me 16 punonjës, nuk kalon mbi 160,000 euro.

Konkurrencës në marketing tashmë i janë shtuar edhe bizneset informative online që aludojnë të jenë medie online. Numri real i tyre është vështirë të matet, meqë ato nuk kalojnë nëpër procese të licencimit nga ndonjë institucion në Kosovë.

Krejt çfarë u duhet është ta marrin emrin e një qyteti apo fshati, shpesh duke i shtuar një “press”, dhe të fillojnë biznesin në fushën e mediave, pa qarë kokën për transparencë pronësore, redaksionale apo financiare. Institucionet shtetërore kanë dështuar që t’ua mbrojnë edhe pronësinë intelektuale të mediave të licencuara, duke i bërë ato cak të vjedhjes së përmbajtjes nga mediet e reja të llojit “qyteti-press”.

Përderisa mediumi publik mbështetet pothuajse tërësisht në buxhetin e garantuar nga shteti dhe mediat private me frekuenca nacionale kanë krijuar të ardhura të qëndrueshme nga marketingu, shumica e mediave lokale veprojnë me buxhet të vogël si pasojë e tregut të kufizuar të marketingut nëpër komuna. Strategjia e tyre e marketingut nuk ka ecur sipas ndryshimeve të tregut. Reklamues tipik në mediat lokale kanë mbetur të njëjtit - marketet, hotelet, restorantet, kompanitë e derivateve dhe kompanitë ndërtimore.

Pamundësia e mediave që të mbajnë hapin me teknologjinë

Pamundësia e mediave që të mbajnë hapin me teknologjinë

Mungesa e burimeve financiare ka çuar në një sfidë tjetër: mos-mbajtjen e hapit me teknologjinë. Shumica e televizioneve dhe radiove lokale operojnë me teknologji modeste pasi nuk kanë mundësi të blejnë teknologjinë më të fundit. Prandaj, edhe kualiteti i transmetimit nuk është më i miri.

Mediet lokale po humbin audiencat e tyre edhe për shkak të konkurrencës që ofrojnë kabllorët. Televizionet dhe radiot lokale kanë gëzuar një stabilitet financiar më të mirë para ardhjes së kabllorëve. Me hyrjen në treg të shërbimeve kabllore, mbajtja e audiencës për mediat lokale u bë më e vështirë.

Ndonëse Kosova ka edhe raste që dëshmojnë të kundërtën, ku një televizion lokal ka arritur të shtojë audiencën pikërisht për shkak të kalimin në pakon e kabllorëve. Sidoqoftë, ky nuk është rasti me shumicën e televizioneve të tjera lokale, të cilat kryesisht renditën ka fundi në pakot e kabllorëve, më poshtë se kanalet televizive të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut apo Turqisë. Të dhënat nga fokus grupet e organizuara me qytetarë në dy komuna të ndryshme në Kosovë tregojnë se për shumicën e pjesëmarrësve sasia e kohës që ata kalojnë duke shikuar televizionet lokale është shumë e vogël për shkak të shumëllojshmërisë që ofrojnë kabllorët. Shumica e tyre kanë reduktuar shikimin e televizioneve lokal vetëm në lajmet e mbrëmjes.

Besimi i publikut tek mediat lokale

Besimi i publikut tek mediat lokale

Megjithatë, pjesëmarrësit në fokus grupe tregojnë se televizionet lokale janë më të besuarat në mesin e mediave lokale. Radiot lokale përdoren më së shumti në makinë, dhe atë gjatë orëve të pikut, kur njerëzit shkojnë në punë ose kthehen në shtëpia, kurse vakumi i gazetave lokale po plotësohet nga mediat online, numri i të cilave po rritet dita ditës. Sidoqoftë, niveli i besimit të qytetarëve në mediat lokale online është shumë i ulët, me përjashtim të atyre mediave online që i përkasin një televizioni apo radioje lokale.

Pjesëmarrësit e grupeve të fokusit besojnë se autoritetet lokale kanë një nivel të madh të ndikimit mbi mediat lokale. Për ta, autoritetet lokale janë përpjekur vazhdimisht të kontrollojnë mediat lokale duke u dhënë atyre grante ose duke blerë hapësirë ​​për reklama në to. Kjo mund të ketë ndikuar në rritjen e vetë-censurës ose përkrahjes për autoritetet lokale. Tradicionalisht autoritetet lokale kanë shpërblyer besnikët duke u dhënë atyre kontrata publike për të transmetuar aktivitetet e qeverisë lokale.

Një monitorim katër javor i përmbajtjes së disa televizioneve lokale shpërfaq nivelin shumë të ulët të prodhimit të përmbajtjes nga vetë televizionet. Edicionet e tyre të lajmeve shpesh kanë vetëm një lajm lokal, gazetaria hulumtuese nuk vërehet fare në to, kurse programet edukative e kulturore janë zëvendësuar kryesisht me programe zbavitëse.

Faqet e tyre në rrjetet sociale përmbajnë më shumë lajme nacionale dhe ndërkombëtare, të marra nga mediat qendrore, se sa lajme mbi komunitetin e tyre. Thënë shkurt, mediat lokale kanë filluar ta humbasin rolin e tyre si pushteti i katërt.

Por viteve të fundit mediat lokale kanë një partner të ri që ka për synim fuqizimin dhe zhvillimin e tyre – donatorët ndërkombëtar. Ndonëse grantet për mediat në përgjithësi kanë qenë në dispozicion për vite me radhë, mungesa e ekspertizës dhe njohurive i ka penguar mediat lokale të konkurrojnë krahas mediave qendrore. Shumica e mediave lokale operojnë me staf të vogël dhe vetëm pak prej tyre kanë njerëzit e duhur për të shkruar projekt-propozime të suksesshme. Për këtë arsye disa nga donatorët kanë ndryshuar strategjinë e tyre duke u fokusuar fillimisht në identifikimin e nevojave të mediave lokale, mentorimi intensiv nga ana e ekspertëve për zhvillimin e planeve të biznesit dhe mbikëqyrjen në implementimin e atyre projekteve. Kjo formë e re e asistencës financiare do të ndihmojë në rritjen e prodhimit të përmbajtjes dhe në zhvillimin e kapaciteteve të menaxhimit. Përpjekjes së donatorëve për fuqizimin e mediave lokale duhet t’i bashkohet KPM, duke e kryer rolin e saj në sigurimin e një tregu fer dhe konkurrues për të gjithë mediat në Kosovë. Duke përfshirë edhe mediat e llojit “qyteti-press”.  

Jeton Mehmeti është një profesionist me përvojë në media, konsulent dhe ekspert kërkimesh me më shumë se një dekadë angazhimi profesional në mbështetjen e biznesit të medias, ideve mediatike inovative, vlerësimit të kapacitetit mediatik. Ai ka punuar me organizata të shumta mediatike në Kosovë dhe rajonin e BB dhe i ka mbështetur ato në fushat e planifikimit strategjik, transformimit të menaxhimit dhe ndërtimit të komunitetit.

Lexo artikujt:

Historitë më të mira nga Journalift:

Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e 15-të, ose radioja, TV-ja dhe madje edhe interneti në shekullin e 20-të. Është një teknologji që do të riformësojë përgjithmonë shoqërinë. Për shumë prej nesh, AI nënkupton gjithçka që kemi mësuar nga filma të shumtë distopikë (2001 A Space

Tema:

Artikujt më të fundit:

Menaxhimi i premtimeve dhe rreziqeve të AI: Çfarë duhet të dijë çdo profesionist i medias rreth ChatGPT
Inteligjenca artificiale është, në shumë mënyra, një ngjarje revolucionare, e ngjashme me atë që ishte shtypshkronja Gutenberg në shekullin e
Zbuloni trukun: Si të flisni me zhvilluesit e uebit për (ri)dizajnimin e ueb faqes suaj mediatike
Puna mbi një ueb faqe për biznesin tuaj mund të jetë një proces në të njëjtën kohë emocionues dhe i
Si do ta ndryshojë ChatGPT gazetarinë dhe mediat?
Kërkova nga ChatGPT të shkruante këtë artikull për mua. Sigurisht që e bëra këtë. Bëra dhe riformulova pyetje për të